Hungaria miraton ligjin për ndalimin e të gjithë azilkërkuesve

07.03.2017 15:11
Hungaria miraton ligjin për ndalimin e të gjithë azilkërkuesve

Parlamenti i Hungarisë miratoi me shumicë dërrmuese një ligj kontrovers, i cili lejon që të gjithë azilkërkuesit në vend të ndalohen dhe të detyrohen të kthehen në Serbi.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se legjislacioni, i cili kaloi me 138 vota për, 6 kundër dhe 22 abstenime, është në përgjigje të sulmeve të fundit terroriste në Evropë, të kryera nga migrantët.

Legjislacioni e rikthen praktikën e Hungarisë për të ndaluar aplikuesit për azil, e cila është pezulluar në vitin 2013 pas presionit nga Brukseli, Agjencia për Refugjatë e OKB-së dhe Këshilli Evropian për të Drejtat e Njeriut.

Sipas masës së re, të gjithë azilkërkuesit që hyjnë në Hungari dhe ata që janë tashmë në këtë vend, do të ndalohen ose zhvendosen në kampe, njofton rel.

Gjatë kohës sa janë në kampe, ata nuk do të lejohen të lëvizin në Hungari derisa të përpunohen aplikimet e tyre, përveçse nëse kthehen në Serbi.

Agjencia për Refugjatë e OKB-së, UNHCR, shprehu “shqetësim të thellë” pas miratimit të kësaj mase.