Hysaj i del në krah De Biasit: Nuk prishet grupi për dy lojtarë

Hysaj i del në krah De Biasit: Nuk prishet grupi për dy lojtarë

Elseid Hysaj mbështet Gianni De Biasin në përplasjen me Taulant Xhakën.

Mbrojtësi ishte përkrah trajnerit në daljen e sotme para mediave në prag të miqësores kundër Bosnjë-Hercegovinës në “Elbasan Arena”.

Për 23-vjeçarin shkodran, i cili me shumë gjasa nesër do të jetë kapiten, largimi i një apo dy lojtarëve nuk e prish grupin e Kombëtares. Sipas tij, trajneri është fuqiplotë në përzgjedhjen e futbollistëve që grumbullohen dhe që zbresin në fushën e lojës.

“Në Shqipëri flitet më shumë për gjërat e vogla që ndodhin, sesa për skuadrën. Nga 23 lojtarë që ka trajneri, nuk besoj se dy prej tyre mund të prishin gjithë grupin e Kombëtares. Grupi nuk do të prishet për dy lojtarë, ato janë zgjedhje të trajnerit. Janë 23 lojtarë dhe të gjithë duan të luajnë. Ka nga ata që nuk kanë luajtur kurrë e që rrinë urtë. Këto gjëra i di trajneri, është ai që vendos kush luan e kush jo, kush vjen në Kombëtare e kush jo”, ka thënë Hysaj. /Insajderi.com