Iniesta: Vështirë që një sulmues të firmosë me Barçën

29.07.2016 15:56
Iniesta: Vështirë që një sulmues të firmosë me Barçën

Andres Iniesta po pret me padurim për fillimin e sezonit të ri futbollistik me Barcelonën, sidomos pas fushatës së dështuar të kombëtares spanjolle në “Euro 2016”.

Mesfushori, i cili vjet përmbylli një nga sezonet më të mira në karrierë, dëshiron që Barcelona të vazhdojë me hegjemoninë e saj në La Liga, pa harruar Champions League-n, kompeticion të cilin ai e quan “prestigjioz për klubin”.

Ish-kampioni i botës dhe Evropës është intervistuar nga “Marca”, ku – mes të tjerash – ka theksuar se sa e vështirë është të transferohesh në “Camp Nou” nëse je sulmues.

“Champions League është më prestigjioz për një klub, por kampionati është më i rëndësishëm. Ne kemi për synim të fitojmë sa më shumë trofe që të mundemi. Gjatë viteve të fundit, kemi fituar shumë tituj të vlerave të ndryshme. Kam 31 trofe mbi supe? Po, por nuk ka rëndësi se sa tituj kam fituar. Ende kam shpresa se mund të përmirësohem si futbollist. Përpara se të nisë sezoni, unë e di se do të kemi ngritjet dhe rëniet tona. Sezonin e kaluar me të vërtet e shijova dhe dua që ta përjetoj njësoj edhe këtë të ardhshmin”, – u shpreh fillimisht 33-vjeçari.
Barcelona tashmë ka një mesfushë të mbipopulluar, me lojtarë si Andre Gomes, Denis Suarez, Rafinha Alcantara, Ivan Rakitic, Sergio Busquets, Arda Turan dhe Sergi Roberto, por kjo nuk e frikëson Iniestën.

Përkundrazi, ai mendon se rivaliteti thjesht përmirëson skuadrën.

“Nuk jam i shqetësuar aspak, sepse konkurrencën e konsideroj si një përfitim për skuadrën. Jam i motivuar të bëj mirë në stërvitje që të fitoj vendin tim në fushë, por kështu do të bëjnë edhe djemtë e tjerë. Nëse secili prej nesh luan në nivelin më të lartë, Barcelona ka më shumë shanse për të arritur objektivat”, – tha spanjolli.

I pyetur për dy blerjet e mesfushës, Gomes dhe Suarez, mesfushori i vlerësoi duke thënë se ata janë “të rinj, të talentuar, të uritur për tituj dhe me synimin për t’u ngjitur sa më lart në karrierë”.

“Marca” e ngacmoi Iniestën duke e pyetur nëse do t’i bashkohej Barcelonës, po të ishte sulmues.

“Kjo situatë ka argumente pro dhe kundër. Mund të duket sfidë e vështirë të fitosh minuta loje duke marrë parasysh çfarë yjesh kemi në sulm, por t’i bashkohesh këtij klubi mbetet gjithmonë joshëse”, – u përgjigj katalanasi, duke iu referuar faktit se treshja “MSN” i frikëson sulmuesit.

“Sulmuesit me perspektivë duhet të jenë të vetëdijshëm se ata mund të shtojnë cilësi të vlefshme në skuadër duke e bërë Barcelonën edhe më të fuqishme”, – përfundoi veterani i Barcelonës. /Telesport.al