Të ngulfatur në varfëri dhe ndarje etnike – kandidatët që synojnë ta ngjallin Jugun e Mitrovicës

Insajderi

Insajderi Xhavit Nura

19.10.2017

[Artikulli është pjesë e projektit për monitorimin e zgjedhjeve lokale 2017, mbështetur nga Friedrich Erbert Stiftung (FES).]

Të ngulfatur në varfëri dhe ndarje etnike – kandidatët që synojnë ta ngjallin Jugun e Mitrovicës

Mitrovica, dikur qytet i minatorëve, tash njihet edhe si qytet i prodhimit të kërpudhave. Këtë epitet ia dha kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili nuk ngurroi të paraqiste veten edhe si investitor në një fabrikë të kërpudhave.

Megjithatë, menyja e pjesës dërmuese të familjeve në Mitrovicë, vazhdon të mbetet e varfër, pa kërpudha.

Ndarjet etnike që janë shkaktuar në 18 vitet e fundit në qytetin e Mitrovicës që zyrtarisht u nda në dy pjesë, duke u bërë dy komuna, ka bërë që qytetarët të mos kenë perspektivë ekonomike.

Megjithatë, për kryetarin aktual që po pretendon edhe një mandat tjetër, hapja e fabrikës së kërpudhave, është përmbushje e premtimit të tij për të hapur vende të reja të punës.

Por statistikat zyrtare tregojnë se nuk ia ka arritur. Shkalla e papunësisë në qytetin dikur më industrial të Kosovës vazhdon të mbetet tejet e lartë.

Në Mitrovicën e Jugut, jetojnë afër 2 mijë familje me rreth 10 mijë anëtarë që janë të përfshirë në skemat sociale. Kjo e bënë Mitrovicën e Jugut, qytetin me shkallën më të lartë të varfërisë.

Zyrtarisht në listën e punëkërkuesve janë të regjistruar 6 mijë e 700 qytetarë, sipas të dhënave të këtij viti.

Në Mitrovicën e Jugut, janë 72 mijë banorë me të drejtë vote. Në këto zgjedhje ata kanë tetë kandidatë si propozime të partive të ndryshme shqiptare. Edhe pse i ndanë vetëm një urë, partitë serbe nuk kanë kandiduar askënd për t’u bërë kryetar i Jugut.

 Shkëlqimi dhe Rënia e Mitrovicës

Mitrovica dikur një prej qyteteve më të zhvilluara të Kosovës, prej përfundimit të luftës ka qenë arenë e konfrontimeve etnike me shqiptarëve dhe serbëve, duke e ndarë qytetin përgjatë rrjedhës së lumit Ibër.

Megjithëse serbët e kanë pushtetin në Mitrovicën e Veriut, kjo nuk iu ka dhënë fund tensioneve etnike. Edhe kryetari aktual i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri është përballur me këto sfida gjatë mandatit katërvjeçar.

“Mitrovica nuk është komunë si të tjerat”, ka përsëritur Bahtiri, edhe pse së fundmi kur ka folur për punën e vet e ka dhënë një tjetër cilësim.

“Mitrovicën e gjeta me kriminelë, por e mbusha me pëllumba”, ka thënë se fundmi Bahtiri.

Kryetari aktual njihet edhe si një politikan që shpeshherë nuk ka ngurruar t’i jap epitetin vetes si një politikan që mund të diktojë politikat e Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, madje edhe BE-së për problemet në dy Mitrovicat.

Kësisoj, idetë dhe ultimatumet e tij për BE-në dhe institucionet kosovare dhe serbe në qendër, sidomos për “Urën e Ibrit” nuk ishin marrë parasysh. Megjithatë, kjo s’e ka penguar që t’ia japë meritat vetes kur ura u hap, ose Muri u rrëzua.

Por këto ngjarje dhe retorika politike për mitrovicasit janë tashmë rutinë. Ata kanë probleme bazike. Nuk mund të ndërtojnë shtëpitë e tyre në pjesën veriore. Kjo ka bërë që shqiptarët që kanë banuar në Veri, të mos e shohin më atë si vendin e tyre.

