Vendimi i kundërligjshëm i Agim Veliut rrezikon investimin që punëson mbi 200 gra

Parim Olluri

Parim Olluri Liridona Hyseni

30.11.2017

Insajderi ka zbuluar se kryetari i Podujevës, Agim Veliu, mori një vendim që është vlerësuar si i kundërligjshëm nga Qeveria e Kosovës. Ai tjetërsoi pronën shoqërore e cila ligjërisht i përket Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kryetari Veliu nëpërmjet këtij vendimi është duke dëmtuar një kompani private, e cila ka punësuar mbi 200 gra në fabrikën e përpunimit të perimeve.

Vendimi i kundërligjshëm i Agim Veliut rrezikon investimin që punëson mbi 200 gra

Agim Veliu, kryetari i Podujevës, vetëm tri ditë pas rikonfirmimit  në mandatin e ri ka vepruar në kundërshtim me atë që kanë premtuar të gjithë kandidatët në fushatë zgjedhore: nxitja e investimeve të huaja. Më 22 nëntor të këtij viti, tri ditë pas balotazhit, Komuna e Podujevës ka ndërmarrë një veprim për të penguar një kompani që punëson mbi 200 gra nga kjo komunë.

Kompania “Jaha Company”, në bashkëpunim me investitorët gjerman të kompanisë  “Kappa Antipasti”, ka hapur fabrikën e përpunimit të perimeve në tokën dhe asetet e ish-ndërmarrjes shoqërore “Fapol”. Për shfrytëzimin e tyre kompania private i paguan qira Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Mirëpo, probleme janë shfaqur tek toka që shfrytëzohet me qira. Komuna e Podujevës, kundërligjshëm sipas Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka marrë vendim që kjo tokë të regjistrohet në kadastër si pronë komunale. Vendimi i kryetarit Veliu precizon se toka është e komunës, ndërsa asetet të AKP-së.

Por, Agjencia e Privatizimit pretendon se edhe toka, por edhe asetet janë nën menaxhim të saj.

Për këtë arsye, AKP-ja e  ka paditur Komunën e Podujevës për tjetërsim të pronës. Gjyqi ende nuk ka marrë vendim dhe toka zyrtarisht është në kontest pronësor. Mirëpo, Komuna e Podujevës e udhëhequr nga Agim Veliu nuk po e pret vendimin e gjykatës. Ka vendosur që ta largojë kompaninë private nga aty.

Pamje nga aktiviteti i fabrikës së përpunimit të perimeve në Podujevë

Dëmet që shkakton vendimi i kundërligjshëm i Agim Veliut

Jahir Hoxha, drejtor i kompanisë “Jaha Group”, i ka thënë Insajderit se është i dëmshëm vendimi i autoriteteve komunale për të ndërtuar palestër sportive në tokën që shfrytëzohet nga fabrika. Hoxha ka treguar se pjesën ku planifikohet të ngrehet palestra sportive, kompania e shfrytëzon për t’i  ruajtur perimet e përpunuara.

“Nuk kam vend tjetër ku me i vendos ato. Ky vendim i Komunës e rrezikon investimin shqiptaro-gjerman dhe mbetjen pa punë të mbi 200 grave të punësuara në fabrikë”, ka thënë Hoxha për Insajderin. Po ashtu, sipas tij nëpërmjet këtij vendimi janë duke u dëmtuar edhe 270 fermerë lokal që janë kontraktuar nga kompania “Jaha Company”.  Perimet e përpunuara në këtë fabrikë eksportohen në Gjermani.

Hoxha ka treguar se autoritetet komunale kanë dështuar që më 22 nëntor ta vendosin gurë themelin për ndërtimin e palestrës sportive. Atë ditë, zyrtarët komunal kishin ardhur për ta ekzekutuar këtë vendim.

Menaxhmenti i kompanisë kishte njoftuar Agjencinë e Privatizimin për aksionin e Komunës së Podujevës.  Sipas Hoxhës, AKP-ja atë ditë i dërgoi një shkresë Komunës së Podujevës.

“Ne e njoftuam Agjensionin e Privatizimit për veprimet që i ka bërë komuna dhe pas shkresës që u bë prej AKP- së, komuna u largua dhe nuk e ditëm pse nuk e qitën gurthemelin”, deklaroi Hoxha për Insajderin. Ai ka shtuar se kompania e tij obligohet që të zbatojë kontratën me AKP-në, të cilës i paguan qira qe dy vite.

 

Ish-ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Anglelika Viets, në inaugurimin e fabrikës në tetor të vitit 2016

Kontesti mes Komunës së Podujevës dhe AKP-së

Katër vjet pas marrjes së vendimit për tjetërsimin e kësaj prone, Komuna e Podujevës ka marrë një vendim tjetër. Atë, për ndërtimin e palestrës sportive në këtë pronë prej 20 mijë metrash katrorë. Ky vendim është marrë më 29 prill të vitit 2016. Autoritetet komunale pretendojnë se kjo parcelë është në pronësi komunale e jo të AKP-së.

