Përfitimi mbi kurrizin e martirëve të Mejës përmes tenderit të kundërligjshëm

28.06.2018

"Lëndina e pikëllimit" mban në gjirin e vet 376 martirë të vrarë padrejtësisht nga forcat serbe në luftën e Kosovës më 27 prill të vitit 1999. Këta martirë as që do ta mendonin se pas 19 vjetësh të flijimit të tyre, shteti nuk po arrin ta jetësojë një kompleks memorial për nder të tyre. Që nga viti 2013 e deri më tani, ende nuk ka arritur të përfundojë një projekt i tillë. Madje u konstatua se kontrata mes Komunës së Gjakovës dhe Operatorit Ekonomik ishte lidhur në mënyrë të kundërligjshme. Pas kaq shumë vjetësh, në vend se të përurohej ky kompleks, i doli punë kryeministri të kërkojë nga Prokuroria e Shtetit që të nisë hetim për këtë kontratë.

Përfitimi mbi kurrizin e martirëve të Mejës përmes tenderit të kundërligjshëm

Për t’ua kthyer sado pak dinjitetin 376 martirëve që u vranë në fshatin Mejë të Gjakovës, asokohe qeverisja komunale e kryetarit Pal Lekaj (AAK), i cili vjen nga partia e kryeministrit i cili po kërkon hetim për rastin, shpalli tenderin për “Ndërtimin e Parkut Memorial të Martirëve në fshatin Mejë” të Gjakovës.

Hiq më pak se 1 milion e 60 mijë e 774 euro kishte kushtuar kontrata e këtij projekti. Me hapjen e këtij tenderi ofertuan shtatë kompani. Por fatin e pati kompania “Fidani-L” nga Deçani, çmimi i të cilës ishte më i liri. Kontrata me fituesin e tenderit u nënshkruar më 11 prill të vitit 2013.

Në nëntor të 2013-s ishin paraparë të mbaheshin edhe zgjedhjet lokale për kryetar komunash.

Ndonëse projekt milionësh, komuna asokohe në momentin e nënshkrimit të kontratës i kishte të zotuara vetëm 50 mijë euro.

“Në momentin e nënshkrimit të kontratës kanë qenë të zotuara pesëdhjetëmijë euro”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjakovës dhënë Insajderit.

Pavarësisht shumës së vogël të zotimit, as ato mjete nuk ishin paguar në tërësi. Në një komunikim mes Komunës së Gjakovës dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se nga ato 50 mijë euro të zotuara janë paguar vetëm 31 mijë e 286 euro.

Kompania fituese e kishte bërë planin dinamik të punës, i cili parashihte që kompleksi memorial të kryhej për 118 ditë pune.

Mirëpo, mungesa e mjeteve financiare i kishte shtyrë punimet. Përveç 50 mijë eurove të cilat i kishte zotuar asokohe më 23 janar 2013 kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, katër muaj më vonë, më 31 maj të po atij viti i kishte ndarë edhe 18 mijë e 718 euro për kompaninë “Fidali-L” për t’i vazhduar punimet.

Kjo ishte shuma e fundit që Lekaj e kishte ndarë gjatë mandatit të tij si kryetar, për t’ia lënë në dorë këtë projekt pasardhëses së tij, Mimoza Kusari-Lila, e cila i fitoi zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013.

Pas ardhjes në pushtet, kryetarja Mimoza Kusari-Lila, e cila përfaqësonte Aleancën Kosova e Re (AKR), kishte ndarë edhe katër herë mjete financiare për kompaninë “Fidani-L” për vazhdimin e punimeve.

Më 5 maj të vitit 2014 Kusari-Lila kishte ndarë 70 mijë e 268 euro. Kurse dhjetë ditë më vonë (20 maj 2014) kompanisë ia kishte paguar 62 mijë e 907 euro tjera.

Shuma e radhës në drejtim të kompanisë “Fidani-L” ishte kryer rreth një muaj më vonë (më 11 qershor 2014) në vlerën prej 48 mijë e 818 euro.

Kompania po ashtu kishte përfituar edhe vlerën prej 40 mijë e 942 euro nga Komuna e Gjakovës më 1 korrik të 2014-s.

Kompania vazhdonte t’i kryente punët sipas mjeteve financiare që ia alokonte komuna.

Kjo ishte e paraparë edhe në kontratën mes Komunës së Gjakovës dhe Operatorit Ekonomik. Në kontratë thuhej se punët do të kryhen varësisht nga zotimi i mjeteve.

“Për momentin janë të zotuara vetëm 50 mijë euro dhe punimet do të kruhen deri në këtë vlerë. Me zotimin e mjeteve tjera do të vazhdojë edhe kryerja e punimeve”, thuhet ndër tjera në kontratë.

