INFRAKOS fajëson institucionet shtetërore për “kolapsin” hekurudhor

16.08.2017 21:09
INFRAKOS fajëson institucionet shtetërore për “kolapsin” hekurudhor

Bordi i Drejtorëve i Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës “INFRAKOS” sot ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, ku ka shqyrtuar gjendjen e rëndë financiare me të cilën po përballet ndërmarrja që një kohe të gjate si dhe mundësitë e tejkalimit nga kjo situatë.

“Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i INFRAKOS-it në vazhdimësi kanë kërkuar nga Institucionet kompetente shtetërore pagesën e diferencës se qasjes ne rrjet,  të shkaktuar nga reduktimi i tarifave nga Ministria e Infrastrukturës. Pagesa e kësaj diference është e përcaktuar me Ligjin mbi Hekurudhat e Kosovës, ku ne vit kap vlerën rreth 1. 8 milion Euro”, thuhet në një komunikatë të Infrakos-it.

Por, sipas tyre, , edhe përkundër kërkesave te njëpasnjëshme “njëpasnjëshme Infrakos nuk ka marrë asnjëherë pagesën e duhur të paraparë me ligj”

“Ndërsa, po te kryhej obligimi ligjor kompania do te funksiononte pa asnjë problem dhe do te kishte likuiditet financiar. Për hir të informimit të drejte të opinionit publik, duam të theksojmë se kudo në vendet tjera (rajon, Evropë dhe me gjerë) Infrastruktura e Hekurudhave mbështetet dhe subvencionohet nga vet shteti, meqë nuk është fushë profitabile, ndërsa është infrastrukturë strategjike që mundëson zhvillim ekonomik”.

Këtë gjendje të vështirë financiare, sipas INFRAKOS-it e ka rënduar edhe me tepër ndërprerja e para pak ditësh  e trenave të udhëtareve nga kompania e vetme në transportin e udhëtarëve –Trainkos.

“Infrakos tashmë nuk i realizon edhe ato pak mjete të cilat janë inkasuar deri me tani nga operatori hekurudhor Trainkos. Me këtë përfundimisht rrezikon të vie  deri tek  ndërprerja e operimit edhe për të gjitha linjat tjera të udhëtarëve dhe të mallrave, për shkak të pa mundësisë së ofrimit te sigurisë në komunikacion hekurudhor.”

“Bordi i Drejtorëve po ashtu shpreh shqetësimin pasi që kjo situatë mund të shkaktoj rrezikimin  dhe ngecjen në implementimin e projekteve zhvillimore strategjike të cilat po mbështeten nga BERZH, BEI, Komisioni  Evropian dhe Qeveria e Kosovës për rehabilitimin e Linjës së 10-të  Hekurudhore dhe linjave të tjera”, thuhet tutje në komunikatë.

Bazuar në këto qe u theksuan me lart, INFRAKOS kërkon nga Institucionet Kompetente shtetërore, nga Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Qeveria e Kosovës, që të ndërmarrin veprime urgjente në mbulimin e obligimeve ligjore te përcaktuara me Ligjin mbi Hekurudhat, respektivisht të bëj pagesën e diferencës së qasjes në rrjet hekurudhor për vitin 2017, në mënyrë që të mundësoj funksionimin e ndërmarrjes, thuhet në komunikatë.