PDK i hap dyert biznesmenit të përfshirë në aferën milionëshe “Kozmocell”

16.05.2017

Aksionari i kompanisë “Kujtesa”, Fiton Peja i është bashkuar të hënën Kadri Veselit në “Fillimin e ri”. Është promovuar si njeri i vlerave. Por, ai është njëri prej biznesmenëve që është përfshirë në një prej mashtrimeve më të mëdha financiare që ka ndodhur në historinë e re institucionale të Kosovës.

PDK i hap dyert biznesmenit të përfshirë në aferën milionëshe “Kozmocell”

Njëri prej biznesmenëve të përfshirë në një tender të dyshimtë në Kosovë, i është bashkuar të hënën zyrtarisht Partisë Demokratike të Kosovës.

Bashkimin me PDK-në e ka prezantuar kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Për Veselin anëtarësimi i Fiton Pejës, njëri prej aksionarëve dhe drejtorëve të kompanisë “Kujtesa” është zhvillim pozitiv për jetësimin e programit të tij qeverisës të quajtur “Fillimi i ri”.

“Kam nderin ta prezantoj anëtarin më të ri të ekipit tonë për një fillim të ri. Pata bisedë të ngrohtë me Fiton Pejën, një ndërmarrës të shkëlqyer kosovar”, ka shkruar Kadri Veseli në “Facebook” teksa ka prezantuar anëtarësimin e Pejës në PDK.

“Ai tashmë ka themeluar disa biznese ku punëson mbi 600 qytetarë – nga sektori i telekomit e deri tek industria e sportit. Kjo është fuqia e Kosovës – burra dhe gra që po ecin përpara me ide dhe energji të reja. #FillimiRi me ndërmarrësit e rinj, sjell investime te fuqishme ne fabrikat për shtimin e kapaciteteve tona prodhuese”, ka shkruar Veseli.

Por, kompania e biznesmenit Peja është pjesë e një prej historive më të dyshimta financiare që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë.

Historia e dyshimtë multimilionëshe

Ishte viti 2007 kur Kosova humbi një shumë prej 16.2 milionë euro. Peja ishte pjesë e një konzorciumi që i shkaktoi këtë dëm vendit.

Historia e para dhjetë vjetësh përfshin mospërmbushje të zotime e mashtrime të mëdha.

Autoriteti Rregullativ i Telekomit kishte shpallur tenderin për operatorin e dytë të telefonisë mobile. Fitues ishte shpallur konzorciumi “Kosmocell”, i cili kishte ofruar 81 milionë euro për blerjen e licencës.

Ky konzorcium përbehej nga “Dukagjini Group”, që udhëhiqet nga biznesmeni Ekrem Lluka si dhe nga kompania e internetit, “Kujtesa”, nga operatori mobil italian, “Eutelia” dhe kompanive amerikane “Computer Science Corporation” dhe “Omni Group”.

Në rast të tërheqjes, shteti obligohej që të konfiskonte garancionin bankar prej 16.2 milionë eurosh të depozituar për pjesëmarrje në garë.

“Kosmocell” kishte dorëzuar një dokument që thoshte se paratë ishin të garantuara në një bankë italiane dhe e kishte siguruar shtetin se do t’i kthente ato, në rast të tërheqjës. Shteti i kishte besuar “betimit” të tyre.

Por, nuk kishte vepruar kështu.

“Kosmocell”, pjesë e të cilit ishte Peja ishte detyruar të tërhiqet nga nënshkrimi i kontratës. Nuk kishte arritur të paguante shumën prej 81 milionë eurosh, në afatin e paraparë.

Pas tërheqjës duhej të konfiskohej garancioni. Por, shteti nuk kishte mundur ta bënte këtë.

ART ishte dorëzuar dhe i kishte raportuar Kuvendit të Kosovës se konzorciumi kishte dorëzuar një garancion bankar të falsifikuar.

ART-ja, në një raport të bërë në vitin 2011, kishte konstatuar se nuk ekzistonte institucion financiar në adresën e shënuar nga konzorciumi fitues dhe se paratë nuk mund të inkasoheshin.

Hetimet për kurdisje të mëdha

Pas tërheqjes së “Kosmocell”, shteti kishte lidhur kontratën me konzorciumin e dytë në garë.

Ai përbëhej nga kompani të fuqishme si: “Albright Group”, “IPKO/Telekom Slovenija”.

Tenderi ishte dhënë në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga Agim Çeku, aktualisht deputet në largim i PDK-së.

Shefi i ART-së, Anton Berisha ishte shpërblyer më vonë me postin e ambasadorit në Slloveni nga koalicioni qeveritar PDK-AAK. Prej disa vjetësh, Berisha është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Derisa “Kosmocell”, zyrtarisht ishte diskualifikuar dhe përfitues ishte shpallur “Telekom Slovenija”, ende ka dyshime për bashkëveprim mes këtyre dy konzorciumeve që ishin në garë për licencë të telefonisë mobile.

Pesë vjet më parë gazeta sllovene “Dnevnik”, në gjithë këto dyshime kishte implikuar Ekrem Llukën, udhëheqësin e konzorciumit të diskualifikuar.

Kishte shkruar se Lluka, kishte blerë një shtëpi elitare në bregdet më 22 qershor 2007, vetëm katër ditë pasi Telekom dhe Factor Banka nënshkruan kontratën me IPKO-n.

