Prokurori Blakaj frikësohej se jetonte afër një xhamie

Raporti zyrtar i Policisë: Asnjë kërcënim direkt

Prokurori Elez Blakaj, nuk ka pasur asnjë kërcënim direkt me jetë gjatë karrierës së tij. Ai ka raportuar vetëm një rast në Policinë e Kosovës, se kishte pranuar një mesazh nga një kosovar nga Vitia që jeton në Francë. Në mesazh thuhej: Dënoi kriminelët, mos i dëno hoxhallarët”. Mesazhin e kishte marrë një ditë para shpalljes së aktgjykimit kundër, imamit Shefqet Krasniqi. Blakaj, ndihej i shqetësuar për shkak se jetonte afër një xhamie të improvizuar në lagjen “Lakrishte” në Prishtinë, të cilën e frekuentojnë njerëz të dyshuar për terrorizëm. Policia e ka marrë me seriozitet këtë mesazh. I ka ofruar mbrojtje, prokurorit Blakaj, por këtë e ka refuzuar ai. Policia ia ka bartur fëmijët e prokurorit deri në shkollë-çerdhe dhe anasjelltas. Në raportin e Policisë, nuk përmenden kërcënime tjera të raportuara nga Blakaj.

Prokurori Blakaj frikësohej se jetonte afër një xhamie

Prokurori Elez Blakaj, ka raportuar vetëm një rast të marrjes se një mesazhi nga një përkrahës i Shefqet Krasniqit.

Mesazhi, nuk kishte përmbajtje kërcënuese. Megjithatë, Blakaj është ndjerë i kërcënuar. Për këtë arsye kishte kërkuar mbrojtje të fëmijëve të tij nga Policia, për një periudhë prej tre muajsh.

Insajderi, ka siguruar raportin e vlerësimit të rrezikshmërisë së prokurorit Blakaj dhe familjes së tij. Aty përmenden të gjitha masat, hetimet, sugjerimet dhe veprimet e Policisë. Sqarohet po ashtu se Blakaj, kishte refuzuar mbrojtjen e afërt me arsyetimin se nuk ndihej i rrezikuar.

Blakaj, tashmë ish-prokuror i Prokurorisë Speciale, aso kohe po e akuzonte imamin e Prishtinës, Shefqet Krasniqin për vepra që lidhen me terrorizmin, si dhe po hetonte manipulimet me lista të veteranëve të UÇK-së.

Pa dhënë asnjë arsye zyrtare, Blakaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit.

Në raportin e Policisë, përmendet mesazhi i një mërgimtari nga Vitia që jeton në Francë. Në mesazhin e dërguar në Facebook, shkruante: Dënoi kriminelët e jo hoxhallarët”.

Në raportin e Njësisë për Vlerësimin e Rrezikshmërisë që ka siguruar Insajderi, shkruan se me “urdhër të drejtorit, nënkolonel Neshat Flugaj, NJVKRR-ja me 21 mars 2018 rreth orës 09:00 ka qenë në ndërtesën e Prokurorisë Speciale te Kosovës dhe ka kontaktuar prokurorin Special të Prokurorisë Speciale Elez Blakaj.

“Prokurori na ka informuar se përmes rrjetit social Facebok në mesengjer nga një person i panjohur kishte pranuar një mesazh me përmbajtje kërcënuese, po ashtu edhe ne viber kishte pranuar një mesazh me fjale kërcënuese ku thuhet “dënoj kriminelet e jo hoxhallarët”, nga personi me emrin L. L, ne lidhje me rastin e gjykimit të z. Shefqet KRASNIQI që pritet të mbahet shpallja e aktgjykimit ditën e premte të datës 23 mars 2018. Z. Blakaj edhe me herët kishte dëgjuar disa fjale se sa i përket rastit te Shefqet Krasniqit të ketë kujdes”, shkruan në raportin e njësisë.

Aty thuhet se Blakaj nuk e ndjen vetën të rrezikuar dhe se nuk ka pasur kërcënime tjera, por ishte i shqetësuar për familjen dhe fëmijët e tij.

