Imeri: ATK ka shtrirje në veri

Imeri: ATK ka shtrirje në veri

Sakip Imeri, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, ka thënë se ky institucion ka shtrirje edhe në veri të vendit.

Imeri ka folur për 18-vjetët e funksionimit të ATK-së si dhe për shtrirjen e saj në gjitha vendet e Kosovës.

Sa i përket veriut, ai ka thënë se ATK ka një zyrë rajonale në Mitrovicë dhe se edhe komuniteti serb në veri paguan tatimet.

“Shtrihemi edhe në veri. Kemi zyrën rajonale. Funksionon dhe e paguajnë tatimin. Në Mitrovicë nga numri i përgjithshëm i tatimpaguesve, 14 për qind janë nga komuniteti serb. Në të njëjtën mënyrë kontribuojnë”, ka thënë ai.

Imeri ka folur edhe për informalitetin duke thënë se përqindja prej 31.7, siç doli nga studimi i vitit të shkuar, paraqet shqetësim të madh për ATK-në. Ai ka shtuar se i kanë vënë vetes prioritet luftën ndaj informalitetit, shkruan koha.net

Kreu i ATK-së ka paralajmëruar edhe një aplikacion që mund të shfrytëzohet nga përdoruesit e pajisjeve të mençura, e në të cilën punëtorët mund të shohin a janë të punësuar formalisht në vendin ku punojnë.

Ai ka mohuar lidhjen e punëtorëve të tij me Lidhjen Demokratike të Kosovës duke thënë se në ATK “bëhen përzgjedhje profesionale”.

Sa i përket projektit për mbledhjen e kuponëve fiskalë nga qytetarët dhe shpërblimet ndaj tyre, Imeri ka treguar se për dy vjet 30 milionë euro ishin kthyer në xhepat e qytetarëve.