IKD kërkon të ftohen ekspertë të huaj për zbardhjen e vdekjes së Deharit

IKD kërkon të ftohen ekspertë të huaj për zbardhjen e vdekjes së Deharit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar rreth papërgjegjësisë institucionale në trajtimin e rastit të vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit, derisa ka bërë thirrje për hetim të pavarur, profesional dhe të drejtë.

Përmes një komunikate për medie, IKD ka lënë përgjegjës institucionet e shtetit të Kosovës për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën e kaluar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Papërgjegjësia dhe koordinimi jo profesional në mes të  institucioneve në një rast të tillë të ndjeshëm,  ka dhe është duke kontribuar në krijimin e situatave absolutisht të papranueshme që do të siguronin opinion publik për  të zhvilluar një proces të pavarur, paanshëm dhe të drejtë”, thuhet në kumtesën e IKD-së.

IKD ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të ftojnë edhe ekspertë të huaj, me qëllim kontribuimin në zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit.

“Instituti kërkon të ftohen edhe agjencione të specializuara dhe ekspertë të pavarur të huaj, të cilët do të kontribuonin në zbardhjen e të vërtetës rreth kësaj vdekje të dyshimtë”, thuhet në njoftimin e IKD-së.

Ata po ashtu kanë kërkuar të mbahen përgjegjës penalisht zyrtarët që kanë nxjerrë informacione konfidenciale lidhur me rastin e vdekjës së Deharit.

Instituti në fjalë ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë, të bëjë hapa urgjent në drejtim të suspendimit të përgjegjësve të Shërbimit Korrektues të Kosovës në të gjithë hallkat e tij që kanë përgjegjësi për sigurinë, përfshi nivelin lokal dhe qendror.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të zhvillojnë hetime të pavarura në rastin e Deharit, dhe kanë kërkuar që rasti të trajtohet me urgjencë.