Profili i Ramush Haradinajt – Një jetë kushtuar postit të madh

17.05.2017

Për koincidencë, Haradinaj, kryetari i partisë së katërt në vend, mori pajtimin që të jetë kandidat për kryeministër në të njëjtën ditë që e takoi Ilir Metën, presidentin e Shqipërisë. Rrugëtimi i tyre në politikë ka ngjashmëri. Më shumëfish më pak vota sesa partitë e mëdha kanë synuar pozitat më të larta në vend. Megjithatë, ka edhe dallime mes rrugëtimeve të tyre. Meta ka ekzekutuar rolin e politikanit të fuqishëm kalkulues, “Kingmakerit”, dhe ka arritur të fitojë pozitat e kërkuara. Haradinaj, në anën tjetër, ka qenë për kohë të gjatë “Kingmaker” në tentativë.

Profili i Ramush Haradinajt – Një jetë kushtuar postit të madh

Lufta kishte përfunduar dhe komandantët kishin ndarë pozitat në Qeverinë e Përkohshme, të drejtuar nga Thaçi. Më 1999 ishin krijuar edhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Ramush Haradinaj nuk ishte lider. Ishte zv/komandant i TMK-së.

Haradinaj në sytë e shumë dukagjinasve shihej si një hero, një djalë trim që kishte luftuar për çlirimin e vendit. Pozita e zëvendëskomandantit nuk ishte e mjaftueshme  për një njeri, i cili shihej si hero në zonën prej nga vinte – Dukagjini. Dha dorëheqje dhe formoi partinë e tij, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Përgjatë shumë viteve të rrugëtimit të tij politik, AAK-ja personifikohet me të. Haradinaj shihet si  themeluesi dhe pronari i saj dhe e ka udhëhequr partinë edhe nga distanca kur mbahej me vite në Hagë.

Gjersa ambiciet e tij rriteshin disa vite pas krijimit të partisë, Haradinaj kishte shfrytëzuar edhe momentin për t’u bërë kryeministër.Ishte viti 2004 kur kryetari i atëkohshëm i LDK-së, Ibrahim Rugova, kishte bërë një lëvizje që e dëmtonte rëndë kundërshtarin e tij të madh, Hashim Thaçin. E kishe lënë jashtë qeverisë, duke krijuar koalicion me AAK-në e Haradinajt.

Por, ish-komandanti i zonës së Dukagjinit në UÇK pas tre muajve u obligua ta lëshonte zyrën e kryeministrit. E kërkonte Tribunali i Hagës për t’u përgjigjur në akuzat për krime lufte.

“Kjo është një prej ditëve më të vështira të mia, por liria ka çmim të lartë dhe unë jetën time kam pasur edhe ditë të tjera të vështira”, tha Haradinaj më 8 mars të vitit 2005 në konferencën për shtyp, nëpërmjet të cilës e njoftoi largimin e tij nga Qeveria.

“Ajo që dua të them është se jam krejt i pafajshëm”, shtoi Haradinaj. Ashtu edhe doli. Haga e shpalli të pafajshëm pas tri vjetësh, më 8 prill të vitit 2008. Derisa ai mbahej në Hagë, përkrahësit e tij e kishin mitizuar 100-ditshin e Haradinajt si kryeministër.

Kur u kthye në Kosovë më 2008, Haradinaj kishte një synim të vetëm – Rikthimin në postin e lakmueshëm të kryeministrit. Haradinaj e kishte provuar për 100 ditë karrigen e udhëheqësit të ekzekutiv dhe nuk u ndal së besuari se mund të rikthehej.

I poshtëruar dhe i tallur nga Hashim Thaçi

Kur Haradinaj ishte kthyer i pafajshëm nga Haga, kundërshtari i tij i madh, Hashim Thaçi veç ishte akomoduar në pushtet.Drejtonte Qeverinë gjatë viteve 2008-2010 në koalicion me LDK-në e udhëhequr nga Fatmir Sejdiu.

Haradinajt i mbetej që të ishte një opozitar i ashpër i Thaçit. Me tërë arsenalin e kishte kundërshtuar në dy fushatat zgjedhore – në lokalet më 2009 dhe në ato parlamentare më 2010.

“Ju duhet të dilni në votime më 15 nëntor, që t’i thoni jo qeverisë së klaneve dhe të grupeve të interesit”, thoshte Haradinaj në nëntor të atij viti, gjatë fushatës zgjedhore lokale në qytetin e Ferizajt. “Qeveri të klaneve dhe e grupeve të interesit”, e kishte quajtur Hashim Thaçi qeverisjen e AAK-së asokohe.

Zgjedhjet kishin përfunduar, dhe më 2010 PDK-ja kishte përzgjedhur Aleancën Kosova e Re (AKR) të Behgjet Pacollit për të bërë koalicion.

