IKSHP: Rritet numri i pickimeve nga rriqrat

IKSHP: Rritet numri i pickimeve nga rriqrat

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një kumtese për opinion ka treguar situatën epidemiologjike për katër muaj e gjysmë të këtij viti dhe ka konstatuar se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar, numri i pickimeve nga rriqrat sivjet është më i lartë se një vit më parë.

IKSHP në vazhdim ka treguar edhe numrin e pickimeve sipas komunave si dhe ka dhënë rekomandimet si të evitohen pickimet.

IKSHP ka konstatuar edhe rastin e parë të pickimit të rriqrave në komunën e Gjilanit.

Kjo është kumtesa e IKSHP-së:

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike dhe grumbullimit të rasteve për periudhën 01 shkurt 2018-16 Maj 2018, ka raportuar gjithsej 873 raste të pickimeve nga rriqërat në Kosovë. Numri më i madh i pickimeve është nga komuna e Malishevës 251 raste, Suhareka 197 raste, Klina 140 raste, Rahoveci 46 raste dhe komunat e tjera me numër më të vogël të rasteve.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është raportuat numër pak më i lartë i rasteve të pickuara.

Sot më 16 Maj 2018 në Laboratorët e Institutit Kombëtar është diagnostikuar rasti i parë pozitiv në Ethe Hemorragjike Krime Kongo në fshatin Bresalc, komuna e Gjilanit.

Në Departamenti i Mikrobiologjisë janë testuar gjithsej 8 mostra (nga personat e dyshimtë në Ethe Hemorragjike Krime Kongo) të cilat kanë rezultuar negative.

Në Klinikën Infektive është i hospitalizuar një rast i dyshimtë i cili ka gjendje stabile shëndetësore dhe është në kujdes të veçantë nga ekspertët e Klinikës Infektive të SHKSUK.

Situata epidemiologjike me EHKK është në kontroll të plotë dhe në mbikëqyrje permanente nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i cili zbaton strategjinë për parandalimin dhe luftimin e EHKK të Këshillit Ndërministror për luftimin e EHKK.

Epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës vazhdojnë të përcjellin me vëmendje ecurinë epidemiologjike në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike me Ethet Hemorragjike Krime-Kongo në të gjitha vatrat e infeksionit dhe bashkë me mjekët dhe punëtorët shëndetësor të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Rahovec, Klinë, Suharekë, Gjakovë po mbikëqyrin dhe hulumtojnë të gjitha vatrat, përfshirë këtu edhe vatrat endemike të komunave fqinje: Lipjan, Drenas, Skenderaj, Prizren, Dragash. Pas paraqitjes së rastit të parë në fshatin Bresalc të Gjilanit, ekipet e Institutit Rajonal në Gjilan tashmë kanë vizituar familjen e të sëmurit dhe po vëzhgojnë me përkushtim terrenin dhe situatën epidemiologjike.

Duke pasur parasysh se që nga viti 2013 nuk është shënuar asnjë rast fatal me EHKK pasi që kemi realizuar me sukses masat profilaktike dhe kundërepidemike, ne duhet të vazhdojmë realizimin e aktiviteteve në terren sepse kemi të bëjmë me një sëmundje endemike, vdekjeprurëse dhe praninë e rriqrave në vatrat endemike të cilat bartin virusin e EHKK.

Edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, qytetarëve u bëhet apel që edhe më tutje të vazhdojnë të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat endemike pasi që tashmë temperaturat kanë filluar të ngrihen dhe rriqrat kanë filluar të dalin në sipërfaqe të tokës.

Laboratorët e Institutit Kombëtar janë të përgatitura dhe të gatshme për diagnostikimin e të gjitha rasteve të dyshimta në EHKK.

Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët për sivjet:

  1. Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,
  2. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,
  3. Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),
  4. Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,
  5. Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,
  6. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt dhe mos i shtypni me dorë!
  7. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),
  8. Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,
  9. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë,

Instituti Kombëtar bënë thirje te qytetarët se duhet të punojnë në faktorët e përmirësimit të ekosistemit që nënkupton:

  1. Të punohen të gjitha tokat e punueshme,
  2. Të kositen të gjitha livadhet me kohë dhe nga disa herë,
  3. Të pastrohen kopshtet dhe pronat për rreth shtëpive,
  4. Të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve,
  5. Të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë ku kurrsesi nuk guxohet të lihen këmbët e zbathura
  6. Fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pakositura dhe në mbrëmje të kontrollohet prania e rriqrave në tërë trupin.