Hysaj rrezikon sfidat ndaj Juventusit

29.03.2017 08:37
Hysaj rrezikon sfidat ndaj Juventusit

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, pësoi një dëmtim në këmbë, gjatë ndeshjes miqësore ndaj Bosnjës, zhvilluar në “Elbasan Arena”.

Shkodrani, i cili luajti me shiritin e kapitenit në krah, ishte një nga më të mirët në fushën e lojës, për Shqipërinë, por në minutat e fundit të sfidës, pësoi një goditje që mund ta mbajë larg fushave të futbollit për disa ditë.

“Pësova një goditje dhe ndiej dhimbje. Nesër në mëngjes do të jem në Napoli dhe do të bëjmë të gjitha ekzaminimet e nevojshme me stafin mjekësor të klubit”, tha Hysaj pas ndeshjes.

Mbrojtësi kuqezi është një titullar i padiskutueshëm të klubi i Napolit, i cili do të ketë një përballje të dyfishtë me Juventusin, më 02 prill për kampionat dhe 05prill, për kupën e Italisë. Vetëm ditën e sotme do të mësohet nëse mbrojtësi shkodran do të vihet në dispozicion të trajnerit Sarri apo jo, për sfidat ndaj bardhezinjve.

Hysaj komentoi me nota pozitive edhe humbjen e kombëtares, ndaj boshnjakëve, duke vlerësuar lojën e ekipit shqiptar.

“Bëmë një ndeshje të mirë dhe ishim superiorë ndaj kundërshtarit, por gabuam në momente të caktuara të sfidës dhe kjo bëri që të dilnim të humbur nga fusha”, u shpreh mbrojtësi i kombëtares./Insajderi.com