Imami thërret për vrasjen e çifutëve në një xhami në Kanada

Imami thërret për vrasjen e çifutëve në një xhami në Kanada

Një xhami në Montreal të Kanadasë po përballet me ankesa në polici dhe qortim nga komuniteti i myslimanëve në Kanada, pasi një video e një imami ku kërkonte vrasjen e çifutëve është publikuar në internet.

Predikimi u mbajt në Xhaminë Dar Al-Arqam në lagjen Saint-Michel të qytetit Montreal më 23 dhjetor të vitit 2016.

Videoja është postuar në faqen e internetit Youtube tre ditë më vonë. Ndërkaq, imami në video është kleriku nga Jordania, Sheikh Muhammad bin Musa Al Nasr – dhe ishte i ftuar si mysafir nga xhamia, shkruan mediumi kanadez CBCneës.

Në video imami reciton në arabisht: “O mysliman, o shërbëtor i Allahut, o mysliman, o shërbëtor i Allahut, është një çifut pas meje, eja dhe vrite.”

CBC ka verifikuar fjalimin e tij dhe përkthimin gjithashtu, njofton Insajderi. Xhamia në fjalë nuk ka komentuar asgjë lidhur me këtë.

Organizata e çifutëve në Kanada ka paraqitur një kërkesë me policinë e Montrealit këtë të hënë. Organizata në fjalë ka thënë që kjo është e papranueshme dhe që xhamia nuk duhet ta lejojë këtë.

“Kjo po nxit dhunë, dhe po nxit radikalizim,” tha Harvey Levine, drejtor regjional i organizatës së çifutëve.“Kjo është kundër ligjit dhe duhet të ndalohet,” tha ai.

Ndërsa për këtë ka reaguar edhe këshilli i myslimanëve të Montrealit, duke thënë që xhamia duhet të kërkojë falje.

“Nuk e di se si ky person është ftuar për të ardhur dhe dhënë ligjëratë duke shpërndarë këtë urrejtje në Montreal mes komuniteteve,” ka thënë Ziad Asali nga bashkësia e projekteve bamirëse islame. /Insajderi.com