“Infrakos” kërkon para për mbijetesë nga Qeveria

Kompania publike “Infrakos”, e cila menaxhon infrastrukturën e Hekurudhave të Kosovës është pranë kolapsit financiar.

“Infrakos” kërkon para për mbijetesë nga Qeveria

Drejtuesit e kësaj kompanie i kanë kërkuar para aksionarit të vet, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në mënyrë që të mos vijë deri të bllokimi i lëvizjes së trenave. Përkeqësimi financiar i “Infrakos”-it, vjen menjëherë pas kaplimit të krizës financiare nëpër të cilën është duke kaluar edhe kompania “Trainkos”, e cila merret me operimet me trena si në transport të mallrave ashtu edhe në atë të udhëtarëve.

Agron Thaçi, kryshef i “Infrakos”-it, ka kërkuar nga ministri i MZHE-së, Blerand Stavileci, që me rishikimin e buxhetit të ndahen edhe mjetet për kompaninë në krye të së cilës është. Ai ka thënë se paratë u takojnë edhe me Ligjin e Hekurudhave, i cili, sipas tij, parasheh subvencionimin e ndërmarrjes. Këtë kërkesë, Thaçi ia ka bërë të martën, ministrit Stavileci i cili për herë të parë ishte në vizitë si aksionar tek Hekurudhat e Kosovës. (Gazeta Zëri)