Rastet e “Peshqve të mëdhenj” që EULEX i la në dorën e drejtësisë vendore

Të paktën tri nga rastet më të mëdha të krimit të organizuar dhe korrupsionit janë në mesin e mbi 200 rasteve tjera që Eulex-i, i ka lënë në dorë të Institucioneve të Drejtësisë kosovare. Mandati i EULEX-it përfundon në muajin qershor. Azem Syla, Ukë Rugova dhe Sami Lushtaku, që të tre janë duke u mbrojtur në liri, rastet e tyre tash do të gjykohen nga vendorët

Rastet e “Peshqve të mëdhenj” që EULEX i la në dorën e drejtësisë vendore

U deshën vetëm 20 ditë, prej kohës kur rasti i njohur si “Toka” kaloi nga EULEX te vendorët dhe gjyqtari të cilit iu nda lënda, Beqir Kalludra të marrë vendimin për lirimin nga paraburgimi të Azem Sylës.

Ish- deputeti i PDK-së Azem Syla, akuzohet si drejtues i grupit prej 39 personave për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Ndërsa që nga 12 marsi Syla, mbrohet në liri.

Me 20 shkurt kur kryetari i trupit gjykues të EULEX, Petko Petkov, e kumtoi lajmin se rasti kalon te vendorët u kundërshtua fuqishmë nga prokurori i këtij rasti, Danilo Cecarreli.

Cecarreli paralajmëroi se transferimi i kësaj lënde do të jetë edhe fundit i rastit.

“Transferimi i këtij rasti tek vendorët domethënë që është përfundim i rastit dhe të gjithë e dimë se pse”, kishte thënë prokurori Cecarelli, duke e cilësuar transferimin si turp për EULEX-in.

Pas vendimit për lirimin e Azem Sylës nga paraburgimi, Prokuroria Speciale pritet të ankohet në Gjykatën e Apelit.

Ekrem Lutfiu nga Prokuroria Speciale, ka thënë për Gazetën Insajderi, se prokuroria deri më tash ende nuk ka marr vendimin nga Gjykata.

“Prokuroria ende nuk e ka marrë vendimin. Sapo ta marrin vendimin, atëherë Prokuroria do të ankohet”, ka thënë Lutfiu.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën në fund të vitit 2016. Aktakuzën voluminoz  prej 264 faqeshe të grupit të Azem Sylës e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit të kaluar.

Insajderi për gjatë dy viteve ka raportuar për të bëmat e Azem Sylës i njohur si “Daja”.

Rasti “Tokat” është vetëm njëri nga 200 lëndët që Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ka transferuar të institucionet e drejtësisë vendore.

Zëdhënësja e Eulexit, Donjeta Berisha-Rizaj tha për Insajderin se transferimi i lëndëve ka nisur nga viti 2014.

“Për shkak të transferimit gradual të funksioneve ekzekutive të EULEX-it tek autoritetet vendore, gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë nuk do të jenë pjesë e gjykatave vendore që nga 15 qershori i ketij viti. Transferimi i lëndeve ka filluar qysh në vitin 2014”.

“Deri më tani më shumë se 200 raste kanë kaluar në PSRK dhe në Zyrën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës”, tha Berisha-Rizaj.

Mirëpo Eulex, mandati i të cilit përfundon në qershor nuk ka treguar për Insajderi se edhe sa lëndë të tjera mund të kalojnë nga ta te vendorët. Ndërkohë që nuk kanë pranuar të flasin për rastet specifike.

EULEX dorëzoi edhe një nga rastet më të mëdha të krimit të organizuar

Një rast tjetër i madh i krimit të organizuar, i njohur si rasti i “Vizave Italiane”  në fillim të këtij viti kaloi te vendorët.

Ukë Rugova, djali i presidentit historik Ibrahim Rugova, ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija dhe 18 të tjerë akuzohen për krim të organizuar.

Një seri shkrimesh e biseda të zhvilluara mes Ukë Rugovës, Astrit Haraqisë dhe 18 të tjerëve i kishte publikuar Gazeta Insajderi të njohura si “Dosja Grande”.

