Prokuroria gënjen publikisht rreth hetimeve kundër presidentit Thaçi

06.12.2016

Organi i akuzës është munduar që me anë të një deklarate të rrejshme të arsyetojë mbylljen e hetimeve kundër presidentit Hashim Thaçi. Në një përgjigje për Insajderin, prokuroria ka thënë se hetimet janë mbyllur për shkak se dëshmitë e mbledhura nga UNMIK-u janë të paligjshme. Por, në vendimin e siguruar nga Insajderi thuhet se nuk ka prova se Thaçi ka kryer krimin për të cilin dyshohej. Aty përmendet tërheqja e dëshmitarit-viktimës nga dëshmia e dhënë në vitin 2000.

Prokuroria gënjen publikisht rreth hetimeve kundër presidentit Thaçi

Prokuroria e Shtetit ka gënjyer publikisht kur është munduar të arsyetojë mbylljen e hetimeve për krime lufte të nisura nga EULEX-i, kundër presidentit, Hashim Thaçi.

Në një përgjigje për Insajderin ditë më parë, Prokuroria ka thënë se hetimet për rrëmbimin e aktivistëve të LDK-së, Cen Desku dhe Jakup Kastrati, janë mbyllur për shkak se dëshmitë e mbledhura nga UNMIK-u në vitin 2000 janë marrë në mënyrë të paligjshme.

Mirëpo, vendimi i prokurorit special Reshat Millaku për mbyllje të hetimeve nuk e thotë një gjë të tillë. Aty thuhet se arsyeja e mbylljes se hetimeve është se nuk ka prova që Thaçi është i implikuar në këtë vepër. Theksohet se dëshmitari-viktima është tërhequr nga dëshmitë e dhëna para hetuesve të UNMIK-ut, i cili kishte thënë se ishte rrëmbyer me urdhër të Hashim Thaçit.

“Ju informoj se deklaratat e dëshmitarëve dhe deklaratat e të dëmtuarve të dhëna gjatë hetimeve para hetuesve të UNMIK-ut, nuk janë marrë në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Të njëjtit para se të japin deklarata nuk janë njoftuar për të drejtat dhe obligimet e tyre si dëshmitarë apo të dëmtuar”, ka thënë Prokuroria e Shtetit në një përgjigje për Insajderin.

Mirëpo, në vendimin e prokurorit, të siguruar nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, nuk përmendet kurrkund ky fakt.

“Duke pasur parasysh këtë që u tha më lartë, rrjedhë se nuk ka asnjë provë se të pandehurit kanë marr pjesë në arrestimin dhe mbajtjen e tani të dëmtuarve – dëshmitarëve Cen Desku dhe Jakup Kastrati të përshkruar në pikën II të dispozitivit të Aktvendimit për fillimin e hetimit PPS nr. 91/ 2014 të datës 30.05.2014 dhe për pjesëmarrjen e të pandehurin Hashim Thaçi, në kryerjen vrasjeve të Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit të përshkruar në pikën I të dispozitivit të të njëjtit aktvendim.

“Andaj, në mungesë të provave është vendosur si në dispozitiv të këtij aktvendimi”, thuhet në këtë aktvendim, në të cilin nuk përmendet askund se dëshmitë nga UNMIK-u janë marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Insajderi ka raportuar ditë më parë se një hetim i nisur nga EULEX-i për krime lufte kundër presidentit Hashim Thaçi, është mbyllur nga një prokuror vendës, pak kohë pasi ishte ngarkuar me vazhdimin e hetimeve.

Mbyllja e dyshimtë e hetimeve për krime lufte kundër Hashim Thaçit

Thaçi ishte i dyshuar për pengmarrje si krim lufte, të Cen Deskut dhe Jakup Kastratrit më 30 tetor 1998. Ata ishin mbajtur të burgosur në mënyrë të paligjshme rreth një muaj në fshatin Sedllar të Lipjanit.

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte lëshuar komunikatë për arrestimin e tyre. Konsideroheshin të dëmshëm për luftën e UÇK-së.

Dy aktivistët e LDK-së që ishin liruar me ndërmjetësimin e OSBE-së, e kishin akuzuar Thaçin se ka qenë pjesëmarrës në kidnapimin e tyre. Dëshmitë fillimisht ia kanë dhënë misionit verifikues dhe më vonë edhe UNMIK-ut.

