Ilir Deda ka tri pyetje për Bulliqin rreth demarkacionit

13.11.2017 11:19
Ilir Deda ka tri pyetje për Bulliqin rreth demarkacionit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës si dhe anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Ilir Deda, ia ka parashtruar tri pyetje kryesuesit të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqit.

Deda e ka pyetur Bulliqin se a ekzistojnë dokumente të cilat flasin mbi administrimin efektiv të Kosovës, A e ka konsultuar Komisioni vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit për Slloveninë e Kroacinë, si dhe në fund Deda i ka kërkuar Bulliqit të tregojë se kur do të dalë raporti përfundimtar rreth të gjeturave për çështjen e demarkacionit.

“Ju kisha sugjeruar që procesverbalet e komisionit të kaluar t’i publikoni. Sot keni mund këtë prezantimin që e bëtë para mediave të na jepni neve me shkrim. Edhe këtë ju kisha sugjerua ta bëni publike.  A ekzistojnë dokumente të cilat e tregojnë administrimin evektiv të shtetit tonë për territorin që është në Bjellu. A i keni konsultuar vendimin  gjykatës të Arbitrazhit për Slloveninë dhe Kroacinë. Vetëm të na i dëshmoni gabimet e komisionit të kaluar dhe mandej patatën e nxehtë t’ia leni 120 deputetëve”, ka deklaruar Deda.

Tutje ai ka thënë se Kuvendi i Kosovë nuk do të mund ta presë muajin janar apo shkurt të vitit të kaluar për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

“Sa më shpejtë të dilni me raport. Ne nuk kemi kohë. Nuk mund ta presim janarin apo shkurtin për raportin”, ka thënë Deda.