Rafet Rama shkel ligjin për deputetët, vazhdon afërsinë me “Capital”

Kundër-kandidati i Thaçit për president, deputeti Rafet Rama, vepron në kundërshtim me ligjin për deputetët që nga mandatimi i tij, në korrik të 2014-es. Rama mban postin e këshilltarit në firmën private “Capital”, përkundër ndalesës që parasheh ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit. Agjencia Kundër Korrupsion e kishte trajtuar rastin e Ramës. Kishte konkluduar se deputeti nuk është duke shkelur ligjin pasi që nuk mban postin e këshilltarit në këtë firmë private, ndonëse Rama e deklaron publikisht këtë fakt.

Rafet Rama shkel ligjin për deputetët, vazhdon afërsinë me “Capital”

Deputeti i PDK-së, Rafet Rama, vazhdon të mos e respektoi ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit që nga mandatimi i tij, më 7 korrik të vitit 2014.  Ligji ndalon deputetët që të mbajnë post të këshilltarit në kompani private.

Përkundër ndalesës, deputeti Rama vazhdon të mbajë këtë post në kompaninë “Capital”, një institucion financiar jo-bankar.

Po ashtu, e deklaron rregullisht këtë pozitë në deklarimin e pasurisë që dorëzohet në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Të njëjtën e ka bërë edhe më 30 prill të këtij viti, në deklarimin e fundit të pasurisë.

Ka shënuar sërish se mban postin e këshilltarit për çështje ekonomike në kompaninë “Capital”. Ka nënvizuar se këtë pozitë në firmën private e mban që nga 1 maji i vitit 2013.

Rama, bazuar në deklarimin e pasurisë së tij, paguhet 6 mijë euro në vit nga kjo kompani private. Ndërkaq mbi 21 mijë euro në vit paguhet nga Kuvendi i Kosovës.  Tjetër burim i të ardhurave për të është edhe paga si invalid i luftës. Ka shënuar se merr 3 mijë e 816 euro nga shteti si pjesë e kategorive të dala nga lufta.

Pasuria e tij e paluajtshme- e përbashkët- kap vlerën e mbi 240 mijë eurosh ndërsa posedon një veturë BMË X3 në vlerë prej mbi 13 mijë euro.

Të ardhura prej mijëra eurosh në vit ka edhe bashkëshortja e tij që punon në ndërmarrjën publike “Posta e Kosovës”. Xhyljetë Izmaku-Rama mban pozitën e drejtoreshës së Departamentit për Burime Njerëzore, Administratë dhe Protokoll. Paguhet 26 mijë e 700 euro në vit nga Posta e Kosovës, e cila është konkurrente në treg me kompaninë private që këshillohet nga deputeti Rama.

Të njëjtin post, këshilltar për çështje ekonomike- deputeti Rama e kishte deklaruar edhe vitin e kaluar.  Pas deklarimit të kësaj pozite, ishte hetuar nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Deputeti Rama, në tetor të 2015-es, i pati thënë Gazetës Jeta në Kosovë se nuk tërhiqet nga ky post, pa ia kërkuar dikush nga institucionet shtetërore.

Mirëpo, Agjencia Kundër Korrupsion që obligohet ta bëjë një gjë të tillë, e bëri krejtësisht të kundërtën.

Kjo agjenci, më 11 nëntor të vitit të kaluar, kishte vendosur që të mbyllte rastin kundër deputetit të PDK-së.

Kishte konkluduar se deputeti Rama nuk mban postin e këshilltarit në këtë kompani por postin e koordinatorit. Agjencia kishte bërë këtë konkludim edhe përkundër se vetë Rama kishte deklaruar diçka tjetër në deklarimin e pasurisë. Megjithatë, Agjencia kishte vendosur që të besojë deklarimin që Rama ka bërë në zyrat e këtij institucioni e jo deklarimin e pasurisë, të cilin e  ka bërë publikisht.

Vendimi i AKK-së citon ligjin mbi përgjegjësitë e deputetit që ndalon mbajtjen e postit të këshilltarit në kompani private.

“… me këtë ligj (ligji për deputetët) ndalohet që Deputeti gjatë mandatit të tij të veproj në cilësinë  e këshilltarit apo përfaqësuesit ligjor të kompanive private ose biznese (Neni 7. Paragrafi 2), si dhe disa ndalesa tjera, por që nuk lidhen me rastin konkret dhe pozitën konkrete të Deputetit Rama, të prezantuar sipas kontratës”, thuhet në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Vendimi i AKK-së pohon se Rama mban postin e koordinatorit në këtë kompani private dhe se ky post nuk ceket në ligjin për deputetët.

“Z. Rama në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka sjellë kontratat e kaluara dhe atë valide me IFJB “Capital”, në të cilat shihet se ai ka pasur një kontratë në periudhën prej 01.03. 2013 deri më 01.03. 2015 në pozitën “Koordinator për punë në IFJB “Capital”. Kjo kontratë, me po këto detyra dhe përgjegjësi, z. Rama i është vazhduar përsëri me datë 01.03.2015 deri në periudhën 31.12.2015”, thuhet nëvendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion.