Hysaj i jashtëzakonshëm, vetë Napoli e lavdëron për statistikat

Hysaj i jashtëzakonshëm, vetë Napoli e lavdëron për statistikat

Elseid Hysaj është rikthyer në formën ideale. Mbrojtësi i Kombëtares po tregon nga ndeshja në ndeshje se është një nga më të mirët e Serisë A në rolin e tij.

Futbollisti i Napolit ka bërë një tjetër paraqitje ideale në Itali, në fitoren e radhës për napolitanët. Elseid Hysaj ka qenë një ndër më të mirët e ndeshjes. Këtë e konfirmon edhe një postim i Napolit në rrjetin social “Twitter”, në të cilin kanë evidentuar statistikat e futbollistit të Kombëtares shqiptare.

Hysaj ka arritur ta rikuperojë topin 24 herë. Edhe pse jo në rolin e shkatërruesit në mesfushë, shqiptari ia ka dalë që të jetë më i miri i ndeshjes në lidhje me këtë statistikë, e cila është evidentuar edhe nga vetë skuadra napolitane.

Në ndeshjen e vlefshme për javën e 32-të, Napoli ia ka dalë që të fitojë pastër përballë Udinezes me rezultatin 3-0. Ndonëse në pjesën e parë skuadrat kanë barazuar pa gola, në të dytën Mertens, Alan e Kajehon kanë garantuar trepikëshin e radhës.

Me këtë fitore, skuadra e shqiptarit ka ngushtuar distancën me Romën në vetëm dy pikë.

Me afrimin e mbylljes së kampionatit, për shqiptarin kanë nisur të dalin një sërë interesimesh dhe ofertash nga skuadra të mëdha në Europë. Napoli ka vendosur klauzolën prej 50 milionë eurosh për cilindo ekip që do të kërkojë shërbimet e Hysajt, i cili ka rinovuar kontratën e tij me Napolin.

Vlerësim nga “Eurosport”: Siguri në të dy fazat

Elseid Hysaj është rikthyer në formën e tij më të mirë. Këtë e konfirmon edhe vlerësimi i bërë nga “Eurosport” pas ndeshjes kundër Udinezes. Napoli fitoi pastër 3-0, ku të tre golat u realizuan në të dytën. Mbrojtësi shqiptar është vlerësuar me notën 6.

“I sigurt në çdo moment! I aftë për të bërë maksimumin në të dyja fazat e lojës. I përqendruar gjatë gjithë ndeshjes”, ishte shpjegimi i dhënë nga “Eurosport” për paraqitjen e futbollistit të Kombëtares shqiptare. Në këtë 90- minutësh, mbrojtësi i Napolit ka realizuar 56 pasime, me një saktësi prej 80.4%. Pavarësisht minutave të shumta që ka zhvilluar këtë sezon, shqiptari po tregon vlerat e tij më të mira.