Ibrahimovic rrëfen për vuajtjet e tij

Ibrahimovic rrëfen për vuajtjet e tij

I intervistuar nga “Sky Sport”, për specialen “Zotërinjtë e futbollit” Zlatan Ibrahimovic ka përshkruar karrierën e tij të gjatë, duke u ndalur në fillesat e tij, aq shumë të vështira, mes sakrificave dhe vështirësive ekonomike, si djali i emigrantëve. “Jam rritur me babain tim.

Ai punonte shumë për të na mundësuar jetesën. Frigoriferi ynë nuk ishte asnjëherë plot, nuk kishim shumë për të ngrënë. Për shembull, kur shkonim në turne për të luajtur me të rinjtë në Gjermani bashkë me skuadrën e të rinjve, duhej t’i kërkoja 3000 korona babait tim. Atëherë ai çfarë bënte? Më jepte mua atë shumë parash dhe nga ana tjetër nuk paguante qiranë e shtëpisë për një muaj, vetëm që të më dërgonte mua të luaja në këto turne, sepse ai bënte gjithçka që mundej dhe më jepte mua të gjitha alternativat që ekzistonin”, rrëfen Ibra.

Vitet e para të vështira te Malmoe: “Kur mbërrita te Malmoe nuk u pranova nga shokët dhe ambient përreth, sepse kisha një emër të huaj. Më pas skuadra ra nga kategoria dhe shumë futbollistë u larguan. Ndaj, klubi ishte i detyruar të përdorte të rinjtë, që ishin të fortë, pasi kishin fituar gjithçka në kampionatin suedez të të rinjve. Unë nuk isha titullar, aktivizohesha nga pankina, por akoma nuk isha pranuar dhe mirëpritur, shkruan telesport.

Më pas erdhi një trajner, Roland Anderson, që pa një ndeshjen time te U-20 dhe drejtuesit e klubit më thanë: ‘Nesër, trajneri i ekipit të parë dëshiron të të shohë’. Mendova mos kisha bërë ndonjë gabim të rëndë. Përkundrazi, Anderson më tha: ‘Boll më luajte me të rinjtë, tani duhet të përballesh me të rriturit’. Më në fund kisha gjetur një person që besonte te unë. Kështu që përfitova nga rasti, e shfrytëzova shansin dhe arrita të dominoj totalisht”, përfundon kujtimi i Ibrahimovic për rininë e tij të vështirë.