Zyrtari shtetëror pjesë e rrjetit të prostitucionit në Prizren

Zyrtari shtetëror pjesë e rrjetit të prostitucionit në Prizren

Prokuroria Speciale ka ngritur sot një aktakuzë ndaj 6 personave të dyshuar për ushtrim të një rrjeti të prostitucionit në Prizren gjatë viteve 2013-2015.

E ky rrjet ka pasur bashkëpunëtor edhe zyrtar shtetëror. Sipas komunikatës një nga gjashtë të dyshuarit ka ushtruar post zyrtar, por nuk ceket nëse bëhet fjalë për ndonjë institucion qendror apo lokal.

“I pandehuri K.K, si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër duke shkelur ligjin me dashje lidhur me detyrat dhe punësimin e zyrtarit. Me këto veprime i pandehuri K.K., ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me nënparagrafin 2.1. të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër S.K, B.M, H.L, G.M,  A.R, K.K, të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës dhe kundër shtetases së Republikës së Serbisë, M.K.

Sipas aktakuzës një pjesë e të akuzuarve gjatë vitit 2013, për të vazhduar gjatë vitit 2014 dhe 2015 komplet të akuzuarit e lartcekur, në Prizren kanë hapur, mbikëqyrur, menaxhuar një lokal dhe kanë zhvilluar veprimtaritë kriminale të prostitucionit, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare.

Në aktakuzë thuhet së të pandehurit S.K., B.M dhe M.K, kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 paragrafi 2, lidhur me veprat penale: trafikimi me njerëz nga neni 171 paragrafi 3 dhe 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe mundësimi ose detyrimi në prostitucion nga neni 241 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. Të pandehurit H.L, G.M dhe A.R, kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 paragrafi 1, lidhur me veprat penale: trafikimi me njerëz nga neni 171 paragrafi 3 dhe 2, lidhur me paragrafi 1 të KPRK-së dhe mundësimi ose detyrimi në prostitucion nga neni 241 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.