Institucionet s’i ndalin ndërhyrjet pa leje në Hamamin e Mitrovicës

Institucionet s’i ndalin ndërhyrjet pa leje në Hamamin e Mitrovicës

Pa kurrfarë pëlqimi të institucioneve të trashëgimisë kulturore enterieri i objektit përcjellës të Hamamit të Vjetër në Mitrovicë tashmë ka marrë pamje tjetër. Punët që janë bërë deri më tani rezultojnë me një grumbull të madh të mbeturinave si pasojë e gërryerjes së mureve, dyshemesë e pjesëve të tjera të aneksit dykatësh. Rinovimi për ta rihapur si restorant ka nisur para një jave.

Ky aneks, sipas pronarit, dikur ka shërbyer si zhveshtore për ata që kanë bërë banjë në Hamamin e Vjetër të ndërtuar në shekullin XVIII. Bëhet fjalë për atë që njihet si pjesa e ftohtë e Hamamit, ku janë hyrja dhe shatërvani e aty dikur ishte edhe gardëroba. Pjesa tjetër me kupola është ajo qendrorja.

Aty ku tash po bëhen ndërhyrje edhe në të kaluarën ka qenë restorant. Institucionet e trashëgimisë kulturore janë njoftuar për këtë rast, por nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap për ndërprerjen e punimeve që bien ndesh me Ligjin për trashëgimi kulturore.

Të enjten kanë vazhduar punimet në ndërtesën ku dy ortakë, tash qiramarrës të rinj, synojnë ta hapin restorantin.