Skandali 54 milionë eurosh i Qeverisë së rrëzuar të LDK-së

09.08.2017

Qeveria në ikje e drejtuar nga Isa Mustafa, para pesë ditësh, ka vendosur përfundimisht që qendra e skijimit “Borea”, të ndërtohet nga një kompani e dyshimtë. Ajo është shpallur fituese nëpërmjet një procesi tenderimi me prapaskena që nxisin dyshime të mëdha për mosrealizimin e projektit multi milionësh, të quajtur “Borea”.

Skandali  54 milionë eurosh i Qeverisë së rrëzuar të LDK-së

Agim Krasniqi, i emëruar të hënën ministër i financave, ka nënshkruar me 4 gusht të këtij viti një prej vendimeve më të dyshimta të Qeverisë Mustafa.

Krasniqi, në cilësinë e kryesuesit të Komitetit për Partneritet Publiko-Privat,  ka miratuar javën e kaluar, të premten, kontratën e nënshkruar mes Komunës së Pejës dhe konzorciumit “Leitner AG SPA & FILAV SA”.

Ky vendim i nënshkruar nga Krasniqi i ka hapur rrugën realizimit të projektit “Borea”, një prej investime më të mëdha që ka pasur ndonjëherë Komuna e Pejës, ka raportuar sot gazeta “Koha Ditore”.

Por, si ishte shpallur fitues kompania “Filav” dhe cila është historia e kësaj kompanie të dyshimtë?

Insajderi posedon dokumente që dëshmojnë se janë ndërmarrë veprime të dyshimta gjatë tërë procesit të tenderimit për ndërtimin e qendrës së skijimit në Pejë.

Dokumentet e siguruar nga Insajderi janë  raporte interne të kompanisë “Filav S.A” me bazë në kantonin e Fribourgut, në Zvicër.  Aksionar në këtë kompani është Valmir Krasniqi, bashkëshorti i këngëtares së njohur, Adelina Ismajli.

Aty tregohen detaje që shpërfaqin dyshime të mëdha për favorizim të kompanisë “Filav S.A”, nga ana e Komuna së Pejës, e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së.

Dokumenti që hedh dyshime për kurdisjen e tenderit të madh

Insajderi ka raportuar në maj të këtij viti se një datë që figuron në raportet interne të kësaj kompanie ka rëndësi të madhe dhe tregon shumë për prapaskenat e tenderit të udhëhequr nga Komuna e Pejës. Është data 30 nëntor 2016. Bazuar në regjistrat e biznesit në Zvicër, pikërisht me këtë datë është ndryshuar emri i kompanisë nga pronarët  Valmir Krasniqi e Philip Gauset.

Deri më këtë datë kompania “Filav S.A” quhej “Fiholz S.A”. Por arsyeja pse është ndryshuar emri i kompanisë nuk tregohet. Megjithatë, të pandryshuar mbesin emrat e pronarëve. Gauset dhe Krasniqi ishin të vetmit pronar edhe në “Friholz”.

Historia e kësaj kompanie me projektin “Borea”,  nisi një vit para mbajtjes së konferencës së investitorëve në Pejë, ku biznesmenët ftoheshin të konkurronin për këtë projekt. Ishte data 10 shtator e vitit 2015, kur kompania “Friholz” publikoi në kanalin  e saj në yotoube një video 54 sekondëshe.

Aty shkurtimisht tregohej për projektin e ndërtimit të “Borea”-s. Derisa në fund të videos tregohej se projekti është realizuar nga kjo kompani bashkë me “HES-SO” dhe Komunën e Pejës.

Insajderi pati pyetur autoritetet komunale të Pejës se si është e mundur që të shpallen fitues biznesmenët, të cilët më herët kishin realizuar projektin ideor të ndërtimit të qendrës së skijimit “Borea”. Komuna e Pejës, në një përgjigje dhënë Insajderit, pati pohuar se autoritetet komunale nuk e posedojnë këtë informatë, pasi që nuk kryejnë hetime gjatë procesit të vlerësimit të ofertuesve në tender.

Raportet financiare të kompanisë fituese tregojnë se mungojnë paratë për projektin 57 milionësh

Dokumentet e siguruara nga Insajderi, përveç që tregojnë se kompania fituese kishte relacione të mëhershme me Komunën e Pejës, flasin edhe për gjendjen financiare të kompanisë fituese. Shumat që posedon kjo kompani janë skajshmërisht më të ulëta se sa që nevojiten për projektin multimilionësh “Borea”.

Kryetari Gazmend Muhaxheri pati deklaruar se investimi në “Borea”do të jetë në vlerë prej 54 milionë eurosh. Sipas tij, kjo qendër skijimi do të ndërtohet brenda dy viteve.

“Në vitin e parë do të ndërtohet teleferiku me 68 kabina dhe një skilift. Derisa, vitin tjetër shtohen edhe dy skilifta, ku kapaciteti i plotë do të jetë 20 kilometra shtigje të skijimit, që i përmbushin të gjitha kriteret që i kërkojnë skiatorët”, pati thënë Muhaxheri për Telegrafin.

Por, a janë këto shifra që përmend Muhaxheri tejet të larta për kapacitetin financiar të kompanisë fituese?

Dokumentet e siguruara tregojnë se janë të paarritshme. Bazuar, në këto dokumente qarkullimi vjetor më 2010 i kompanisë “Filav” ishte mbi 950 mijë euro. Pak më shumë, kishte qarkullim më 2011. Vlera totale ishte në shumë prej 985 mijë eurosh.

Qarkullimi ishte rritur më 2012. Ishte në vlerë prej 4 milionë e 134 mijë eurosh.Viti 2013 ishte mbyllur me humbje prej 67 mijë eurosh. Ishin bartur rreth mbi 4 milionë euro të vitit paraprak, 2012. Bartja e njëjtë kishte ndodhur edhe më 2014. Ky vit kishte gjeneruar vetëm 96 mijë e 858 euro të hyra të reja.

Po ashtu edhe më 2015 kishte ndodhur e njëjta. Kishte ndodhur bartje prej 4 milionë eurosh dhe kompania kishte pasur të hyra vetëm prej 462 mijë eurosh. Ndërsa më 2016 të hyrat ishin në vlerë prej 31 mijë eurosh, plus bartja prej mbi 4 milionë eurosh që është bërë që nga viti 2012.

Por, këto shifra nuk paraqesin ndonjë problem të madh për biznesmenin Valmir Krasniqi.Në maj të këtij viti, pati thënë për Insajderin se natyra e projektit “Borea”, dallon nga investimet tjera.

“Sa i përket financimit, projekte të tilla nuk financohen sikur të blesh një veturë”, ka pohuar Krasniqi. Pati shtuar se pas një afati të shkurtër kohor konzorciumi i përbërë nga kompanitë “Leitner” dhe “Filav”  do të hartojë një plan adekuat të financimit të projektit “Borea”.

Për realizimin e projektit “Borea”, Komuna e Pejës i ka ofruar partnerëve privat 200 hektarë tokë për ndërtimin e qendrës së skijimit, ndërsa 1 hektarë për ndërtimin e hotelit, i cili do të jetë pjesë e kompleksit. Kohëzgjatja e partneritetit publiko-privat parashihet të jetë 40 vite./Insajderi.com