Prapaskenat e “Borea”-s multimilionëshe

Insajderi ka zbuluar se një sërë veprimesh të dyshimta janë ndërmarrë gjatë tenderimit të projektit të promovuar shumë si sukses i madh nga kryeministri në detyrë Isa Mustafa dhe dy ministrat në detyrë: Abdullah Hoti, kandidat për kryeministër dhe Hykmete Bajrami.

Prapaskenat e “Borea”-s multimilionëshe

Ishte gushti i vitit 2016 kur një sallë e një hoteli të Pejës ishte mbushur me afaristë. Po mbahej konferenca e investitorëve për projektin “Borea”.

Afaristët kishin ardhur për ta dëgjuar kryeministrin Isa Mustafa, ministren e Tregtisë  Hykmete Bajrami dhe ministrin e financave Abdullah Hoti. Aty ishte edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxherin.

Kryeministri i kishte ftuar të gjithë afaristët vendorë që të investojnë në këtë projekt.

“Qeveria do ta bëjë të gjithë atë që ka në dorë dhe me përgjegjësi për t’i ndihmuar afaristët të interesuarit për të investuar në këtë projekt”, kishte thënë Mustafa, duke iu uruar të gjithë biznesmenëve suksese në garë.

Por, asnjëri prej afaristëve vendor nuk kishte pasur sukses. Shumica prej tyre nuk kishin qenë të informuar se në fund fitues do të dilte një biznesmen, i cili ishte përfshirë në projektin “Borea”, një vit para mbajtjes së konferencës së investitorëve.

Është Valmir Krasniqi, një biznesmen shqiptar me banim në Zvicër, ai i cili doli të kishte fat, në vend të atyre që uroheshin nga Mustafa.

Komuna e Pejës më 19 prill të këtij viti shpalli fitues për ndërtimin e projektit “Borea”, kompaninë  “Filav S.A”, e cila është në konzorcium me kompaninë italiane “Leitner AG”.  Krasniqi është aksionar në “Filav S.A” bashkë me Philip Gauset.

Por, deri tek shpallja fitues e këtij konzorciumi në proces kanë ndodhur një sërë veprimesh të dyshimta. Insajderi ka zbuluar prapaskenat e vendimmarrjeve të dyshimta në projektin e ndërtimit të qendrës së skijimit në Pejë.

Dyshime për kurdisje në projektin multimilionësh

Për realizimin e projektit “Borea”, Komuna e Pejës i ka ofruar partnerëve privat 200 hektarë tokë për ndërtimin e qendrës së skijimit, ndërsa 1 hektarë për ndërtimin e hotelit, i cili do të jetë pjesë e kompleksit. Kohëzgjatja e partneritetit publiko-privat parashihet të jetë 40 vite.

Por, Insajderi ka zbuluar se janë ndërmarrë veprime të dyshimta gjatë procesit të tenderimit për ndërtimin e qendrës së skijimit në Pejë

Insajderi ka siguruar raporte interne të kompanisë “Filav S.A” me bazë në kantonin e Fribourgut, në Zvicër. Aty tregohen detaje që shpërfaqin dyshime të mëdha për favorizim të kompanisë “Filav S.A”. Një datë që figuron në këto raporte ka rëndësi të madhe. Është data 30 nëntor 2016.

Bazuar në regjistrat e biznesit në Zvicër, pikërisht me këtë datë është ndryshuar emri i kompanisë nga pronarët Krasniqi e Gauset. Deri më këtë datë kompania “Filav S.A” quhej “Fiholz S.A”. Arsyeja pse është ndryshuar emri i kompanisë nuk tregohet.

Të pandryshuar mbesin emrat e pronarëve. Gauset dhe Krasniqi ishin të vetmit pronar edhe në “Friholz”.

Historia e kësaj kompanie me projektin “Borea”,  nisi një vit para mbajtjes së konferencës së investitorëve në Pejë, ku biznesmenët ftoheshin të konkurronin për këtë projekt. Ishte data 10 shtator e vitit 2015, kur kompania “Friholz” publikoi në kanalin  e saj në yotoube një video 54 sekondëshe.

Aty shkurtimisht tregohej për projektin e ndërtimit të “Borea”-s. Në fund të videos tregohet se projekti është realizuar nga kjo kompani bashkë me “HES-SO” dhe Komunën e Pejës.

Nëshkrimi i draft-kontratës për projektin “Borea” nga kryetari Gazmend Muhaxheri

Kontradiktat e autoriteteve komunale të Pejës

Insajderi ka pyetur autoritetet komunale të Pejës se si është e mundur që të shpallen fitues biznesmenët, të cilët më herët kishin realizuar projektin ideor të ndërtimit të qendrës së skijimit “Borea”.

Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit Gazmend Muhaxheri, ka pohuar se autoritetet komunale nuk kanë informacione që biznesmenët Krasniqi dhe Gausset kanë ndryshuar emrin e kompanisë nga “Friholz” në “Filav”.

“Kjo është një informatë që në si Komunë nuk mund ta kemi, por as gjatë vlerësimit nuk behën hetime. Krejt çka ka qenë objekt i vlerësimit është evidentuar dhe janë vërtetuar referencat e ofruara”, ka thënë Sheremeti.

Megjithatë, shumica e përgjigjeve të zyrtarëve të Pejës, në pyetjet e Insajderit lidhur me projektin “Borea”, bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Kur janë pyetur për kompaninë “FILAV”, ndonëse e kanë shpallur fitues në tenderin për ndërtim të qendrës së skijimit, kanë pohuar se nuk kanë shumë informacion lidhur me të, por e njohin vetëm si partner të kompanisë “Leitner AG”.