KRPP: Kontrata ishte e kundërligjshme

Marrë për bazë se punimet kishin ngecur pikërisht për mungesë të mjeteve financiare, Komuna e Gjakovës kërkon nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) interpretimin e kontratës mes Komunës dhe kompanisë punë-kryese.

KRPP kishte ardhur në përfundim se pagesa prej 50 mijë eurosh (pagesa e parë) ishte bërë para datës së nënshkrimit të kontratës me Operatorin Ekonomik.

“Pagesa e parë në vlerë prej 50.000,00 € është bërë më 23.01.2013 që rezulton se është bërë para datës së nënshkrimit të kontratës”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.

Sipas KRPP-së, për 4 vite nuk është realizuar as gjysma e vlerës se kontratës.

“Sipas kësaj dinamike, do të duhen edhe minimum 5 vite për përfundim të kontratës”, thuhet më tej në vlerësimin e KRPP-së për kontratën.

Të dhënat që Komuna e Gjakovës ia ka prezantuar KRPP-së, kjo e fundit vjen në përfundimin se kontrata me Operatorin Ekonomik nuk mund të vazhdohet tutje.

“KRPP konsideron se nuk është legjitime që të vazhdohen punimet e mëtutjeshme, sepse kontrata që prej fillimit nuk ka qenë legjitime”, thuhet në konkludimin e KRPP-së.

Pas kësaj, Komuna e Gjakovës kërkon sqarim shtesë nga KRPP-ja, duke e pyetur atë nëse kanë të drejtë ta shkëpusin njëanshëm kontratën me Operatorin Ekonomik.

“… A kemi të drejtë ligjore për shkëputje të njëanshme të kontratës (dhe inicimin e procedurave të prokurimit për pjesën e mbetur të punimeve të realizohen nga AMKMK)?”, kishte pyetur Komuna përmes një shkrese dërguar KRPP-së.

Megjithatë, KRPP i kthen përgjigjen e dytë Komunës, duke i sugjeruar që t’i referohen kushteve të kontratës.

“Sa i përket ndërprerjes së kontratës ju lutem referojuni kushteve të përgjithshme dhe kushteve të veçanta të kontratës”, thuhet në përgjigjen e dytë të KRPP-së.

Komuna e Gjakovës e kishte shkëputur kontratën njëanshëm

Pas vlerësimeve të KRPP-së se kontrata që nga fillimi nuk ka qenë në rregull, atëherë Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK), më 28 tetor 2016 kërkon nga Komuna e Gjakovës të dijë më shumë se sa është shpenzuar nga plani dinamik i punës.

Deri te kjo kishte ardhur pasi Qeveria Mustafa për vitin 2016 kishte ndarë 130 mijë euro për vazhdimin e punëve në kompleksin memorial dhe nuk dinte se si të vepronte. Prandaj kërkonte të dinte sa ditë kanë mbetur nga plani dinamik i punës.

“Të nderuar lidhur me Kompleksin Memorial “Masakra e Mejës, Meje, Gjakovë desha edhe një informatë nga ju, si: Sa është plani dinamik i kontratës (dinamika) dhe sa është shpenzuar nga ky plan dinamik”, kërkonte sqarim AMKMK-ja nga Komuna e Gjakovës.

Komuna e njofton AMKMK-në se për të njëjtën gjë i është drejtuar KRPP-së për interpretim ligjor.

“Meqenëse Qeveria e Kosovës ka marrë përsipër financimin e këtij projekti përmes AKMM-së, ku për vitin 2016 janë të alokuara 130.000 Euro, AKMM-ja kërkon mendim nga KRPP-ja për interpretimin e kësaj kontrate, andaj kërkojmë nga ju mendim se duke u nisur nga kohëzgjatja e kontratës dhe neni 1 paragrafi 1.5 i kontratës, të qartësohet nëse është legjitime dhe nëse mund të vazhdohen punimet me këtë Operator, duke e pas parasysh që nuk janë kryer ende 118 ditë pune por vetëm 73 ditë pune (d.m.th. OE i kanë mbetur edhe 45 ditë pune). Ju lutemi që në afat sa më të shkurt të na ktheni përgjigje”, thuhet në kërkesën e Komunës drejtuar KRPP-së.

Qeveria më vonë i ndan edhe 300 mijë euro për vazhdimin e punëve në kompleksin memorial në Mejë. Këtë e bën të ditur edhe AMKMK-ja përmes një letre dërguar Zyrës Ligjore në Komunën e Gjakovës.