“Z. Blakaj deklaroj se sa i përket këtyre mesazheve personalisht nuk e ndien veten te rrezikuar dhe se nuk ka pasur me herët ndonjë raste te kërcënimit apo sulmit ndaj tij, por brengën me të madhe e ka tek familja  dhe fëmijët e tij, për shkak se vendbanimi i tij gjendet përball rrugës ku gjendet edhe një xhami e cila është e improvizuar dhe se atë e frekuentojnë një numër i madh i njerëzve, ku sipas tij ka edhe persona të dyshuar për vepra penale të terrorizmit”, shkruan në raport.

Prokurori Blakaj, kishte kërkuar që fëmijët e tij të dërgoheshin në shkollë dhe në çerdhe të shoqëruar nga Policia për një periudhë kohore prej tre muajsh.

“Ndërsa sa i përket vetes ai deklaroi se për momentin nuk ka nevojë për mbrojtje te afërt pasi që posedon edhe armë zyrtare, por t’i sigurohet një vozitës nga institucioni ku ai punon, i cili me pastaj duhet ta marrë prokurorin nga shtëpia, ta dërgojë në punë dhe anasjelltas”, shkruan në raport.

Policia thekson në raport se Blakaj, kishte armë me leje.

“Vlen të ceket se z. Elez Blakaj posedon armë me leje. Për momentin ai udhëton me veturën e tij private e nganjëherë dhe me taksi”.

Raporti saktëson po ashtu se rreshteri i Policisë, Premtim Mustafa, kishte identifikuar personin që i kishte dërguar mesazh, Elez Blakajt. Ai jeton në Francë dhe është nga Vitia.

Në raport shkruan se me 31 mars 2008, Njësia për Vlerësimin e Rrezikshmërisë ka pranuar raportin nga Drejtoria e Inteligjencës dhe Analizës. Kjo njësi thotë se nuk kanë asnjë informacion për ndonjë sulm të mundshëm kundër prokurorit special, Elez Blakaj.

“Duke u bazuar në të gjitha këto që u ceken më lart, duke pasur parasysh rastin e fundit qe është marrë prokurori z. Elez Blakaj, si dhe rastet senzitive qe është duke punuar, ku në ato raste ka shumë persona me rrezikshmëri të lartë (të dyshuar për Terrorizëm, etj), NJVKRR-ja si preventivë lidhur me sigurinë e Prokurorit z. Elez BLAKAJ dhe familje se tij ka bërë disa rekomandime”, shkruan në raport.

Policia jep sugjerime standarde të marrjes së masave për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm. Rekomandimi përmbanë 7 pika.

Në pikën e parë shkruan se drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtine duhet të bëjnë përcjelljen e fëmijëve të prokurorit BLAKAJ, (të shkojnë në shtëpi t’i marrin fëmijët, dhe ti dërgojnë, njërin në kopsht e tjetrin në shkollë, dhe pas përfundimit të orarit, t’i kthejnë në shtëpi). Policët të jenë të veshur me rroba civile dhe të jenë çdo herë në gjendje gatishmërie për veprim nëse një gjë e tillë kërkohet.

Në pikën e dytë shkruan se prokurorit Blakaj, duhet t’i caktohet një shofer nga institucioni ku punon gjatë orarit të punës., Rekomandohet që vetura të jetë civile dhe pa targa zyrtare.

Në pikën tre shkruan se Policia duhet të ketë patrullime të shpeshta afër vendbanimit të prokurorit, Blakaj.

Në pikën katërt rekomandohet që familjarët e Blakajt, të jenë të kujdesshëm gjatë gjithë lëvizjeve, dhe t’i reduktojnë ato në vende ku ka prani të madhe të njerëzve.

Në pikën e pestë i rekomandohet prokurorit, Blakaj që të vendos kamera të sigurisë në banesën e tij.

Në pikën e gjashtë Policia rekomandon që Blakaj, të ketë kujdes ku e parkon veturën dhe mos ta ndez atë pa e kontrolluar fillimisht.

Po ashtu në pikën e shtatë rekomandohet prani e Policisë afër shkollës, përkatësisht çerdhes së fëmijëve të tij.

“Nëse në të ardhmen Prokurori z. Elez Blakaj pranon ndonjë kërcënim lidhur me sigurinë e tij, apo i njëjti kërkon që të ketë mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës, atëherë atij mund t’i rekomandohet mbrojtja e afërt”, shkruan në raport.

Rekomandimet është udhëzuar të zbatohen nga 22 marsi i këtij viti. /Insajderi.com