Sipas tyre, Thaçi ishte prezantuar me emrin “Sabit Geci” dhe “Ibrahim Gashi”, në momentin e kidnapimit.

Ky hetim është mbyllur para pak kohësh nga prokurori special, Reshat Millaku. Ai ka vendosur që dëshmitë e dhëna në UNMIK të mos i pranojë si prova të besueshme, por t’u besojë dëshmive të dhëna para tij nga viktimat.

Insajderi ka raportuar se vetë Thaçi është takuar personalisht me Cen Deskun në kohën kur po hetohej për krime lufte. Njërin prej këtyre takimeve e ka konfirmuar vetë Desku. Takimi ishte zhvilluar me ndërmjetësimin e Isni Kilajt, zëvendësministër i Financave nga radhët e PDK-së. Desku, ka thënë se me Thaçin kanë sqaruar disa “keqkuptime” të luftës.

Arsyetimi publik i Prokurorisë se deklaratat e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve të dhëna gjatë hetimeve para hetuesve të UNMIK-ut, nuk janë marrë në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, nuk është aplikuar edhe për Fatmir Limajn, që ishte nën hetime bashkë me Thaçin, Sabit Shalën dhe Lulzim Shurdhën.

Në aktakuzën kundër Limajt thuhet se dëshmitë nga UNMIK-u janë marrë në pajtim me Kodin e Procedurës Penale. Ai është akuzuar për krime lufte në rastin e vrasjes së Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit. Dëshmitari kyç ka ndërruar deklaratën. Në UNMIK ka thënë se në kohën kur ndodhej afër kufomave, Limaj me një person tjetër ia kishte marrë armën dhe ishte larguar. Kur është marrë në pyetje javë më parë, nuk e ka pranuar se i është marrë arma. Por, prokurorja Drita Hajdari e ka pranuar dëshminë e dhënë në UNMIK si të vërtetë, e jo dëshminë e dhënë para saj.

“Ndërsa, Fatmir Limaj është akuzuar për përgjegjësi komanduese, që sipas Prokurorisë është vërtetuar në bazë të dëshmive të dëshmitarëve të dhëna gjatë hetimeve dhe në bazë të provave materiale”, ka thënë Prokuroria për Insajderin.

Prokurori i EULEX-it, Cezari Mihalcuk kishte nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve kundër, Fatmir Limajt, Sabit Shalës, Lulzim Shurdhës dhe Hashim Thaçi, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte: Vrasje – si krim luftë kundër popullsisë civile [….] sepse siç thuhet në aktvendim më 2 tetor 1998, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, të pandehurit duke vepruar me një plan të dakorduar bashkërisht, kanë vrarë Ramiz Hoxhën dhe Selman Binishin.

Në vendim më tej thuhet se hetimi është hapur edhe për veprën penale: Marrje e pengjeve – si krim lufte kundër popullsisë civile [….] “sepse më 30 tetor 1998, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, të pandehurit duke vepruar me një plan të dakorduar bashkëshkrish, e kanë mbajtur Cen Deskun dhe Jakup Kastratin kundër vullnetit të tyre dhe pa ndonjë urdhër të ndonjë agjencie legjitime të rendit, për një muaj në një shtëpi që ndodhet në Sedllar, duke i privuar nga liria.

Prokurori sqaron se më 30 tetor 1998, Cen Desku e Jakup Kastrati janë kidnapuar dhe rrahur nga anëtarë të UÇK-së.

Ata janë mbajtur për rreth një muaj në një shtëpi në Sedllar, nën akuzat se kanë qenë kolaboracionistë të Selman Binishit e Ramiz Hoxhës.

“Jakup Kastrati ka deklaruar se Sabit Shala ka qenë shoferi dhe se arrestimi i tij është urdhëruar nga Hashim Thaçi”, thuhet në vendim.

Më 18 gusht të vitit 2000, Cen Desku dhe Jakup Kastrati kanë dëshmuar para hetuesve të UNMIK-ut për rrethanat e arrestimit të tyre. Cen Desku ka thënë se kidnapuesit e tij janë ushtarët e UÇK-së Skender Hoti, Demush Kastrati, Femi Kryeziu, Shefqet Mazreku dhe Ibrahim Gashi, që e paraqiste veten si Sabit Geci, por që më vonë është identifikuar si Hashim Thaçi.