“Pa u ndalur në përgjigjen e KRPP-së, në lidhje me projektin ‘Ndërtimi i parkut memorial i martirëve në fshatin Mejë’, sepse tash kjo veç po dihet, desha të ju lajmëroj lidhur me këtë memorial, se këtë vit qeveria ka ndarë mjete në vlerën prej 300.000.00 euro dhe për të startuar me kohë neve na duhet të na sillni një paramasë të punëve të mbaruara me qëllim që të procedojmë me tutje duke e shpallur tenderin për punët e mbetura dhe po ashtu është mirë që ju të keni një dokument të prerjes që punimeve sepse ajo e qartëson më mirë situatën në terren”, thuhet në kërkesën e AMKMK-së drejtuar Komunës më 5 janar të vitit 2017.

Pas kërkesës së AMKMK-së, Zyra e Prokurimit e njofton atë se materialet janë të gatshme nga Drejtoria për Shërbime Publike. Por kësaj, sipas e-mailit që e ka siguruar Gazeta Insajderi, duhet t’i paraprijë një takim mes përfaqësuesve të AMKMK-së, kryetares së komunës asokohe Mimoza Kusari-Lila, Drejtorit të Shërbimeve Publike, Menaxherit të kontratës dhe Shefes së Zyrës së Prokurimit.

Ardhjen në takim e kishin konfirmuar zyrtarët e AMKMK-së. Takimi u zhvillua më 25 janar 2017 prej orës 12:30.

Pas këtij takimi ishte vendosur që kontrata me Operatorin Ekonomik “Fidani-L” të shkëputet. Kjo kishte ardhur me kërkesë të kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK), Idriz Blakaj.

“Në këtë takim është kërkuar nga shefi ekzekutiv AMKMK-së z. Idriz Balaj të shkëputet kontrata me operatorin N.T.P “Fidani – L” për shkak se në të kundërtën Komuna e Gjakovës do të humbë këtë donacion nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kanë theksuar se të gjitha procedurat për realizimin e projektit “Ndërtimi i Parkut Memorial në fshatin Mejë” do t’i bartë Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës”, thuhej në vendimin e ish-kryetares Mimoza Kusari-Lila.

Para shkëputjes së kontratës ishte organizuar një takim me Operatorin Ekonomik duke kërkuar pajtim që kontrata të shkëputej me pëlqimin e të gjitha palëve. Por kjo ishte refuzuar nga kompania “Fidani-L”.

Kusari-Lila kishte bërë të ditur se Qeveria kishte ndarë 130 mijë eurot, por ato ishin pezulluar dhe tërhequr nga Qeveria me arsyetimin se “nuk e njohin kontratën e Komunës së Gjakovës të lidhur me N.T.P “Fidani-L” duke shtuar se kjo kontratë i ka tejkaluar afatet dhe është lidhur kundërligjshëm.

E njëjta gjë, sipas Kusari-Lilës, kishte ndodhur me 300 mijë eurot tjera të ndara nga Qeveria, të cilat nuk u bartën në buxhetin e Komunës së Gjakovës.

Forma e vetme e realizimit të këtyre mjeteve, kishte thënë ajo, ishte shkëputja e kontratës me Operatorin Ekonomik. Me këtë rast, mjetet dhe përgjegjësitë do të kalonin mbi AMKMK-në.

“Në janar të këtij viti Qeveria e Republikës së Kosovës e ka ndarë shumën e mjeteve financiare në vlerë prej 300.000.00 euro dhe këto mjete nuk barten në buxhetin e Komunës së Gjakovës. Andaj, forma e vetme për realizimin e mëtutjeshëm të projektit është shkëputja e kontratës, ku të gjitha obligimet financiare dhe procedurat për ndërtimin e këtij memoriali me i bartë Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, ku edhe janë dedikuar mjetet e Qeverisë për këtë projekt”, thuhet ndër tjera në vendimin e marrë asokohe nga Mimoza Kusari-Lila.

Mbi këtë bazë, Kusari-Lila kishte kërkuar nga Zyra e Prokurimit e Komunës që të nisë procedurat e shkëputjes së kontratës.

“Lidhur me të gjitha theksimet e lartcekura, kërkoj nga Zyra e Prokurimit e Komunës së Gjakovës që të fillon procedurat për shkëputjen e kontratës të lidhur me datë 11.04.2013, në mes të N.T.P “Fidani-L” “Accord Investmens-S.A.H” sh.p.k. dhe Komunës së Gjakovës për projektin “Ndërtimi i Parkut Memorial në fshatin Mejë”, me numër identifikues 013″, përfundon vendimi i 12 shkurtit i vitit 2017.

