Hysaj kushton më shumë se i gjithë ekipi i Maqedonisë

Hysaj kushton më shumë se i gjithë ekipi i Maqedonisë

Shqipëria është mësuar që në të shumtën e ndeshjeve të jetë inferiore sa i përket vlerës së lojtarëve në treg, krahasuar me rivalin që ka përballë. Por, brezi aktual i futbollistëve luan në klube mjaft prestigjioze dhe duke i shtuar edhe paraqitjen në Kampionatin Europian, vlera e 24 të besuarve të Xhani de Biazit është rritur ndjeshëm.

Aktualisht vlera e të gjithë sportistëve që janë pjesë e përfaqësueses për ndeshjen kundër Maqedonisë kap shifrën e 47.6 milionë eurove, referuar uebsajtit “transfermarkt”. Në anën tjetër, ekipi I Maqedonisë në total kap vlerën prej 9.7 milion eurove.

Kjo vlerë është shumë më pak sesa kartoni i Elseid Hysajt, i cili vlerësohet 13 milionë. Mbrojtësi i Napolit është edhe futbollisti që kushton më tepër te kuqezinjtë, me një diferencë të madhe nga pjesa tjetër e ekipit. Në vendin e dytë pozicionohet Taulant Xhaka (4 milionë) dhe më pas Etrit Berisha (3.5 milionë euro).

Gjithsesi, këto shifra lidhen me vlerën e kartonit, por që nuk mund të cilë- sohen si të mjaftueshme për t’i blerë nga klube respektive. Të paktën për Hysajn u përfol se u refuzuan edhe oferta prej gati 20 milionë eurosh gjatë merkatos së verës.

Lojtari me kartonin më të shtrenjtë te Maqedonia është sulmuesi 24-vjeçar Ilija Nestorovski, i cili është pjesë e Palermos në Itali, me vlerën 1.5 milionë euro. Pas tij vjen Stefan Ristovski i Rijekës, me 200 mijë euro më pak, shkruan Panorama Sport. Diferenca të konsiderueshme që ndikojnë edhe për të përcaktuar favoritët për ndeshjen e datës 5 shtator, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.