Hyseni: Isa Mustafa kandidat i LDK-së për kryeministër

Hyseni: Isa Mustafa kandidat i LDK-së për kryeministër

Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, thotë se zërat që Isa Mustafa nuk do të jetë kandidat i Lidhjes Demokratike e Kosovës për Kryeminstër, janë vetëm spekulime.

Ai pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës  deklaroi se partia e tyre është duke u bërë gati  për zgjedhjet.

“LDK është duke i bërë të gjitha përgatitjet për këto zgjedhje”, ka thënë Hyseni.

Ndërkaq i pyetur për koalicione në zgjedhjet e ardhshme, Hyseni tha se kjo parti përjashtohet ndaj çdo koalicioni, shkruan Gazeta Express.

“PDK është kundërshtari kryesor, dhe rrjedhimisht përjashtohet çfarëdo koalicioni me PDK-në”, ka thënë.

Këto deklarata Hyseni i bëri pas mbledhjes së Kryesisë, ndërkaq kryetari i këtij subjekti, Isa Musafa, do t’i takojë kryetarët e degëve të partisë.

Temë e diskutimit në mbledhjen e sotme ishin përgatitjet dhe mobilizimi i LDK-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme, që u shpallen dje nga presidenti Hashim Thaçi.

Ndërkohë sot, presidenti Thaçi, u bojkotua nga LDK-ja në takimin me përfaqësuesit e partive politike, ku u vendos që 11 qershori të jetë data e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Bojkoti në fjalë erdhi si veprimi i parë i LDK-së e cila ka njoftuar se pasi PDK-ja ka mbështetur mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë “Mustafa”, nuk e njeh më Hashim Thaçin president, i cili ishte zgjedhur vitin që shkoi në bazë të marrëveshjes së LDK-së për bashkëqeverisje me PDK-në e cila ishte dalë partia e parë në zgjedhjet e 2014-s.