Hysaj: Nëse luajmë si ndaj Realit, nuk na ndal askush

Hysaj: Nëse luajmë si ndaj Realit, nuk na ndal askush

Pasi kanë shijuar magjitë e Ligës së Kampioneve, futbollistët e Napolit i kanë vënë si objektiv vetes të kthehen përsëri aty, për të luajtur në nivelet më të larta.

Këtë objektiv e ka treguar Elseid Hysaj, i intervistuar pak minuta para ndeshjes së Serisë A kundër Krotones.

“Unë jam i qetë, jemi të përqendruar dhe të gatshëm për të zbritur në fushë, për ta filluar ndeshjen ashtu siç bëmë ndaj Real Madridit. Nëse bëjmë të njëjtën gjë, askush nuk mund të na ndalë. Të gjithë duam të luajmë Ligën e Kampioneve, ky do të jetë objektivi ynë i parë”, tha ai.

I pyetur se si ishte përjetuar eliminimi përballë Real Madridit, Hysaj pranoi se skuadra kishte mbetur shumë e zhgënjyer për mënyrën se si ishte humbur ndeshja e dytë, ndaj kërkonte shpagimin në Serinë A.

“Padyshim që mbetëm të zhgënjyer, luajtëm mirë dhe u inatosëm pak nga rezultati përfundimtar. Shpresojmë që këtë inat ta shprehim në fushën e lojës”, vijoi ai, duke treguar se tani ekipi kishte filluar të punonte më shumë për goditjet standarde, të cilat i kushtuan shtrenjtë ndaj madrilenëve sepse sollën golat e Ramos.

“Po përmirësohemi, po punojmë në stërvitje në goditjet standarde, pasi duhen përmirësuar këto detaje të vogla”, ishin fjalët e futbollistit të kombëtares shqiptare.