INPO: Kundërthënie e komunës për dhënien e lejeve për kazino

19.09.2016 15:16

Organizata joqeveritare INPO, thotë se, raportimi në media për dhënien e lejeve për kazinotë në Ferizaj, ka shpërfaqur mosfunksionimin e hierarkisë dhe kundërthëniet në qeverisjen e kryetarit të Komunës së Ferizajt.

INPO: Kundërthënie e komunës për dhënien e lejeve për kazino

 

Letër e Hapur kryetarit të komunës së Ferizajt,

z.Muharrem Svarqa

I nderuari z. Kryetar,

Raportimi në media për dhënien e lejeve për kazinotë në Ferizaj ka shpërfaqur mosfunksionimin e hierarkisë dhe kundërthëniet në qeverisjen tuaj.

Sipas raportit të prezantuar në media, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit z.Faik Grainca, ka pohuar se në komunën e Ferizajt për këtë vit, mund të janë lëshuar deri në pesë leje për ushtrimin e veprimtarisë me lojëra fati. Nga ana tjetër, inspektorët po të njëjtës Drejtori, mohojnë të kenë hartuar procesverbal të inspektimit apo të kenë nënshkruar dhënie të lejeve për këto biznese.

Këto deklarata kundërthënëse mes të drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe inspektorëve komunal rreth dhënies së lejeve për këto biznese, shkaktojnë dyshim të bazuar se zyrtarët komunal në Ferizaj, kanë bërë shkelje ligjore dhe kanë shpërdorur detyrën zyrtare.

Kazinove për të cilat z.Faik Grainca, pretendon të jenë pajisur me leje, Administrata Tatimore e Kosovës, në bazë të urdhëresave ligjore iu ka ndaluar ushtrimin e veprimtarisë dhe të njëjtat i ka mbyllur.

Pretendimet e pronarëve të kazinove, se për marrjen e lejeve në komunën e Ferizajt duhet dhënë ryshfet apo të jesh  i afërt me z.Faik Grainca, janë alarmante dhe shqetësuese, ndaj INPO kërkon hetim gjithëpërfshirës nga ju si kryetar komune për këtë pretendim.

I nderuari kryetar,

Nuk është hera e parë që Drejtoria e Urbanizmit dhe drejtori i saj, bëhen subjekt i skandaleve dhe keqmenaxhimit. Organizata INPO, mediet dhe qytetarët në vazhdimësi kanë raportuar për shkeljet ligjore dhe abuzimit me funksionet  publike të zyrtarëve të kësaj drejtorie.

Andaj, me qëllim të zbardhjes së vërtetës rreth kësaj çështje, Organizata jo-qeveritare INPO, kërkon nga institucioni juaj, që ti bëni publike të gjitha lejet e lëshuara për këto veprimtari, dhe të na informoni publikisht për të gjitha hapat që komuna do të ndërmarrë për të mbajtur përgjegjës zyrtarët që kanë rënë ndesh më ligjin.

INPO ju rikujton se ju dhe institucioni që ju përfaqësoni jeni hisedarë të kontrollimit dhe inspektimit të këtyre bizneseve për të ruajtur shëndetin, sigurinë, moralin, rendin publik dhe mirëqenien e përgjithshme.