Ai ka po pohuar  se autoritetet komunale nuk janë në dijeni as për kapitalin e kompanisë “Filav”, e as për pronësinë e saj.

“Pronësia nuk është objekt i vlerësimit në procedura ndërsa adresa e paraqitur në Kërkesën për Kualifikim është adresa e Liderit te Konzorciumi “Leitner AG-Spa”, ka pohuar Sheremeti.

Ndryshe kanë pohuar kur janë pyetur për “Friholz”. Kanë vepruar kështu, ndonëse Krasniqi e Gauset gjatë kohës sa kompania quhej “Friholz”,  janë angazhuar në një projekt shumëfish më të vogël për kah rëndësia se sa ndërtimi i “Borea”-s. Ishin angazhuar vetëm për hartimin e studimit të fizibilitetit për qendrën “Borea”.

Sheremeti ka pohuar se autoritetet komunale janë të informuar për emrat e pronarëve të kompanisë “Friholz”.

Ka shtuar se kjo kompani është angazhuar në “hartimin dhe hulumtimin e ri të potencialeve të  kësaj qendre e lindur diku në vitin 79’,  e që është quajtur Plani i Fizibilitetit”.

“Friholz SA është kompani menaxhuese këshilluese në ndërmarrje te ndryshme te sektorit te turizmit (sidomos dimëror), hotelerisë dhe rekreacionit. Kompania sipas statuteve dhe bordit te drejtoreve ka aftësi manaxheriale me eksperience 30 vjeçare ne krijimin, ndërtimin, financimin e qendrave turistike ne France, Slloveni, Zvicër, Itali, etj”, ka deklaruar Sheremeti.

Biznesmeni Krasniqi në shpërputhje me deklarimet e Komunës së Pejës

Insajderi ka intervistuar edhe Valmir Krasniqin, aksionar në kompaninë FILAV.  Ka thënë se bashkë me kompaninë “Leitner AG” janë të motivuar që ta realizojnë deri në fund projektin e ndërtimit të qendrës së skijimit në Pejë.

Megjithatë, ai nuk e ka komentuar faktin e ndryshimit të emrit të kompanisë nga “Friholz” në “Filav” dhe arsyen se pse kjo u bë pikërisht në kohën kur po zhvillohej procedura konkurruese për ndërtimin e “Borea”-s.

Përveç kësaj, Krasniqi në përgjigjet dhënë për Insajderin ka rënë në kundërshtim me deklarimet e autoriteteve komunale të Pejës.

Derisa Sheremeti ka konfirmuar se fizibiliteti është bërë nga “Friholz”, ndryshe thotë biznesmeni Krasniqi.“Fizibiliteti dhe Masterplani janë realizuar nga Komuna Pejës”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi është pyetur edhe për kapitalin e kompanisë Filav. Kjo kompani, bazuar në dokumentet që ka siguruar Insajderi, ka një kapital prej vetëm mbi 4 milionë euro, një shumë skajshmërisht më e vogël krahasuar me shumën që kërkohet për ndërtimin e “Borea”-s.

Për ndërtimin e kompleksit “Borea” nevojiten mbi 50 milionë euro.

Dokumentet flasin për gjendjen financiare të kompanisë që nga viti 2010. Qarkullimi vjetor më 2010 i kompanisë “Filav” ishte mbi 950 mijë euro. Pak më shumë, kishte qarkullim më 2011. Vlera totale ishte në shumë prej 985 mijë eurosh.

Qarkullimi ishte rritur më 2012. Ishte në vlerë prej 4 milionë e 134 mijë eurosh.

Viti 2013 ishte mbyllur me humbje prej 67 mijë eurosh. Ishin bartur rreth mbi 4 milionë euro të vitit paraprak, 2012. Bartja e njëjtë kishte ndodhur edhe më 2014. Ky vit kishte gjeneruar vetëm 96 mijë e 858 euro të hyra të reja.

Po ashtu edhe më 2015 kishte ndodhur e njëjta. Kishte ndodhur bartje prej 4 milionë eurosh dhe kompania kishte pasur të hyra vetëm prej 462 mijë eurosh. Ndërsa më 2016 të hyrat ishin në vlerë prej 31 mijë eurosh, plus bartja prej mbi 4 milionë eurosh që është bërë që nga viti 2012.

Këto shifra nuk paraqesin ndonjë problem të madh për biznesmenin Krasniqi.

Ka thënë se natyra e projektit “Borea” është e ndryshme me të tjerët. “Sa i përket financimit, projekte te tilla nuk financohen sikur te blesh një veturë”, ka pohuar Krasniqi.

Ai ka shtuar se pas një afati të shkurtër kohor konzorciumi i përbërë nga kompanitë “Leitner” dhe “Filav”  do të hartojë një plan adekuat të financimit të projektit “Borea”. Ky plan, sipas tij, do të garantojë të hyra për Komunën e Pejës dhe interesim të partnerëve financiar të konzorciumit.

Deklaratë  e ngjashme ishte dhënë edhe nga përfaqësuesit e kompanisë fituese për projektin e ndërtimit të Brezovicës. Atyre ju duheshit të gjenin 400 milionë euro. Shpreheshin optimist se do t’i gjenin por nuk kishin arritur kurrë ta bënin këtë dhe projekti për ndërtimin e qendrës së skijimit “Brezovica”, kishte dështuar.

Biznesmeni Valmir Krasniqi gjatë një takimi rasti me kryeministrin në detyrë, Isa Mustafën