Një hetim ndërkombëtar prej 26 muajsh ka zbuluar se djali i presidentit Ibrahim Rugova, Uka, dyshohet se është i përfshirë në veprat më të rënda kriminale. Ai, pos biznesit të paligjshëm me viza, dyshohet se ka lidhje me trafikim ndërkombëtar të drogës dhe armëve.

Kundër grupit, lider i të cilit ishte Ukë Rugova, në maj të vitit 2016 ishte ngritur aktakuzë me 18 pika.

Grupi i Rugovës dyshohet se për një vizë italiane ka fituar nga 2700 deri në 3.500 euro.

Rastin e kishte marrë ta trajtonte misioni evropian për sundim të ligjit – EULEX.

Mbrojtja kishte kërkuar që të hidhet poshtë aktakuza por Gjykata e Apelit më 25 shtator 2017, kishte refuzuar një kërkesë të tillë.

Por, në janar të këtij viti Eulex e transferoi lëndën të institucionet vendore.

Kryetarja e Gjykatës së Prishtinës Afërdita Bytyqi e pati konfirmuar transferimin e kësaj lënde si dhe kishte njoftuar se rasti do të gjykohet nga gjykatësja vendore Naime Jashanica.

EULEX ka hequr dorë nga rasti në kohën kur seancat fillestare ishin mbajtur dhe rasti kishte nisur të gjykohej.

Ndërkaq, Gjykata Supreme para tri ditësh, refuzoi kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Sipas arsyetimit të këtij vendimi, thuhej se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet vetëm kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore, e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë.

Ndërsa, në këtë rast, sipas arsyetimit, procedura nuk ka përfunduar në formë të prerë, andaj kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e palejuar.

Nga ana tjetër zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi” se seancat në këtë rast pritet që shumë shpejt të caktohen, pasi që një gjë e tillë kishte mbetur peng i kësaj përgjigje nga Supremja.

Tenderi 6-milionësh i KEK-ut

Edhe ish- kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku i ka “shpëtuar” gjykimit nga gjyqtarët e EULEX-it për një rast korrupsioni.

Misioni Evropian për Sundim të Ligjit EULEX,  në mars të vitit të kaluar ka hequr dorë nga rasti i tenderit gjashtë milionësh të sigurimit fizik të objekteve të KEK-ut.

Shtatë persona akuzohen në këtë rast në mesin e tyre drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Ata akuzohen për veprat penale të mashtrimit, keqpërdorimit të detyrës dhe shtytjes në keqpërdorim të detyrës, lidhur me një tender milionësh të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Skandalet e EULEX-it

Në Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) që kishte ardhë në Kosovë me shumë zhurmë për të kapur peshqit e mëdhenjë, në vitin 2014 shpërthyen skandale.

U publikuan fakte për përfshirjen e prokurorëve dhe gjykatësve të EULEX-it në kurdisjen e gjykimeve.

Madje kishte pushuar nga puna prokuroren britanike Maria Bamieh, e cila ka siguruar provat për këto çështje.

Ajo pretendonte se gjykatësit janë përfshirë në afera për mbylljen e rastit penal kundër Fatmir Limajt, Ilir Tolajt dhe në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraça”.

Së fundmi Malcolm Simmons ish-kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it i cili dha dorëheqje duke akuzuar BE-në për korrupsion në misionin e saj në Kosovë.

Por, Insajderi pati gjetur se vet Simmons ka mashtruar me vite të tëra me doktoraturën e tij nga një universitet që ka shitur diploma.

Insajderi ka kontaktuar me HEED, insitutucioni zyrtar i Arsimit të Lartë në Mbretërinë e Bashkuar për verfikimin e diplomave dhe të Universiteteve, dhe ata kanë konfirmuar se diplomat e “FairFax University” nuk vlejnë në sistemin e Britanisë si diploma të cilat mund të përdoren për ndonjë gradim në karrierë.

Kështu avokati i dështuar në Britani ishte bërë gjyqtari më i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

EULEX-it zyrtarisht i [ërfundon mandati me 14 qershor të këtij viti./Insajderi.com