Imanuel Kant dhe Edi Rama me Robert Çamçakizin

Insajderi

Insajderi Ana Mborja

28.09.2016 17:10
Imanuel Kant dhe Edi Rama me Robert Çamçakizin

Në një bisedë me Ilva Taren, në tetor 2013, duke komentuar takimin e tij me Presidentin Erdogan në Prizren të Kosovës—për të cilin disa komentatorë politikë e akuzuan për zell të tepruar oriental—pasi i quajti kritikët e tij idiotë, Kryeministri Rama u shpreh(shih nga minuta 5:27):

Por Kanti thotë një gjë shumë të bukur: kur e akuzon tjetrin për diçka pa fakte, në fakt e akuzon për atë që ti vetë do bëje në vendin e tij.

Që Kanti—një nga filozofët më të thellë të historisë, i shquar për trajtimin e koncepteve të vështira abstrakte me një gjuhë të ndërlikuar e pak të kuptueshme për njerëzit e zakonshëm—të jetë shprehur në mënyrë kaq mediokre na u duk e dyshimtë.

Sikurse na u duk pak e mundur që Kanti të ketë folur në këtë mënyrë për faktet, duke qenë se ai mendonte se

në një kuptim, nuk ka fakte në natyrë ose më mirë ka një pafundësi faktesh potenciale në natyrë, nga të cilat gjykimi zgjedh disa, të cilat bëhen vërtet fakte nga vetë akti i përzgjedhjes.

Dyshimin tonë e përforcoi dija se Kryeministri Rama e ka arritur formimin e tij intelektual, kryesisht, përmes filmave e këngëve, larg studimeve të thelluara apo leximit të veprave “të rënda” të llojit të Kritikës së Arsyes së Kulluar, Metafizikës së Moralit apo Kritikës së Gjykimit të Imanuel Kantit.

Gjithsesi, menduam se në epokën e Google-it, të gjithë mund ta shijojnë kënaqësinë intelektuale të citateve që gjenden lehtë duke kërkuar në Rrjet. Ndaj menduam se ndoshta Kryeministri mund të kishte perifrazuar me fjalët e tij ndonjë thënie të Kantit.

Por, pas shumë kërkimesh dhe konsultimesh arritëm në përfundimin se Kanti nuk ka thënë as fjalët që recitoi Kryeministri Rama dhe as ndonjë gjë të ngjashme. Kryeministri e ka sajuar thënien “kantiane” kryekëput nga hiçi.

Në tetor 2015, në një takim me rastin e 12 vjetorit të lumturimit të Nënë Terezës, Kryeministri Rama mbajti një fjalim në të cilin ndër të tjera u shpreh:

Nënë Tereza thoshte që një zemër e ndarë është varrmihëse e paqes.

Veçse Shën Tereza nuk i ka thënë kurrë këto fjalë. Ajo ishte e bindur se shkatërrues i paqes është aborti, një qëndrim i pandryshuar i saj për të cilin u kritikua dhe përçmua jo pak. Në fjalimin e marrjes së Çmimit Nobel të Paqes Shën Tereza tronditi sallën dhe një pjesë të mirë të botës teksa deklaroi:

Ka shumë gjëra që e shkatërrojnë paqen, por unë mendoj se shkatërruesi më i madh i paqes sot është aborti.

Po njësoj kritike Shën Tereza ishte me divorcin. Në një letër drejtuar popullit të Irlandës në vitin 1994, përpara referendumit mbi divorcin, ajo u shpreh:

Divorci është një nga vrasësit më të mëdhenj të familjes, dashurisë dhe unitetit.

“Citimi” që Kryeministri i bën Shën Terezës përveçse tonit bisedor që ka—gati-gati sikur ato fjalë Shenjtorja ja kishte thënë nga afër vetë Kryeministrit—të bën përshtypje për përdorimin e metaforës, kryesisht, marksiste “varrmihës”.

Termi “varrmihës” u përdor fillimisht në Manifestin Komunist dhe në shkrime të tjera të Marksit duke hyrë në terminologjinë komuniste, për t’u përdorur më vonë nga shumë drejtues komunistë në botë, nga Lenini e Stalini tek Enver Hoxha. Metafora përdoret shumë rrallë në kontekste të tjera dhe nuk duket të jetë përdorur ndonjëherë nga Shën Tereza.

Fjalimi i mësipërm ka dhe një tjetër citim të çuditshëm—Kryeministri sjell një thënie nga filmi italian La Grande Belleza, të cilën skenaristi ja ka vënë në gojë një murgeshe që ngjan në pamje me ato të urdhërit të Shën Terezës. Por Zoti Rama e konsideron këtë thënie filmi sikur të jetë thënë vërtetë nga Shën Tereza dhe mbi këtë bazë pastaj “filozofon” për filozofinë e saj në fjalimin e tij.

