Skandal në drejtësi: Zyrtari i lartë i EULEX-it detyron gjyqtaren ta ndryshojë vendimin

Një vendim për përjashtimin e publikut nga salla, është detyruar ta ndryshojë kryetarja e trupit gjykues në rastin e Naser Kelmendit, Anna Adamkska – Gallant. Vendimin e ka ndryshuar nën presionin e Shefi i Divizionit të Fuqizimit të EULEX-it të, Peter Bach. Ai ka refuzuar ta respektojë vendimin për të dal nga gjykimi. Refuzimi i urdhrit gjyqësor është vepër penale e dënueshme deri në gjashtë muaj burgim. Në EULEX kanë thënë se janë të informuar për rastin, por nuk kanë sqaruar se çfarë do të bëjë misioni.

Skandal në drejtësi: Zyrtari i lartë i EULEX-it detyron gjyqtaren ta ndryshojë vendimin

Një zyrtar i lartë i EULEX-it ka poshtëruar publikisht të premten një gjyqtare të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit.

Shefi i Divizionit të Fuqizimit të EULEX-it të, Peter Bach, nuk e ka përfillur të premten vendimin e gjyqtares Anna Adamska Gallant për ta liruar sallën e gjykimit kur pritej të diskutohej për shëndetin e të akuzuarit Naser Kelmendi.

Pos, që nuk e ka liruar sallën, e ka detyruar kryetaren e trupit gjykues që ta ndryshojë vendimin për nxjerrjen e publikut nga salla dhe t’ia lejojë atij qëndrimin brenda.

Mospërfillja e urdhrit të gjykatës, bije ndesh me Kodin Penal të Kosovës. Ky veprim sanksionohet si vepër penale me nenin 401 të këtij Kodi.

Në seancën e së premtes është diskutuar për shëndetin e të akuzuarit për krim të organizuar, vrasje e trafikim ndërkombëtar të drogës, Naser Kelmendi. Ka raportuar drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë, Rasim Selmani. Selmani është ftuar në cilësi të dëshmitarit për të dëshmuar për dyshimet se Kelmendi nuk ka trajtim adekuat shëndetësor në këtë burg.

Incidentin e ka konfirmuar EULEX-i, por pa folur për detajet dhe masat.

Seancë e mbyllur ishte kërkuar nga avokati i Naser Kelmendit, Besnik Berisha. Kërkesa nuk ishte kundërshtar nga prokurori. Vendimi i Gjykatës ishte që të përjashtohej publiku nga salla.

Pjesë e publikut konsiderohej shefi i Divizionit të Fuqizimit të EULEX-it të, Peter Bach, dhe dy zyrtarë tjerë të këtij misioni që e shoqëronin atë.

Incidenti ka shpërthyer në prani të një numri të madh njerëzisht përfshirë Policinë dhe zyrtarët e Shërbimit Korrektues. Detajet i kanë shpjeguar disa burime që kanë qenë të pranishëm atë ditë në sallë.

“Z. Bach, të lutem lirojeni sallën”, i është drejtuar gjyqtarja Adamska Gallant, zyrtarit të EULEX-it.

Por, ai, pos që e ka refuzuar urdhrin, nuk është ngritur fare në këmbë dhe nuk e ka hequr kapelën nga koka.

“Urdhrit të gjyqtares ai iu përgjigj: nuk dal, nuk e lëshoj sallën edhe nëse mundësh hajde nxjerrim ti jashtë”, ia ka kthyer Bach gjyqtares Adamska Gallant.

Ana

Burimet e kanë përshkruar gjyqtaren se si është zverdhur dhe ka filluar të dridhet në Gjykatë pas refuzimit të urdhrit të saj. E ka lutur sërish që ta lirojë sallën për shkak se do të flitej për të dhënat personale të të pandehurit.

“Nuk dal”, ia ka kthyer sërish ai duke shpërfillur vendimin e shkruar dhe atë gojor të kryetares së trupit gjykues.

E gjendur në situatën kur gjyqtarja duhej të urdhëronte arrestimin e zyrtarit të EULEX-it për shkak të refuzimit të urdhrit gjyqësor që është vepër penale, ka ndryshuar vendimin. Ka lejuar që në sallë të qëndrojë vetëm njeri.

“Meqë kërkohet që të mbikëqyret puna e gjyqësorit edhe nga Brukseli, mund të qëndroi vetëm njëri. Zgjidhni se cili”, ka thënë gjyqtarja.

Por, as ky vendim nuk është përfillur nga Peter Bach.

“Do të qëndrojmë të tre”, ka ndërhyrë ai.

“Z. Bach ky është urdhër përfundimtar”, ka ngulmuar ajo. Atëherë, zyrtari i lartë i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit ka thënë se do të qëndrojë ai.

I gjithë debati është i shkruar në procesverbalin që tashmë është marrë nga zyrtarët e EULEX-it për të parë incidentin.

Në EULEX kanë thënë se janë të informuar për këtë incident, por kanë thënë se Bach është lejuar nga gjyqtarja që të qëndrojë në sallë.

“Misioni është i informuar lidhur me ngjarjet që kanë ndodhur gjatë seancës më 25 shkurt 2016”, ka thënë Dragana Nikoliq – Solomon, zyrtare për media në EULEX.

Ajo ka thënë se sipas Kodit të procedurës penale, kurdo, nga fillimi deri në fund të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues sipas detyrës zyrtare mund të përjashtojë publikun nga i tërë apo nga një pjesë e shqyrtimit gjyqësor nëse është e nevojshme – ndër të tjera – për të mbajtur konfidencialitetin e informacionit e cila mund të rrezikohet nga seanca publike dhe për të mbrojtur jetën personale apo familjare të të akuzuarit, atë të palës së dëmtuar apo të pjesëmarrësve të tjerë në procedurë.

Nikoliq – Solomon ka thënë se “sidoqoftë, i njëjti kod i lejon kryetarit të trupit gjykues që t’u japë lejen zyrtarëve, akademikëve, figurave publike të caktuara etj. të marrin pjesë në shqyrtimin gjyqësor i cili nuk është i hapur për publikun”.

“Gjatë seancës më 25 shkurt 2016 kryetarja e trupit gjykues ka lejuar z. Peter Bach, Shefin e Divizionit të Fuqizimit të EULEX-it të marrë pjesë në seancë”, ka thënë ajo për Insajderin pa folur për refuzimin e urdhrit të parë dhe poshtërimit që i është bërë gjyqtares nga zyrtari i EULEX-t.

Avokati i Naser Kelmendit, Besnik Berisha ka refuzuar të flas me arsyetimin se seanca ka qenë e mbyllur.

Me të njëjtin arsyetim nuk ka folur as drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë, Rasim Selmani.

“Ka qenë seancë e mbyllur dhe nuk mund të flas se çfarë ka ndodhur”, ka thënë ai. Selmani ka mohuar se i kishte thirru në seancë zyrtarët e EULEX-it.

“Unë nuk e thërras kërkend”, ka thënë ai. /Insajderi.com