“Dëshmi se ajo patundshmëri është pronë e Komunës së Podujevës është fletë posedimi dhe kopjet e planit e të gjitha pronave në emër të Kuvendit të Komunës, gjendja e viteve 1983/1988, prona të cilat nuk janë në menaxhim të AKP-së, ku figuron edhe prona përkatëse, fletë posedim në të cilin nuk janë  përfshirë kategoritë tjera të pronave shoqërore”, ka thënë për Insajderin, Nazmi Elezi, shef i Zyrës për Informim të Komunës së Podujevës. Elezi ka treguar se Gjykata Themelore në Prishtinë-Dega në Podujevë dhe Gjykata e Apelit në Prishtinë kanë refuzuar kërkesën e AKP-së për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë për këtë tokë.

Mirëpo, gjyqësori ende nuk ka marrë vendim për padinë e AKP-së, nëpërmjet të cilës kërkohet vërtetimi i pronësisë së kësaj toke. Gjyqësori ende nuk ka marrë vendim se kujt i përket kjo tokë dhe e njëjta ende është në kontest gjyqësor.

Pyetjet lidhur me këtë situatë janë shpërfillur nga zyrtari komunal. Mirëpo, Elezi ka deklaruar se AKP-ja nuk posedon asnjë provë me të cilën dëshmon se toka nuk është e Komunës së Podujevës.

“Aktvendimi i cekur është dëshmi se përveç pretendimeve të pabazuara, nga ana e AKP-së,  deri më tani nuk është paraqitur asnjë dëshmi se paluajtshmëria e cekur ka qenë ndonjëherë në emër të NSH “Fapol”, dëshmi e cila nuk ka pasur mundësi të sigurohet ngase kjo pronë ka qenë “Pronë Shoqërore Kuvendi Komunal” ndërsa pas ndryshimit të legjislacionit është “Pronë e Komunës”.

“Bazuar në faktet e cekura, çdo insistim i mëtejshëm lidhur me pronësinë e palujtshmërisë së cekur është arbitrarë, tendencioz dhe pa mbështetje ligjore”, ka thënë Elezi.

Ai ka shtuar se Komuna e Podujevës, sipas planifikimeve dhe vendimit të Kuvendit të Komunës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, e ka siguruar buxhetin në vlerë 1,885,110.86 € për ndërtimin e Palestrës së Sporteve.

“Ndërtimi i Palestrës nuk paraqet kurrfarë problemi për shfrytëzimin e atyre objekteve”, ka pohuar Elezi.

Komuna e Podujevës i është drejtuar AKP-së me një shkresë, nëpërmjet të cilës i ka kërkuar që të tërhiqet nga pretendimet e pabazuara lidhur me pronësinë e kësaj ngastre. “Në të kundërtën, në rast të pengesave për realizimin e projektit të përmendur, AKP do të bartë përgjegjësitë ligjore dhe materiale”, ka thënë Elezi.

Ai ka paralajmëruar se në ditët në vijim, në afatin sa më të shkurtër, do të vendoset gurthemeli për fillimin e punimeve.

“… dhe në rast të pengesave eventuale, Komuna do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme ligjore për mbrojtjen, lirimin dhe menaxhimin e pronës konkrete”, ka pohuar Elezi.

Veton Hajdini, drejtues i Zyrës për Media në AKP, ka thënë për Insajderin se ky institucion ende është në kontest pronësor me Komunën e Podujevës lidhur pronën ku gjendet ndërmarrja shoqërore. Sipas tij, Komuna e Podujevës më 30 janar të vitit 2012 mori vendim të kundërligjshëm për tjetërsimin e kësaj prone, duke e regjistruar atë si komunale.

Agjencia e Privatizimit ishte ankuar në Ministrinë e Adiministrimit të Pushtetit Lokal, e cila ka përgjegjësi që të vlerësojë ligjshmërinë e vendimeve komunale. Më datën 18 shtator 2013, MAPL-ja i kishte dërguar shkresë zyrtare kryetarit të Podujevës, Agim Veliut. E kishte njoftuar se vendimi i komunës ishte i kundërligjshëm.

“Komuna e Podujevës gjithashtu duhet të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e pronës së paluajtshme të Ndërmarrjes Shoqërore “Fapol”, nga regjistri i pronës komunale në regjistrin e pronave të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit”, thuhet në vendimin e MAPL-së, të siguruar nga Insajderi. Por, këtë muaj janë bërë katër vite e dy muaj prej se ky vendim i Qeverisë së Kosovës vazhdon të shpërfillet nga kryetari i Podujevës, Agim Veliu. /Insajderi.com