Ideja e shkëmbimit të territoreve është shkatërruese për Kosovën

Ideja e shkëmbimit të territoreve është shkatërruese për Kosovën

Disa media në Kosovë ditët e fundit plasuan lajmin, që, sipas burimeve të tyre, pas syve të publikut kosovar janë duke u bërë biseda për ndarjen e Kosovës. Për të qenë shqetësimi edhe më i madh, thuhet që në këto bisedime të jetë përfshirë edhe Presidenti i Kosovës z.Hashim Thaçi.

Lajmin e bënë më shqetësues dhe më bindës një deklarim i Presidencës së Kosovës se ”në këtë faze, ideja e shkëmbimit të territoreve është spekulim”, që i bie se në fazat e mëvonshme ky mund të jetë një opsion real dhe i pranueshëm.

Ky skenar ogurzi për Kosovën dhe popullin e saj tentohet të mbështillet me petkun e këmbimit të territoreve, që pas vetes gjoja kanë idenë e shteteve etnike në territore kompakte. Se kjo ide është e kobshme dhe katastrofale për Kosovën, është thënë dhe analizuar shumë hërë dhe nuk është nevoja ta them edhe unë.

Se kjo ide tipike serbomadhe nuk është e re, poashtu është thënë shumë herë. Madje në fillimvitet ’90 për të kishin biseduar fshehurazi, jashtë Kosovës, të vetquajturit baballarët e kombit shqiptar dhe atij serb. Por, duke ditur pasojat që sjell një projekt i tillë serbomadh për Kosovën, refuzimi dhe denoncimi i një projekti të tillë u bë i menjëhershëm dhe i vendosur nga kreu politik i Kosovës dhe Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Që rreziku të bëhet edhe më i madh thuhet se në këtë projekt të jenë përfshirë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti. Dhe kjo bëhet duke tentuar që një ideje të tillë ti jepet vula gjithkombëtare.

Se udhëheqësit e Shqipërisë mbajnë qëndrim paternalist ndaj Kosovës dhe nuk e ndjejnë fare këtë problem, kjo është vërtetuar shumë herë. Se Beogradi ka tentuar që Kosovës ti qaset përmes Tiranës, duke anashkaluar Prishtinën, edhe kjo është e njohur. Por që këtë valle ta heq kreu i shtetit të Kosovës, kjo është e pabesueshme.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ky veprim i tij paraqet aktin më të lartë të tradhëtisë ndaj vendit. Duke qenë se Presidenti i Kosovës është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, unë ju bëjë apel deputetëve të Kuvendit të Kosovës që menjëherë të kërkojnë sqarime zyrtare nga Presidenti i Kosovës për gjithë këtë shqetësim të shkaktuar në opinion.

E nëse kjo del të jetë e vërtetë, duhet nisur mënjëherë procedurat për shkarkimin dhe përgjegjësinë e tij politike dhe penale.