Kontrata ishte shkëputur më 16 shkurt të atij viti, ku Zyra e Prokurimit e Komunës së Gjakovës e kishte njoftuar Operatorin Ekonomik për këtë akt.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime shtesë nga AMKMK-ja për të parë se çfarë ka ndodhur me tutje me këtë projekt pas marrjes së përgjegjësive, por ka sugjeruar që informatat e tilla t’i kërkojmë nga Komuna e Gjakovës.

“Të kisha lutur që për çështjen e kontratës për K M “27 Prilli” Meje, ka qenë mirë t’i drejtoheni Komunës së Gjakovës, dhe se ata i kanë gjitha të dhënat për ndërprerjen e kontratës me Kompaninë “Fidani – L”.  Ne, mandej mund të ju përgjigjemi për procedurat në vazhdimësi nga 2017”, thuhet në përgjigjen e AMKMK-së, duke mos sqaruar se çfarë ka ndodhur më tutje.

Insajderi ka kërkuar sqarime edhe nga Kompania “Fidani-L”, por deri më tani nuk u është përgjigjur kërkesave të gazetës.

Kusari-Lila pas ndërprerjes së kontratës kërkonte që 300 mijë eurot e projektit të derdhën në buxhetin e komunës

Pas vendimit që e kishte marrë kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, për shkëputjen e kontratës me Operatorin Ekonomik “Fidani-L”, ajo kishte tentuar të lidhte marrëveshje bashkëpunimi me AMKMK-në që 300 mijë eurot e ndara nga Qeveria për vazhdimin e punëve në këtë kompleks, të derdhën në buxhetin e komunës.

Ajo këtë synonte ta arrinte përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi me AMKMK-në.

“… Komuna e Gjakovës përmes kësaj shkrese kërkon edhe njëherë që të arrijë një Marrëveshje të Bashkëpunimit për realizimin e projektit “Ndërtimi i Parkut Memorial në fshatin Mejë” që shuma e mjeteve financiare në vlerë prej 300.000.00 euro të barten në kodin buxhetor që projekti të realizohet sipas kontratës që Komuna e Gjakovës e ka lidhur me operatorin ekonomik NTP “Fidani-L”, thuhet në kërkesën e Kusari-Lilës.

Ajo shpresonte se AMKMK-ja “do të gjejë hapësirë ligjore për mbështetje të kësaj kërkese”.

Por përgjigjja e AMKMK-së ishte e qartë – pas interpretimeve ligjore të KRPP-së, nuk mund të ketë marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Gjakovës.

“Duke pasur parasysh ndarjen buxhetore për vitin 2017, ku për këtë projekt janë ndarë mjete në një organizatë tjetër buxhetore – AMKMK, në kod tjetër – të veçantë në vlerën prej 300.000 euro dhe tani duke pasur parasysh edhe interpretimin ligjor të KRPP-së të datës 11.11.2016, ju themi se nuk ka mundësi për lidhjen e një marrëveshje bashkëpunimi me komunën tuaj për këtë projekt. Andaj AMKMK, lidhur me punimet në këtë memorial do të zhvillojë procedurat e prokurimit që nga fillimi”, thuhet në përgjigjen e AMKMK-së për ish-kryetaren e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila.

Prokuroria dhe policia nisin hetimet ndaj tenderit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i kishte shkruar letër kryeprokurorit të vendit, Aleksandër Lumezi, nga i cili kishte kërkuar nisjen e hetimeve për pakënaqësitë e banorëve të Mejës së Gjakovës për mosndërtimin e memorialit.

“Kërkoj nga ju, që në kuadër të mandatit tuaj kushtetues dhe ligjor, menjëherë të filloni hetimet në koordimin me Policinë e Kosovës për të qartësuar shqetësimet e shprehura të banorëve për keqpërdorime të mundshme, rreth ndërtimit të Memorialit në Meje të Gjakovës”, thuhet në vendimin e kryeministrit drejtuar kryeprokurorit Lumezi.

Ai ka thënë se rëndësi e veçantë është që historia kombëtare të jetë kredibile.

“Është e rëndësisë në veçantë që memorja historike kombëtare të jetë kredibile dhe pa afera të mundshme të cilat mund të dëmtojnë pastërtinë e përpjekjeve tona për çlirim dhe liri”, vazhdon letra e kryeministrit.

Gazeta Insajderi ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të dijë nëse kanë filluar hetimet ndaj kësaj kontrate sipas kërkesës së kryeministrit. Ajo ka thënë se tashmë e ka autorizuar policinë për hetim.

“Ju njoftoj se Prokurori i çështjes e ka autorizuar Policinë e Kosovës, për të ndërmarrë veprime hetimore përkitazi me rastin”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Shtetit./Insajderi.com