Sipas të dhënave të ndërmarrjes “Ekma”, për këtë shtëpi janë paguar mbi 400 mijë euro. Lluka asnjëherë nuk e ka sqaruar këtë çështje.

“Me punët e Telekomit në Kosovë kanë përfituar edhe shumë biznesmenë të tjerë. Bordi drejtues i ka mundësuar fitime të mëdha kompanisë ‘Albright Group’, që udhëhiqet nga ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, si dhe dy drejtorëve të IPKO-s, Akan Ismailit dhe Bujar Musës”, kishte shkruar gazeta.

Sipas medieve sllovene, shtëpia e Llukës ishte bastisur nga Policia në kuadër të një hetimi për përfshirjen e Telekom Sllovenia në telefoninë mobile në Kosovë.

Gazeta sllovene “Dnevnik” kishte raportuar se pjesë e procedurës hetimore ishin katër ish-anëtarë të bordit drejtues të Telekom Slovenija – Bojan Dremel, Dushan Mitiq, Zhelko Puliiq dhe Filip Ogris Martiq – ish-anëtarët e Factor Banka si Ciril Dragonja dhe Boris Pesjak, ish-pronarja e ndërmarrjes Najdi.si, Zvone Jagodiç, Aleksander Sasho si dhe biznesmeni nga Kosova, Ekrem Lluka.

Gazeta raportoi se po hetohej hyrja e Telekomit të Sllovenisë në tregun kosovar si dhe rastet e blerjeve të firmave në Slloveni (Najdi.si) dhe në Maqedoni (On.net).

Zyra amerikane në Prishtinë kishte vëzhguar dhe raportuar vazhdimisht për tenderin e fituar nga IPKO. Shefja e Zyrës, Tina Kaidanow, kishte raportuar në SHBA se një kompani amerikane i ishte ankuar ish-kryeministrit Agim Çeku, pas eliminimit nga gara.

Në kabllogramin e 12 shkurtit 2007 Kaidanow raportonte se konzorciumi “Kosmocell” e kishte fituar tenderin e telefonisë mobile.

“Ia vlen të përmendet se Telekom Slovenija ka shumicën e aksioneve në IPKO (70 %), si dhe 51 % në Kosmocellin e Llukës, pozicion që sipas Zyrës Ligjore të UNMIK-ut, nuk i thyente rregullat e tenderit. Slovenia Telecom dhe Lluka (konzorciumi Mobitel/Mobikos ) e kishin fituar tenderin e parë për operatorin e dytë të telefonisë mobile në vitin 2004 para se tenderi të anulohej nga Shefi i UNMIK-ut, për shkak të parregullsive”, shkruante Kaidanow.

UNMIK-u kishte vlerësuar në atë kohë se gjithçka ishte në rregull me procesin, dhe se kishte ftuar edhe përfaqësues të zyrave të huaja në Kosovë, për të marrë pjesë ne disa prej takimeve të vlerësimit të ofertave.

Vetëm një muaj më vonë, më 16 mars 2007, Kaidanow do t’i raportonte Washingtonit zhvillime të reja dhe anulimin e fituesit të parë për t’ia dhënë tenderin të dytit.

Fitues tash ishte shpallur konzorciumi Telecom Slovenia/Ipko/Albright Group, pasi që Lluka nuk ishte në gjendje të paguante 81 milionë eurot për licencë.

“Përfaqësues të Kujtesës, pjesë e konzorciumit Kosmocell që ishte fituesi origjinal, i kishin thënë Zyrës Amerikane se konzorciumi i kishte 81 milionë euro dhe se ishte në gjendje ta paguante licencën, por Lluka e kishte informuar shefin e ART-së, Anton Berisha, se grupi i tij nuk ishte në gjendje ta kryente pagesën. Përfaqësuesit e ‘Kujtesës’ thanë se kompania e tyre dhe partneri italian ‘Eutelia’ nuk e kishin idenë pse Lluka e kishte ndërmarrë një hap të tillë. Shtypi nuk ka mënyrë që të vërtetojë këto spekulime, dhe nuk ka asnjë provë se ‘Kosmocell’ i kishte në fakt paratë në dorë”, kishte shkruar Kaidanow.

Prokuroria kishte filluar një hetim për këtë, por pas dy vjetësh e kishte mbyllur atë, ani se shteti kishte humbur mbi 16 milion euro.

Ofertuesit e dytë për telefoninë mobile po ashtu ishin të lidhur me PDK-në dhe Hashim Thaçin. Kjo lidhje vazhdon ende.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi vazhdon të jetojë në banesën e njërit prej drejtorëve dhe aksionarëve kryesor të kompanisë IPKO, Bujar Musa në Bregun e Diellit në Prishtinë.

Musa kishte deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë se ka miqësi personale me Thaçin, por megjithatë e obligon që të paguajë qira për shfrytëzimin e banesës.

Sipas Musës, miqësia personale nuk kishte ndikuar që të përfitonte nga qeveria e Thaçit.

Ndërkohë aksionari tjetër në IPKO Akan Ismajli ishte bërë ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tjetër aksionar aso kohe ishte edhe ish-sekretarja amerikane të Shtetit, Madeleine Albright. Një pozitë tjetër të rëndësishme kishte fituar edhe i ndjeri Dino Asanaj , ish-aksionar. Ai ishte zgjedhur kryetar i Bordit të AKP-së. Pas këtij emërimi, Asanaj ia kishte shitur aksionet Bujar Musës mbi gjysmë milioni euro. /Insajderi.com