(Në fakt, Zoti Rama shquhet për mjeshtëri në shprehjen e vizionit e ideve dhe të shpjegimit të botës përmes batutave të filmave, ndër të cilat më të famshme janë ato me Robert Çamçakizin apo Pjetër Mustakuqin.)

Para pak ditësh, Kryeministri Rama sajoi një tjetër citim nga hiçi për ta përdorur për të sulmuar “armikun”, kundërshtarin e tij politik. Duke folur para policëve, në mënyrë të menduar Kryeministri u shpreh:

Milan Kundera, një shkrimtar i madh dhe një disident i njohur çek, shkruan: ‘Armiku më i madh i policisë nuk është krimi, por vetmia. Vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes, nga shtypja apo nga mungesa e vëmendjes për të dëgjuar.

Kundera nuk i ka thënë këto fjalë, sikurse ne jemi shprehur këtu dhe sikurse e sqaron gjatë Ardian Vehbiu në një artikull të këndshëm në Peizazhe të Fjalës.

Në të vërtetë Milan Kundera ka thënë diçka tjetër:

Nuk janë armiqtë ata që të dënojnë me vetmi, janë miqtë e tu.

Citimet e gabuara, sajesat dhe trillimet intelektuale të Kryeministrit Rama janë të shumta. Pse i bën ato? Unë e kam vështirë të them por mendoj që boshllëku i tij intelektual, mania e sëmurë për t’u dukur dhe lehtësia për të gënjyer, në mos janë shkaqet, janë patjetër lehtësi e madhe për këtë lloj sjellje.

Mbi të gjitha kjo lloj sjelljeje, është një përdorim i paskrupullt i emrave të mëdhenj për qëllime të vogla. Për ta ilustruar këtë po sjell edhe një rast të fundit.

Më 28 dhjetor 2015 në ndarjen vjetore të çmimeve “Bleta e Artë” — një aktivitet krejtësisht qesharake që përgjithësisht shpërblen korrupsionin, evazionin, grabitjen—në një fjalim akoma më komik se vetë aktiviteti, Kryeministri Rama u shpreh se:

Në epitafin mbi varrin e arkitektit Christopher Wren, i cili dizenjoi një ndër katedralet më të njohura sot në botë, shkruhet: “Në qoftë se jeni në kërkim të një monumenti shikoni rreth jush.”

Citimi i plotë dhe i saktë në epitafin e Christopher Wren (1632-1723), një prej arkitektëve më të mëdhenj të botës—varrosur brenda katedrales së famshme të Shën Palit në Londër, një kryevepër botërore e projektuar prej tij—thuhet fjalë për fjalë:

Këtu në themelet e saj prehet arkitekti i kësaj kishe dhe i qytetit, Christopher Wren, i cili jetoi përtej të nëntëdhjetave, jo për fitimin e tij, por për të mirën publike. Lexues, nëse kërkon monumentin e tij, shiko përqark teje.

Kuptimi i citatit, shkruar nga i biri, është i thjeshtë dhe direkt—monument i Wren është vetë katedralja që ai projektoi dhe ku u varros, ndaj lexuesve të epitafit u kërkohet të shohin katedralen, vepra monument e Wrenit.

Por këtë citim, Kryeministri Rama e zhvesh nga fjalia e parë, i heq përemrin “e tij”, e kthen në shumës dhe i jep kështu një kuptim metaforik dhe filozofik. Pastaj e përdor këtë si bazë për t’u thurur lavde biznesmenëve dhe burokratëve që ka në sallë—fjalia pasuese e citatit në fjalimin e Kryeministrit është: “Monumentet e këtyre 25 viteve në Shqipëri i ka ngritur sipërmarrja.”

Në të vërtetë sipërmarrja shqiptare nuk ka ngritur asnjë monument këto 25 vjet, madje nuk ka arritur asnjë fabrikë për të prodhuar ndonjë gjë. Sipërmarrësit e monumenteve të Kryeministrit janë përgjithësisht tregtarë dhe biznesmenë suksesi i të cilëve qëndron në aftësinë për t’ua hedhur doganave e tatimeve apo për të vjelë kontrata e koncesione shtetërore.

Të lidhësh, sado tërthorazi, Sir Christopher Wren—themeluesin e Akademisë Angleze dhe një nga personat e respektuar edhe nga Njutoni, i cili kontribuoi si pak kush për të mirën publike—me biznesmenët, më së shumti injorantë dhe grabitqarë me të cilët rri e përfiton Kryeministri është… një gjë që vetëm kryeministri ynë mund ta bëjë.

Kanti pohonte se njeriu nuk mund të ketë njohje të vetvetes ashtu si është, por vetëm ashtu si ai i duket vetes që është. Është e qartë që Edi Rama i duket Edi Ramës njeri i madh dhe intelektual i thellë./Exit.al