INPO: Komuna e Ferizajt shpall konkurs të kundërligjshëm

INPO: Komuna e Ferizajt shpall konkurs të kundërligjshëm

Komuna e Ferizajt ka shpallur konkurs të kundërligjshëm për pranimin e pesë punonjëseve në kryerjen e shërbimeve të veçanta.

Organizata Iniciativa për Progres (INPO) gjatë monitorimit të punës në Komunën e Ferizajt, ka konstatua se kjo komunë ka shpallur konkurs për kryerjen e shërbimeve të veçanta që bie ndesh me ligjin për Shërbimin Civil të Kosovës.

“Organizata INPO si rezultat i monitorimit sistematik të punës së Komunës së Ferizajt, ka gjetur se kjo Komunë ka shpallur konkurs për pranimin e punonjësve për kryerjen e shërbimeve të veçanta për së paku pesë (5) pozita në kundërshtim me ligjin për Shërbimin Civil të Kosovës dhe akteve tjera nënligjore”, thuhet në njoftimin e INPO-s.

“Pozita të cilat konsiderohen të rregullta brenda shërbimit civil dhe skemës organizative të departamenteve komunale, që kryejnë punë administrative dhe në asnjë rrethanë nuk mund të ofrojnë shërbime të veçanta përmes angazhimit së tyre”, thuhet më tej në komunikatë.

Për të gjitha pozitat kriter i pranimit ka qenë diploma universitare pa specifikuar natyrën e shkollimit.

“Për të gjitha pozitat e shpallura i vetmi kriter i kërkuar është diploma universitare, pa specifikuar natyrën e shkollimit përkitazi për pozitën e punës dhe parregullsi të tjera elementare, e deri të kufizimi në pesë (5) ditë i kohëzgjatjes së konkursit, i cili është publikuar vetëm në tabelën e shpalljeve në hyrje të objektit të komunës së Ferizajt”, vlerëson INPO.

INPO thotë se ka gjetur edhe shkelje tjera në konkursin e Komunës së Ferizajt.

“Pozitat e përshkruara në konkurs do të duhej të specifikoheshin në njërën nga këto dy kategori nëpunësish dhe assesi të shpallen si pozita për kryerjen e shërbimeve të veçanta. Pavarësisht kësaj, konkursi nuk e ka bazën adekuate ligjore për zhvillimin e procedurës së rekrutimit pasi Rregullorja nr.02/2010 për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil, neni 4, përjashton nga fushëveprimi i saj rekrutimin dhe plotësimin e pozitave në bazë të kontratave për shërbime të veçanta, pasi ato duhet të rregullohen me rregullore të veçantë”, thuhet në komunikatën e Iniciativës për Progres./Insajderi.com