Huqja 400 mijë dollarëshe për grantin amerikan

Huqja 400 mijë dollarëshe për grantin amerikan

Gjatë ditës së djeshme Kosova mori një lajm për një grant 49.6 milionësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtë lajm e bëri të ditur presidenti i vendit, Hashim Thaçi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Agjencioni federal amerikan MCC ka ndarë afër 50 milionë dollarë për investime në Kosovë në kuadër të programit “Threshold”, kishte shkruar Thaçi.

Petrit Selimi, koordinator nacional i programit amerikan, “Sfidat e Mijëvjeçarit për Kosovë”  në një intervistë për televizionin publik kishte thënë se “këto mjete janë 50 milionë dollarë dhe do të shfrytëzohen për dy vitet e ardhshme”.

Por kjo nuk ishte vlera e saktë e kësaj shume të fituar. Ajo ishte 49.6 milionë euro.

Por për të njëjtën gjë, kryeministri në largim, Isa Mustafa ishte më i saktë.

“Një lajm i shkëlqyeshëm sapo na erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 49.6 milionë dollarë janë ndarë nga Bordi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën. Këto mjete do të investohen në projekte të efiçienës energjetike, ambientit dhe sundimit të ligjit”, kishte shkruar Mustafa përmes një postimi në Facebook.

Mirëpo, të njëjtin “gabim” si të Thaçit  e Selimit e kishte bërë zyra për informim e kryeministrit, në njoftimin e së cilës thuhej se Kosova kishte fituar 50 milionë.

Saktësimin e kësaj shumë e ka bërë edhe anëtari i Komunitetit të Dhomës për Punë të Jashtme, Eliot Engel, i cili kishte uruar Kosovën për 49.6 milionë.

“Sot, Bordi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit ka votuar që të pajisë Republikën e Kosovës me programin Threshholad që kap vlerën e 49 milionë dollarëve. E uroj përzemërsisht Kosovën si dhe falënderoj MCC Board dhe stafin për punën e përbashkët për të arritur këtë marrëveshje të suksesshme”, ka thënë Engel.

Për më tepër, ky grant do ta ndihmojë Kosovën në zhvillimin dhe investimin në sektorin energjetik./Insajderi.com