Edhe serbët duket se nuk kanë shumë vullnet të kthehen në pronat e tyre në jug, edhe pse kryetari Bahtiri ka bërë thirrje për kthimin e tyre. Por të gjithë këta do të mund t’i bashkonte një ish-gjigant industrial, Trepça.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Trepçën, ku përcaktohet pronësia mbi këtë kompleks dhe funksionimi i tij në pikëpamje ekonomike. Megjithatë, me gjithë pritjet e mitrovicasve, gjendja në terren nuk ka ndryshuar për të mirë të këtij gjiganti dhe punëtorëve të saj. Edhe pse kjo kompani tejkalon kompetencat e qeverisë lokale, ajo vazhdon të jetë pjesë e debateve dhe premtimeve të kandidatëve për kryetar komune të Mitrovicës.

Pa parkingje, pa transport dhe varfëri e skajshme 

Problemet e përditshme të qytetarëve të Mitrovicës vazhdojnë të jenë gati njësoj me shumicën e komunave të Kosovës. Instituti për Hulumtime GAP ka identifikuar disa prej tyre në studimin e saj të fundit të vitit 2017.

Një prej tyre është mungesa e parkingjeve publike.

“Në disa pjesë ekzistojnë parkingje private dhe disa pjesë përgjatë rrugëve i janë lëshuar me qira nga komuna disa kompanive të taksive që operojnë në Mitrovicë. Pjesa ku qytetarët më së shumti e frekuentojnë për parkim pa pagesë është pjesa afër sallës së sportit Minatori. Parkimi i veturave në pjesë të ndryshme të qytetit është duke shkaktuar edhe një kaos në trafik dhe zënie të hapësirave për këmbësorë”, thuhet në raport.

Mungesa e transportit të organizuar publik është një prej problemeve që është theksuar nga qytetarët e Mitrovicës.

Në fillim të mandatit të Agim Bahtirit, një numër i autobusëve donacion finlandez ishin dhënë për komunën e Mitrovicës me qëllim të organizimit të transportit publik nga komuna. Kjo nuk është realizuar gjatë mandatit dhe më vonë këta autobusë i janë falur klubeve sportive në Mitrovicë.

Problem tjetër paraqitet mungesa e çerdheve publike. Në komunën e Mitrovicës ekziston vetëm një çerdhe publike dhe katër të tjera janë private.

Rrugët në qytetin e Mitrovicës fare pak pastrohen nga pluhuri që mblidhet anash rrugëve dhe kjo shkakton papastërti të rrugëve dhe rrjedhimisht edhe ndotje të ambientit nga pluhuri.

Në Mitrovicë ka po ashtu nevojë për hapësira më të mëdha gjelbërimi dhe ajri të pastrohet nga ndotja që i bëjnë deponitë/mbetjet e plumbit nga vitet ’90, kur në funksion ka qenë fabrika Trepça me të gjitha njësitë e saj. Këto mbetje sidomos shkaktojnë probleme në kontaminim të ujit në hapësirat përreth tyre por edhe gjatë erërave të forta të cilat e shpërndajnë këtë mbetje edhe më gjerë.

Ndotja vazhdon edhe tek lumenjtë, derisa në disa rrugë mungon ndriçimi publik. Por, për të gjitha këto kryetarin e ri e pret një sfidë brenda vetë mureve të komunës, pasi ekziston një administratë e mbingarkuar.

Por këtë gjendje premtojnë se do ta ndryshojnë tetë kandidaturat për kryetar të Mitrovicës së Jugut.

Agim Bahtiri, AKR

Agim Bahtiri ka udhëhequr me Mitrovicën gjatë këtij mandati, kurse po synon edhe një mandat tjetër katërvjeqar. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ai ka shkruar se garon edhe për “4 vjet me duar të pastra”.