AAK-ja e Haradinajt mbeti në opozitë. Synimi i Haradinajt ishte i largët. Ishte rikthyer sërish në Hagë. Në Kosovë do të kthehej sërish i pafajshëm, në vitin 2012.

Haradinajt i ishte bërë një pritje shtetërore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, e cila do të mbahej mend gjatë. Thaçi për të kishte shtruar tepihun e kuq.

“Shprehi falënderimin tim për pritjen e sotme dhe për kujdesin që më bëhet mua dhe bashkëluftëtarëve të mi”, kishte thënë Haradinaj.

Përpos tepihut të kuq, Haradinaj i kishte kërkuar Thaçit edhe diçka shumë më të madhe – postin e kryeministrit.

Thaçi e kishte shpërfillur dhe e kishte tallur më pas. Kjo kishte ndodhur vitin e kaluar, kur në Kuvend po diskutohej çështja e Gjykatës Speciale.

Haradinaj doli në foltore dhe tha se themelimi i Gjykatës Speciale do ta krijojë mundësinë që shumë shpejt edhe Thaçit t’i shtrohet tepihu i kuq, pasi ai është ndër të akuzuarit e parë që përmendet të raportin e Dick Martyt.

“Shikoni, me ranë ndërmend do situata. Tash po duhet me të thënë faleminderit që ma ke shtru tepihun e kuq kur kam ardhë, por unë s’po du me ta shtru ty, s’po kam qejf me të ba vaki as ty as kurrkujt”, kishte thënë Haradinaj. Thaçi i ishte kundërpërgjigjur për tepihun e kuq.

“Do të doja ta qartësoja z. Haradinaj sa i përket tepihut të kuq. Realisht unë e çmoj gatishmërinë që e ka tregu z. Haradinaj m’u ballafaqu me drejtësinë  –  i ka dalë mirë edhe atij, edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, edhe Kosovës. Mirëpo, pastaj në momentin që mendove se duhet me ardhë edhe në Zyrën e Kryeministrit (të bëhesh kryeministër)…, qaty ti e din…”, ishte tallur me të Thaçi gjatë seancës parlamentare.

Haradinaj tash sheh kah realizimi i ëndrrës së madhe

Gjersa Thaçi i shquar për politikan kalkulues dhe të fuqishëm e kishte tallur gjatë dhe nuk i ishte ofruar kurrë postin e kryeministrit, gjërat kanë ndryshuar me Kadri Veselin. Pasardhësi i Thaçit në PDK, Kadri Veseli, mbrëmë i ofroi postin e madh kreut të AAK-së.

Ramush Haradinaj është kandidat për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-NISMA. Ai dhe të tjerët në AAK iu gëzuan dorëzimit të Veselit dhe po marshojnë drejt realizimit të ëndrrës së liderit.

Veseli u kritikua se u frikësua nga tabori i udhëhequr nga LDK-ja dhe u dorëzua para kërkesës së Ramush Haradinajt për të qenë kryeministër. Ia dhuroi karrigen e synuar të kryeministrit, për të cilën kishte shpenzuar energji, mund dhe para duke organizuar ture dëgjimore me qytetarë dhe ekspertë.

Haradinaj e pranoi këtë favor nga Veseli, ndonëse publikisht ishte shprehur se kishte vija të kuqe ndaj PDK-së, e cila po e shkatërronte Kosovën sa ishte më bashkëqeverisje me LDK-në. Gjatë ditës Haradinaj deklaroi se nuk do të lëkundët nga kundërshtimi i demarkacionit, një kauzë e cila dha kontribut për ringjalljen e tij politike.

Nëse koalicioni i fiton zgjedhjet, Haradinaj do të jetë kryeministër i partisë shumëfish më të vogël sesa partia udhëheqëse e koalicionit-PDK-ja. Votimi apo mosvotimi i demarkacionit do të jetë çështje e komplikuar, sikurse në qeverisjen e kaluar.

Për koincidencë, Haradinaj, kryetari i partisë së katërt në vend, mori pajtimin që do të jetë kandidat për kryeministër në të njëjtën ditë që e takoi Ilir Metën, presidentin e Shqipërisë. Rrugëtimi i tyre në politikë ka ngjashmëri. Me shumë më pak vota sesa partitë e mëdha kanë synuar pozita më të larta në vend.

Megjithatë, dallimi është i madh. Meta ka ekzekutuar rolin e ‘Kingmakerit’ dhe ka arritur të fitojë pozitat. Haradinaj ka qenë në tentativë për vite më radhë. Ka fituar vetëm njëherë të vetme – për vetëm 100 ditë – dhe tash, si kandidat i koalicionit, ka mundësinë për ta bërë atë që Meta e ka bërë shpeshherë.