Insulina e dyshuar që po përdorin kosovarët, dërgohet për analizë në Zagreb

Insulina e dyshuar që po përdorin kosovarët, dërgohet për analizë në Zagreb

Lidhur me shqetësimit e ngritura për përdorimin e njërit prej llojeve të insulinës më saktësisht Gensulin, e cila është duke u përdorur që nga viti i kaluar për pacientet që vuajt nga diabeti në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar për analizë të kontrollit të cilësisë në Agjensionin për Barna dhe Pajisje Mjekësore në Zagreb të Kroacisë.

“Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sigurojë opinionin se prej momentit të ngritjes së shqetësimeve rreth këtij produkti, ka ndërmarrë masa që të sigurohet që ky ilaç t’i plotësojë standardet e cilësisë për përdorim në Kosovë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media”, thuhet në njoftim.

“Pas ngritjes së disa shqetësimeve nga disa endokrinologë, kryesisht në media, për siç konsiderojnë ata, efekte jo adekuate të produktit Gensulin, me kërkesë të Ministrit të Shëndetësisë, Inspektorati Farmaceutik, në bashkëpunim me Agjensionin Kosovar për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPPM), ka marrë disa ekzemplarë të Gensulin, të cilat i ka dërguar për analizë të kontrollit të cilësisë në Agjensionin për Barna dhe Pajisje Mjekësore “Halmed” në Zagreb të Kroacisë”.

Më tutje thuhet se përveç produktit, në këtë agjension kroat janë dërguar edhe Moduli 3 nga prodhuesi i Gensulin, Bioton (Poloni) që ka të bëjë me metodat analitike dhe validitetin e tyre si dhe substancat referente në sasi të mjaftueshme për të gjitha testet.

“Së fundi, tash në muajin korrik, pas kontakteve dhe interesimeve të vazhdueshme rreth produktit, Agjensioni Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) i ka dërguar Agjensionit HALMED edhe listën e plotë të gjithë parametrave nga certifikata e analizës së produktit Gensulin, për të cilët dëshiron të ketë rezultatin e analizës. Në ndërkohë, që MSH dhe AKPPM po presin që ta kenë rezultatin e kontrollit të cilësisë së produktit Gensulin nga një institucion kredibil për këtë çështje, i lut qytetarët që të kenë mirëkuptim për të pritur këtë rezultat, në varësi të së cilit edhe do të ndërmerren hapat e nevojshëm”, thuhet në komunikatë.