Idrizi: Kam pritur që do të ketë më shumë gra për kryetare të komunave

Idrizi: Kam pritur që do të ketë më shumë gra për kryetare të komunave

Kandidatja e PDK-së në garën për kryetar të Mitrovicës së jugut, Valdete Idrizi, në një intervistë në KTV, ka premtuar se në rast se fiton postin e të parës së komunës, do të publikojë listën e të dhënave publike dhe listën e objekteve të uzurpuara në këtë qytet.

Duke folur për kandidaturën e saj, Idrizi ka thënë se projektet që do t’i ofrojë do të jenë lehtë të realizueshme dhe nuk do të shpërfillen sikur qeverisjet e kaluara të Mitrovicës.

“Do të filloj me publikimin e të dhënave publike, cilat janë të uzurpuara, cilat janë në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Idrizi.

“Projektet që i kam ofruar dhe që do t’i ofroj në vazhdim do të jenë përtokë dhe jo në ajër, ashtu siç është premtuar më parë”, ka shtuar ajo.

Idrizi, njëra prej të paktave gra që garojnë për kryetare të komunave në Kosovë, ka thënë se ka pritur që në garë të ketë më shumë gra, pasi sipas saj, shumë prej tyre janë të gatshme që të marrin përgjegjësi për të kryer punë të mëdha.

“Kam pritur që do të ketë më shumë gra për kryetare të komunave sepse ka gra të zonja dhe jam e bindur se nuk i ikin përgjegjësive dhe do të kishin kërkuar përgjegjësi. Jam e lumtur që PDK-ja ka kandiduar tri gra. Prej ditës së parë të kandidimit nuk kam menduar që të sfidoj si grua. E kam ndier si obligim qytetar që të garoj”, ka theksuar Idrizi.

E pyetur nëse do ta ketë të vështirë punën pasi Mitrovica është e ndarë në dy komuna, Idrizi ka thënë se përmes projekteve do të ndihmojë në bashkëpunim me komunën e veriut.

“Jo nuk mendoj se ndarja krijon vështirësi, me një bashkëpunim të mirë me komunën tjetër, do të kenë potencial. Mundësitë e zhvillimit janë. Kemi pasur disa shkëmbime. Edhe më herët ka pasur bashkëpunime me të cilat ka përfituar edhe veriu”, ka thënë veç të tjerash Idrizi.