Prokuroria heton për të tretën herë Mimoza Kusari –Lilën

21.08.2017

Prokuroria Speciale është duke hetuar Mimoza Kusari – Lilën për vepër penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare. Hetimi lidhet me punën e saj si ministre e Tregtisë dhe Industrisë. Dy hetime tjera më herët për çështje të laboratorëve të naftës ishin zhvilluar kundër saj. Ishin mbyllur në mungesë të provave. Kusari – Lila thotë se nuk ka informacion që po hetohet. Ajo nuk e përjashton mundësinë që hetimi të lidhet me presion për t’’ia garantuar numrat koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Prokuroria heton për të tretën herë Mimoza Kusari –Lilën

Dy hetime thuajse për të njëjtën çështje janë hapur dhe mbyllur kundër deputetes Mimoza Kusari Lila.

Megjithatë një hetim i ri është hapur së fundi kundër saj për punën si ministre e Tregtisë dhe Industrisë. Me këtë rast është ngarkuar prokurori special, Agron Bajrami, ka mësuar Insajderi.

Hetimi ka të bëjë me një kallëzim penal të dorëzuar në Prokurori pesë vjet më parë nga dy trupa private inspektuese të kontrollit të cilësisë së naftës, të cilat nuk ishin angazhuar nga Kusari Lila sa ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë, por ishte angazhuar një kompani kroate e quajtur “Saybolt Pan Adriatika”.

Kallëzimi penal i përbashkët ishte bërë nga “Kosova-Lab” që drejtohej nga Bekim Shyti dhe “SIERRA-Lab” e përfaqësuar nga Ejup Gashi.

Bazuar në këtë kallëzim, Prokuroria kishte kryer hetime dhe nuk ishin gjetur elemente të veprës penale. Pavarësisht mbylljes së hetimeve, Prokuroria ka hapur hetime tjera kundër Kusari Lilës dhe disa zyrtarëve tjerë të MTPT-së.

Një hetim tjetër ishte zhvilluar nga një prokuroree vendëse e Prokurorisë Speciale. Edhe ky hetim ishte mbyllur në mungesë të provave.

Kryetarja e Partisë Alternativa që është në koalicion me LDK-në dhe AKR-në, Mimoza Kusari Lila thotë se nuk është e informuar për hetimin. Ajo dyshon se ky hetim po zhvillohet për të bërë presion në kohën kur koalicioni PDK-AAK-NISMA nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë.

“Kjo të unë nuk ju pinë ujë”, ka thënë Kusari Lila për Insajderin.

Kusari – Lila ka thënë se nuk është në dijeni për këtë hetim, sikurse siç ka thënë ajo nuk ka qenë në dijeni as kur ishte hetuar në të kaluarën.

“Në vitin 2012 ka ardhur një vendim i Prokurorisë në Ministri me të cilin jemi njoftuar se ka pasur hetime. Në vendim thuhej se pas kryerjes së hetimeve nuk ka pasur elemente të veprës penale dhe për këtë arsye janë mbyllur. Në vendim po ashtu thuhej se palët kishin të drejtë për kontest civil në gjykatë”, ka sqaruar ajo.

Sipas saj kallëzimet penale ishin bërë pasi ajo kishte vendosur të krijonte rregull në tregun e naftës.

Insajderi ka mësuar se vendimin për nisje të hetimeve e ka marrë prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Feti Tunizliu. Lënda pastaj ishte dërguar në kompetencë të Prokurorisë Speciale këtë muaj. I është ndarë prokurorit, Agron Bajrami.

Bajrami ndërkohë ka autorizuar Policinë për të kryer hetime dhe për të intervistuar dëshmitarë. Me autorizim të tij, është intervistuar të enjten e javës së kaluar, Jakup Gashi – pronar i laboratorit “SIERRA-Lab”.

Insajderi e ka pyetur Prokurorinë për procedurat e ndjekura të hetimeve të reja. Por, Prokuroria për më shumë se një javë nuk ka sqaruar se për çfarë bëhet fjalë.

“Lidhur me rastin në fjalë Prokuroria Themelore e Prishtinës ka pranuar rastin nga EULEX dhe në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale me datën 3/4/2017 ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër katër personave si dhe ka autorizuar Policinë e Kosovës për marrjen e veprimeve të duhura hetuese”, ka thënë Prokuroria nëpërmjet zyrës për media.

Prokuroria ka thënë se i njëjti rast është bartë nga kompetenca e Prokuroria Themelore të Prishtinës në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Lidhur me ketë rast ju njoftojmë se Prokuroria e Shtetit ka mbyllur hetimet ndaj një personi por ndaj personave tjerë janë duke vazhduar hetimet”, ka sqaruar Prokuroria, pa treguar se për cilët persona bëhet fjalë.

Sipas Prokurorisë ky hetim është rast i ri dhe nuk ka të bëjë me dy hetimet e mëhershme.

I kontaktuar nga Insajderi, njëri prej kallëzuesve penal të Kusari – Lilës, Jakup Gashi, ka konfirmuar se është marrë në pyetje.

“Jam marrë në pyetje, jam marr edhe më herët, edhe tash”, ka thënë ai.

“Unë shpresoj që Policia e Kosovës ta kryej punën e vet dhe ta vazhdojë dhe të përfundojë kjo lëndë, d.m.th. të ngritët kallëzim penal, meqë ka shumë fakte, edhe ka bazë me u ngrit kallëzimi penal”, ka deklaruar ai./Insajderi.com