Në vendimin e prokurorit Millaku për mbylljen e hetimeve thuhet se ka dëgjuar të gjithë të pandehurit, të dëmtuarit në cilësinë e dëshmitarit dhe dëshmitarët.

“Të pandehurit në mbrojtjen e dhënë pranë kësaj Prokurorie theksojnë se tani të dëmtuarit – dëshmitarët Cen Deskun dhe Jakup Kastratin nuk i kanë njohur, me përjashtim të të pandehurit Hashim Thaçit, i cili është mbrojtur se Cen Deskun e ka njohur edhe më parë sepse kanë raporte familjare dhe të gjithë theksojnë se nuk dinë kush i ka arrestuar dhe mbajtur në fshatin Sedllarë”, thuhet në vendimin për mbyllje të hetimeve.

Dëshmitari, Cen Desku, teksa ka mohuar deklaratat e dhëna në UNMIK i ka thënë prokurorit se Thaçin nuk e ka njohur më parë.

“Dëshmitari, thotë se të pandehurit Hashim Thaçi dhe Lulzim Shurdha nuk i ka njohur ma parë. Dëshmitari u njoftua me dy deklaratat e tij të dhëna me 18.08.2000, thekson se nënshkrimet në këto dy deklarata janë të tij. Emrin e tani të pandehurit Hashim Thaqit e ka përmendur sipas deklaratave të njerëzve, emrat e të cilëve nuk din”, shkruan prokurori Millaku në këtë vendim.

Por, në një bisedë për Insajderin Desku ka pohuar takimet me të dyshuarin për rrëmbimin e tij – Hashim Thaçin.

“Jemi taku përmes një shoku tem ni Isnik Kilaj. Jemi themelues të Lidhjes Demokratike prej viteve të’ 90-ta edhe ai është kryetar i partisë të Thaçit në Malishevë edhe hajde takohum, pimë kafe. Po takohum unë pse jo, s’kom unë ndaj shqiptarëve asni…”, ka thënë Desku.

[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=_tsb_CqtvxI” thumbnail=”74595″/]

Desku ka thënë se në këtë takim kanë biseduar më shumë për punët gjatë viteve të ‘90-ta. Ka thënë se kanë folur për qëndresën ndaj Serbisë.

“Na kena pas organizmin politikë dhe ushtarak në Kosovë. Kemi ba qëndresë këtu edhe tani kanë ndodhë ato kufizimet gjatë luftës. Kanë ndodhë edhe do keqkuptime, kështu që kanë kaluar ato”, ka thënë Desku.

Arrestimin e Cen Deskut dhe Jakup Kastratit e kishte marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Komunikata numër 4 flet për motivet e arrestimit. Aty përmendet edhe vrasja e dy civilëve, për çka po akuzohet Fatmir Limaj për përgjegjësi komanduese.

“Policia Ushtarake e nënzonës operative të Pashtrikut me datën 30. 10. 1998 ndërmori masën e arrestit ndaj Jakup Kastratit nga fshati Turjakë të Komunës së Malishevës, kryetar i LDK-së, Dega në Malishevë dhe Cenë Deskut, nga fshati Siqevë me vendbanim në Malishevë, nënkryetar i kësaj dege”, shkruan në komunikatën e Shtabit të UÇK-së.

“Në bazë të të dhënave të Shërbimit informativ të UÇK-së të lartpërmendurit kanë propaganduar për dorëzimin e armëve në bashkëpunim me kolaboracionistët, Selman Binishi nga fshati Banjë dhe Ramiz Hoxha nga Bellanica, kohë më parë i ekzekutuar nga UÇK-ja si dhe janë në koordinim të vazhdueshëm me Agim Krasniqin, anëtar i Kryesisë së LDK-së i cili shërbimit informativ të UÇK-së i është i njohur si inspirues i luftës speciale kundër UÇK-së dhe nismëtar i njëfarë policie autonomiste të Kosovës”, thuhet në tej në komunikatën numër 4.

Drejtoria Policisë Ushtarake të UÇK-së thoshte se sektori i hetuesisë, është duke kryer hetime kundër të arrestuarve, Jakup Kastrati dhe Cenë Desku në burgun hetues numër 3./Insajderi.com

thaci-1

thaci-2

thaci-3

thaci-4

thaci-5