PDK shkel zotimin e Kadri Veselit për transparencë

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka treguar se sa ka kushtuar organizimi i konventës së tetë zgjedhore, të mbajtur në dy salla të ndryshme, njëra private e tjetra shoqërore. Po ashtu, nuk ka treguar se e ka paguar RTK-në për “transmetimin e sponsorizuar”, të fjalimit të kryetarit të partisë, Kadri Veselit.

PDK shkel zotimin e Kadri Veselit për transparencë

Qindra delegatë të PDK-së mbushën hotelin “Emerald”, në ditën e parë të Konventës së tetë të partisë. Në ditën e dytë u bartën në sallën e sporteve, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Shfrytëzimi i një salle të një biznesi privat nga 792 delegatë të partisë llogaritet të ketë kushtuar mijëra euro, bazuar në çmimet e tregut.

Insajderi ka kërkuar nga PDK-ja që t’i bëjë publike shpenzimet e Konventës së tetë, të mbajtur më 25 e 26 mars të këtij viti. Por, Partia Demokratike e Kosovës refuzon të zbulojë se sa ka shpenzuar për mbajtjen e kësaj Konvente.

Ky veprim i PDK-së bie ndesh me zotimin e liderit të saj, Kadri Veseli, për transparencë e llogaridhënie para qytetarëve të Kosovës. Këtë zotim Veseli e kishte bërë me të marrë besimin për të udhëhequr partinë më të madhe në vend.

Në kundërshtim me këtë zotim të liderit të partisë, PDK-ja kishte vepruar edhe kur është mbajtur Konventa e shtatë zgjedhore. Nuk ka bërë asnjëherë publike se sa euro ka shpenzuar për mbajtjen e kësaj Konvente.

Në atë konventë, të mbajtur në maj të vitit 2016, ishte vendosur që Kadri Veseli të jetë kryetar i partisë.  Muajin e ardhshëm, në maj, bëhet një vit që nga ardhja e Veselit në krye të partisë së drejtuar deri atëkohë nga Hashim Thaçi.

[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=8_lMoH0GXP0″/]

Transmetimi i sponsorizuar në RTK

Gazeta Insajderi para dy javësh ka kërkuar nga Partia Demokratike e Kosovës të zbulojë detaje sa ka kushtuar organizimi i konventës së partisë. Përgjigje për shpenzimet e PDK-së nuk ka dhënë as hotel “Emerald”.

Përveç pagesave për shfrytëzimin e sallave, Insajderi ka kërkuar nga PDK-ja edhe për transmetimin në RTK të fjalimit të kryetarit Kadri Veseli.

Mediumi publik të shtunën, më 26 mars, kishte transmetuar direkt fjalimin e liderit të kësaj partie.

Ishte kritikuar nga shoqëria civile për shfrytëzim të hapësirës në interes të partisë në pushtet.

RTK ndryshe kishte vepruar të dielën. Kishte transmetuar sërish fjalimin e liderit, por me shënimin “Transmetim i Sponsorizuar”.

Insajderi ka pyetur  PDK-në se sa kishte kushtuar transmetimi i sponsorizuar në televizionin publik. PDK ende nuk ka dhënë përgjigje në këtë pyetje.

Thirrjet e Veselit për transparencë

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka dhënë vazhdimisht zotime publike për transparencë.

Këtë e kishte bërë edhe gjatë një diskutimi publik me temën “Inkurajimi i pjesëmarrjes qytetare përmes transparencës parlamentare”, të organizuar para dy vjetësh nga NDI.

Kishte pohuar se “transparenca dhe llogaridhënia janë vlera të pandashme”.

Madje ai thoshte se nuk mjafton vetëm njëherë në katër vjet që qytetarët të pyeten se nga kush duan të qeverisen.

“Unë zotohem nga kjo tryezë që bashkë me ju dhe të gjithë deputetët, Kuvendin e Kosovës ta bëjmë plotësisht të hapur në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të transparencës parlamentare”, është shprehur Veseli.

Një tjetër zotim për transparencë Veseli e kishte bërë edhe kur kishte takuar drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kishte kërkuar nga ta që të bëjnë publik emrat e uzurpatorëve të pronave të ndërmarrjeve shoqërore. Kishte pohuar se transparenca do të jetë prioritet për institucionet kosovare, përfshirë AKP-në.

Por, ndryshe kishte vepruar më 30 mars të këtij viti.

Kishte ftuar gazetarët për t’i njoftuar për turin e ri dëgjimor të tij, i cili përfshinte takimet me ekspertë.  Gjatë asaj konference, Veseli foli gjatë se si është i gatshëm t`i dëgjojë të gjithë, mirëpo nuk lejoi që t`i bëhej asnjë pyetje nga gazetarët./Insajderi.com