“Familja është pasuria më e madhe e njeriut. Edhe disa ditë jam te familja ime e çmuar në Holandë, ku kam ardhur të marrë energji pozitive për t’ia dhënë pastaj Mitrovicës edhe katër vite qeverisje me duar të pastra. Ndërkohë, kam zhvilluar dhe do t’i zhvilloj edhe shumë takime me biznesmenë të fuqishëm në Holandë, të cilët do të qëndrojnë pranë meje dhe Mitrovicës me projektet e tyre për zhvillim ekonomik të qytetit”, ka shkruar Agim Bahtiri. Zhvillimi ekonomik me investime të partnerëve nga jashtë ishte atuja kryesore e Bahtirit. Ai kishte premtuar punësimin e 15 mijë qytetarëve të komunës së tij.

Valdete Idrizi, PDK

Valdete Idrizi është ndër kandidatet e pakta femra për kryetare të komunës në këto zgjedhje lokale. Ish-aktivistja nga shoqëria civile, Valdete Idrizi, i është bashkuar PDK-së në garën për të parën e Mitrovicës. Idrizi është nga pjesa e veriut të qytetit, por që humbi shtëpinë në vitin 1999, kur serbët i dëbuan shqiptarët nga ajo pjesë. Ajo ka qenë drejtoreshë ekzekutive e OJQ “CIVIKOS” dhe fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare për kontributin e saj. Ajo ka pranuar në vitin 2008 çmimin për Guxim nga Departamenti Amerikan i Shtetit, kurse në vitin 2016 kishte fituar çmimin ndërkombëtar për paqe “TheWIFTS Peace Award 2016”. Idrizi ka marrë edhe kërcënime me jetë për angazhimin e saj për kthimin e serbëve në shtëpitë e tyre. Pasi i ka hyrë garës për kryetare të Mitrovicës, ajo ka hequr dorë nga drejtimi i organizatave joqeveritare, derisa ka premtuar një qeverisje më transparente.

Safet Kamberi LDK

Safet Kamberi, kryetar i degës së LDK-së në Mitrovicë ka një përvojë të gjatë në politikë. Ai ka mbajtur pozita të ndryshme në LDK-në e Mitrovicës, derisa për një mandat kishte qenë anëtar i Kuvendit Komunal. Së fundmi, ia ka qenë mknistër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kamberi ka deklaruar se oferta e tij për këto zgjedhje është konform nevojave të qytetarëve të Mitrovicës.

I riu me diplomë të xehtarisë po synon që t’u japë zgjidhje problemeve të grumbulluara ndër vite në qytetin industrial. Mbi të gjitha, Kamberi është shprehur se synon që Mitrovica të bëhet qytet urban dhe funksional, me një ekonomi të qëndrueshme dhe tërheqëse për investitorë. Kamberi premton se Mitrovica do të jetë qytet universitar me arsim në funksion të kërkesave të tregut, e pastër dhe e gjelbër, me bujqësi produktive, me shërbime shëndetësore kualitative.

Esat Peci AAK
Gjeologu me titull masteri Esat Peci ka vendosur t’i hyjë garës për kryetar të Mitrovicës. Oferta e tij bazohet në transparencë dhe llogaridhënie. Peci konsideron si urgjente planifikimin e zgjerimit të qytetit. “Mitrovica është ngushtuar në dy kilometra katrorë”, ka thënë ai në një debat televiziv. Kandidati i AAK-së shprehet se nëse arrin të zgjidhet kryetar i Mitrovicës, së detyrë kryesore ia ka vënë vetës krijimin e kushteve për investitorët, cilitdo qofshin ata, dhe sigurimi i këtyre investimeve sepse, ai thotë, se kjo është mënyra më e mirë për zbutjen e papunësisë në.

Fehmi Ferati LVV

Komiku Fehmi Ferati është i njohur për qytetarët e Mitrovicës për humorin e tij të mprhtë. Por, tani ai ka vendosur t’i hyjë një gare serioze për të parin e Mitrovicës. Ai thotë se edhe si artist i ka pëlqyer të thumboj anomalitë politike në vend, derisa shprehet se i është bashkuar seriozisht Lëvizjes Vetëvendosje për t’iu dhënë kahje të re zhvillimeve politike në komunën e tij.

Ferati ka studiuar shkencat politike dhe tashmë ka caktuar edhe prioritet për mandatin katërvjeçar. Ai prenmton një komunë që dëgjon qytetarin, pastaj arsim për të ardhmen, angazhim më të madh për kulturë-rini e sport, zhvillim ekonomik dhe buxhet pa diskriminim. Ferati është bashkëthemelues i teatrit alternativ Meselation dhe pronar i një biznesi privat.

