Hyn në grevë urie “dëshmitari i vrasjeve me motive politike”

Një dëshmitar i mbrojtur, ka hyrë në grevë urie në Burgun e Sigurisë së Lartë. Ai po pretendon se Prokuroria nuk po e trajton si duhet, pas dhënies së dëshmive për një seri krimesh, përfshirë vrasjen e Tahir Zemajt.

Hyn në grevë urie “dëshmitari i vrasjeve me motive politike”

Një dëshmitar i dënuar që pretendon se ka informacione për një seri krimesh, përfshirë vrasje me motive politike, ka hyrë të hënën në grevë urie në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdovc.

Dëshmitari i koduar si X2, ka bashkëpunuar me Prokurorinë që disa vjet për një seri krimesh.

Mirëpo, është i pakënaqur me trajtimin që po i bëhet.

Ky dëshmitar është i dënuar për vrasjen e dy policëve në vitin 2004. Pretendon se nuk është i vetëm në vrasjen e policit të UNMIK-ut, Kojo Essuman dhe policit të ShPK-së, Arsim Rustolli. Këtë krim thotë se e ka kryer me të tjerë, të cilët UNMIK-u i kishte liruar nga akuzat.

Dëshmitari bashkëpunues i koduar si dëshmitari ‘X2’, ishte shpallur fajtor më 9 nëntor 2007, kurse 13 personat tjerë që akuzoheshin bashkë me të për këtë rast vrasjeje, u liruar më pas.

Kjo kishte ndodhur për shkak se Prokuroria e UNMIK-ut nuk kishte arritur të sigurojë prova të mjaftueshme për t’i shpallur fajtorë edhe të akuzuarit e tjerë.

Por dëshmitari ‘X2’ thotë se Prokuroria nuk ka arritur as t’i identifikojë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në kryerjen e kësaj vepre penale.

“X2”-shi tash e katër vjet bashkëpunon me hetues dhe prokurorë të EULEX-it në rastin e quajtur OLIMPIA. Ky rast, sipas tij, ka ngecur pavarësisht dëshmive që i ka dhënë. Por jo vetëm kaq. “X2” kishte dhënë edhe dëshmi për disa vrasje tjera për të cilat thotë se ka dijeni.

Ai kishte thënë se ka njohuri për gjashtë vrasje, prej tyre tri politike.

Në rastin OLIMPIA, dëshmitari X2 ia kishte dhënë prokurorisë emrat e atyre që morën pjesë në vrasjen e policit të UNMIK-ut dhe atij të ShPK-së.

Madje u kishte dhënë edhe detaje tjera, duke treguar se çfarë roli dhe pozite kanë pasur personat e përfshirë në vrasjen e vitit 2005, si dhe armatimin që është përdorur. Ai ka thënë se këto detaje nuk kanë qenë të njohura në gjykimin që ishte zhvilluar nga UNMIK-u.

Nazim Kadriu, Arben Ahmeti, Arsim Rashiti, Jeton Sylejmani, Osman Kelmendi, Florim Ejupi, Xhait Kosumi, Faik Shaqiri, Nezir Kelmendi, Irfan Ademi, Xhafer Zymberaj dhe Bajram Kiqmari, ishin liruar nga ky proces pas dhënies se deklaratave në gjykatën që asokohe udhëhiqej nga UNMIK-u.

Ky dëshmitar, që nga koha kur kishte filluar të bashkëpunonte me EULEX-in, edhe tash, qëndron në pavijonin për dëshmitar bashkëpunues, duke mos ia lejuar komunikimin me personat tjerë.

I pakënaqur me trajtimin e tij dhe të rastit, dëshmitari ‘X2’ ka vendosur që të hyjë në grevë urime. Kjo për shkakun e neglizhencës së hetimit të këtij rasti. Ai thotë se ndihet i mashtruar nga EULEX-i.

“Ju njoftojmë se për shkak të pakënaqësisë me trajtimin që ka nga zyrtarët e EULEX-it, dëshmitari X2 (emri i plotë jepet në kërkesë), nga sot më datë 03.10.2016 ka filluar grevën e urisë, dhe, me kërkesë të tij unë si avokat i tij, me anë të kësaj parashtrese po ju njoftoj dhe njëkohësisht po ju lus që të merrni hapa konkret lidhur me hetimin e rastit OLIMPIA dhe rasteve tjera për të cilat dëshmitari ka njohuri”, thuhet në kërkesën e avokatit të tij drejtuar kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale – EULEX, kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Insajderi ka provuar të marrë një koment nga Prokuroria, por organi i akuzës nuk është përgjigjur ende./Insajderi.com