Identifikohet i dyshuari i shpërthimit në New York

19.09.2016 14:20

Një shtetas amerikan me origjinë nga Afganistani është i dyshuari i kërkuar nga autoritetet e Nju Jorkut lidhur me shpërthimin që plagosi këtë fundjavë 29 persona.

Identifikohet i dyshuari i shpërthimit në New York

“NYPD” bëri publike edhe foton e 28-vjeçarit të identifikuar si Ahmad Khan Rahami. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse episodet tronditëse kanë lidhje mes tyre, e ndoshta edhe me atentatin e Minnesotës të marrë përsipër nga ISIS-i.

“Druhemi se bëhet fjalë për një celulë aktive”, ishin komentet e zyrtarëve të sigurisë për mediet vendase. Orët e fundit, forcat e policisë gjetën në Nju Xhersi edhe një tjetër pako të dyshimtë me disa mekanizma të lidhura mes tyre me fije.

Nuk dihet ende me siguri, nëse bëhet fjalë për mjete shpërthyese të tipit “Pipe bomb”, si ato të çantës së mbushur me 5 bomba, që u diktua pranë binarëve të stacionit të trenit në “Elizabeth”. Dy persona e kishin parë çantën, nga ku dilnin disa tuba të hollë e fije, dhe kishin lajmëruar policinë.

Përmes një roboti u përpoq të shihej brendia e çantës, por në momentin që është tentuar hapja e saj pati një shpërthim.

“Nuk ishte shpërthim i kontrolluar, nuk pati asgjë të tillë. Një nga mjetet shpërtheu kur roboti u përpoq ta çaktivizonte”, tha Chris Bollwage, kryetar bashkie i Nju Xhersit.

Nga incidenti nuk pati asnjë të plagosur, por frika mbetet e madhe. Si bomba që shpërtheu në lagjen “Chelsea” të Manhattanit, ashtu dhe ajo e gjetur disa blloqe më tej, përbëheshin nga tenxhere presioni të mbushura me eksploziv dhe copëza metalike, të ngjashme me bombat e përdorura gjatë sulmit të vitit 2013 gjatë Maratonës së Bostonit.

Masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm në Nju Jork, ku priten të mbërrijnë një sërë udhëheqësish botërorë për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. /Insajderi.com