Mehmet Mehmeti, Alternativa

Mehmet Mehmeti nga “Alternativa” shprehet se partia e tij është alternativë e vetme e zhvillimit të Mitrvicës. Mehmeti ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në vitet 1978-82 dhe ka mbajtur edhe disa pozita tjera në atëkohë. Tash është kryetar i Këshillit ndërkomunal për aftësim profesional, kryetar i Degës së Alternativës në Mitrovicë. Mehmeti ka premtuar zhvillim ekonomik. Ai është vetë pronar i një biznesi privat. Puna e tyre, sipas tij, do të përqendrohet edhe në ngritjen e arsimit, krijimin e infrastrukturës arsimore (shkollat fillore afër fëmijëve), si dhe zhdukja e analfabetizmit, me fokus fëmijët e komunitetit RAE si dhe femrat rurale.

Nystret Preteni, Fjala
Nystret Preteni, i cili garon me partinë Fjala për kryetar të Mitrovicës thotë se prioritet i tij është zhvillim ekonomik në bujqësi, blegtori dhe turizëm. Magjistri i Ekonomisë dhe Shkencave Politike ka thënë se tashmë ka kontaktuar disa investitorë potencialë të cilët do të investojnë në disa sektorë të ekonomisë së Mitrovicës, e që do të mundësojë punësimin e mijëra personave. Preteni thotë se ka përvojë në ekonomi, pasi ka qenë menaxher i disa kompanive vendore e ndërkombëtare.

Qazim Shala, Nisma

Kandidati i Nismës për Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Qazim Shala, është magjistër i ekonomisë. Ai ka thënë se nëse arrin të zgjidhet në këtë post, do të sjell projektet ideore dhe zbatuese për qytetin dhe secilin fshat të Komunës e që, sipas tij, janë të prezantuara në programin e tij zgjedhor. Ish-drejtori i Bankës Interne “Trepça”, i Kryesisë së Bankës së Kosovës, ish-këshilltari komunal ka thënë se problemi më i madh i Mitrovicës është boshatisja e fshatrave dhe shpërngulja e qytetarëve. Shala është shprehur se komuna do të angazhohet bashkë me qeverinë qendrore për rivitalizimin e plotë të Trepçës.

Basri Brahimi, kandidati i pavarur

Basri Brahimi është kandidat i pavarur për kryetar të Mitrovicës. Ai është lindur në Mitrovicë dhe ka mbaruar studimet për xehtaro-metalurgjik, ndërsa studimet master për Gjeologji-ekspert në fushën e industrisë dhe minierave. Ish-aktivisti i pajtimit të gjaqeve ka thënë se shtyllat kryesore të programit të tij janë riindustrializimi i Mitrovicës, përkrahja e bizneseve aktuale, si dhe krijimi i bizneseve te reja për të gjitha etnitetet që jetojnë në Mitrovicë. Brahimi është bashkëpunëtor shkencor në Universitetin Politeknik të Zvicrës (ETH Zürich) dhe bashkëpunëtori profesional në Muzeun e Shtetit Zviceran (Landesmuseum). Brahimi ka thënë se me një qytetari aktive, Kuvend të angazhuar, qeveri lokale profesionale, për katër vjet do të nxirret qyteti nga letargjia e së kaluarës.

Fisnik Gjinaj, kandidat i pavarur

Mitrovica në këto zgjedhje do të ketë edhe kandidat të pavarur për kryetar të komunës. Një prej tyre është Fisnik Gjinaj. Ai ka studiuar për menaxhment në Universitetin Derby në Angli. Ai ka qenë kryetar i Partisë së Nacionaldemokratike në Mitrovicë. Po ashtu ishte pjesëtar i UÇK-së gjatë luftës së Kosovës. Ai ka premtuar depolitizimn e arsimit, asfaltimin e rrugëve, përmirësimin e shërbimeve në shëndetësi zhvillimin e zonës industriale dhe atë të agrikulturës.