Idrizi: Kjo është pika ime e fortë, do të triumfojë në Mitrovicë

25.08.2017 15:52
Idrizi: Kjo është pika ime e fortë, do të triumfojë në Mitrovicë

Partia Demokratike e Kosovës, ka vendosur që Valdete Idrizi të jetë kandidate për kryetare të Komunës së Mitrovicës në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Lajmi.net ka kontaktuar me Idrizin për të folur rreth programit që do e prezantojë gjatë fushatës. Kandidatja për kryetare të Mitrovicës, është shprehur e bindur se do të fitojë besimin e mitrovicasve dhe do të dali fituese në zgjedhje.

“Besoj që qytetarët e Mitrovicës do të më besojnë qeverisen, arsyeja kryesore është se çdokush më ka asociuar me Mitrovicën, sepse çdo fjalë e dytë e imja ka qenë Mitrovica dhe jam e mishëruar më të gjitha problemet e qytetit tim”, është shprehur ajo.

Idrizi ka thënë se ka qenë çdoherë zë kritik i qeverisjeve të kaluara, andaj thotë se është koha që ato probleme të zgjidhe.

“Në anën tjetër, me të gjitha kapacitetet e mija në mënyrë të vazhdueshme kam qenë zë kritik, zë i qytetarëve që i kam ngrit problemet pa marr parasysh cila qeverisje ka qenë në Mitrovicë”, tha ajo.

E pyetur se a mendon se do ta mposht kandidatin e AKR-së, Agim Bahtirin, ajo tha “Gjithsesi do të fitoj”, por tha, se “nuk dua të flas me emra të përveçëm sepse është dëshmu qeverisja e kaluar edhe ajo që është bërë. Unë jam shumë e sigurt me vizionin tim për qytetin.”

Idrizi tha se nuk do të paraqes projekte megalomane dhe të parealizueshme, por thotë se do të ketë projekte konkrete.

“Disa e dinë se çka kam bërë për qytetin e Mitrovicës andaj besoj se edhe kur të paraqes projektet konkrete, jo megalomane ata që kanë pasur dilema do të besojnë. Mitrovica do ta ketë një grua kryetare”, potencoi ajo.

Pika më e fortë e programit të saj qeverisës do të jenë të rinjtë, pasi tha, se edhe kur ka punuar në organizata të ndryshme kishte pasur projekte të dobishme për të rinjtë.

“Programi qeverisës ka disa pika të forta, unë çdoherë pikë të dobët i kam pas të rinjtë, pasi edhe aktivitetet e mija të mëparshme, projektet më të mëdha kanë shkuar për të rinjtë edhe partneritetet që kam sjell dhe e kanë gjeneruar vende të punës”, u shpreh në fund Idrizi.