Ideologjia e Mladiqit ende jeton në Republikën Serbe

Ideologjia e Mladiqit ende jeton në Republikën Serbe

Në mëngjesin e hershëm të dhjetë korrikut të 1992-s, ushtria çetnike e serbëve të Bosnjës detyroi banorët të largoheshin prej shtëpive të tyre në fshatin Biljani në perëndim të Bosnjës. Burrat i ndanë nga gratë.

Çetnikët ua futën shtëpive flakën, burrat i vranë, ndërsa trupat i hodhën në një minierë. Pastaj u thanë të mbijetuarve se mund të ktheheshin nëpër shtëpi.

Kur gratë dhe fëmijët u kthyen nëpër shtëpi, panë me sytë e tyre se gjithçka ishte rrafshuar. Gjithçka ishte djegur. Askund nuk shiheshin burrat dhe baballarët.

“Hi syve”

Amina Silvjo Beçiq ishte vetëm katërditëshe në ditën kur ia vranë gjyshin dhe dhjetë anëtarë të familjes në Biljani. “Kur e dënuan 74-vjeçarin Mladiq me burgim të përjetshëm, e pyeta veten: ‘E çka tash?’” – kujton Beçiq. “Kurrgjë nuk mund të ma ringjallë gjyshin, që ishte gëzuar fort pas lindjes së mbesës së parë, që isha unë, por unë kurrë nuk e pata mundësinë ta njihja. Asgjë nuk mund të ringjallë baballarët e shoqeve të mia”, thekson 25-vjeçarja.