Patton Boggs & Qeveria e Kosovës – Dyshime për keqpërdorim të mbi 500 mijë eurove

21.04.2017

Kompania amerikane për lobim “Patton Boggs” raportoi në Departamentin Amerikan të Drejtësisë se gjatë vitit 2016 ka marrë qindra mijëra euro nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, në raportet e dorëzuara shënohet se kompania nuk ka raportuar për asnjë aktivitet lobimi në interes të Qeverisë së Kosovës.

Patton Boggs & Qeveria e Kosovës – Dyshime për keqpërdorim të mbi 500 mijë eurove

Qeveria e Kosovës ende vazhdon të mos japë përgjigje në një pyetje. Cilat janë rezultatet e arritura nga shpenzimi i miliona eurove nga kontraktimi i kompanive amerikane të lobimit?

Por, Insajderi ka siguruar raportin e dorëzuar në ShBA të kompanisë lobuese “Patton Boggs”, të këshilluar nga ish-diplomati, Frank Wisner.

Raporti tregon për mungesë suksesesh.

Aty thuhet se kompania ka marrë nga Qeveria e Kosovës mbi gjysmë milioni euro gjatë vitit 2016. Dokumentet tregojnë se kompania gjatë vitit 2016 nuk ka raportuar aktivitete të lobimit në interes të Kosovës.

Derisa tek rasti i Kosovës tregohet se paratë janë marrë përkundër mungesës së aktiviteteve të raportuara, ndryshe janë të dhënat për shtetet tjera.

“Patton Boggs” tregon në raport se nuk ka marrë para nga shtetet tjera për të cilat nuk ka deklaruar aktivitete lobimi të realizuara gjatë vitit 2016.

Kompania e këshilluar nga Wisner, prej vitit 2011 ka përfituar afër 2 milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Obligim i saj ka qenë ‘forcimi i marrëdhënieve Kosovë-ShBA, nxitja e investimeve amerikane në Kosovë’.

Qeveria e Përkohshme e drejtuar asokohe nga Hashim Thaçi, të njëjtën kompani e kishte angazhuar për lobin në vitin 2000.

Detajet e dy raporteve të kompanisë amerikane

Kompania “Patton Boggs”, gjatë vitit 2016 ka dorëzuar dy raporte në Departamentin Amerikan të Drejtësisë – një për gjashtëmujorin e parë dhe një për të dytin.

Në të dy raportet, kompania tregon se ka lobuar për dhjetëra klientë të ndryshëm, ku përfshihen shtete dhe korporata të mëdha të biznesit. Në mesin e klientëve është edhe Kosova.

Derisa për shumicën e klientëve kompania raporton për aktivitetet lobuese që i ka ndërmarrë, tek rasti i Kosovës është tjetër situatë.

Raporti i parë që tregon për periudhën janar-qershor të vitit 2016 jep detaje të shumave financiare që kompania ka përfituar nga Qeveria e Kosovës.

Shënohet se kompania “Patton Boggs”, më 26 shkurt 2016 ka pranuar një pagesë prej 17 mijë e 600 dollarësh nga Qeveria e Kosovës.  Një tjetër pagesë e ka pranuar më 17 qershor në vlerë prej 9 mijë e 450 dollarësh. Konvertuar në euro vlera e këtyre dy pagesave është mbi 25 mijë euro.

Por, tek pjesa e raportit ku tregohen aktivitetet e kompanisë në të mirë të klientit, tek rasti i Kosovës shënohet se “kompania nuk ka raportuar aktivitete lobuese në interes të Qeverisë së Kosovës”.

Në raport ekziston edhe një rast tjetër kur kompania ka pranuar para nga klienti, ndonëse ka raportuar të mos ketë pasur aktivitete lobuese. Është rasti i Kroacisë.

Por, ekziston edhe rasti i Autoritetit Palestinez, për të cilin kompania ka raportuar se nuk ka pasur aktivitet lobimi dhe po ashtu nuk ka pranuar ndonjë pagesë gjatë këtij gjashtëmujori.

Ndonëse, gjatë gjashtëmujorit të parë të 2016-s janë paguar shuma prej dhjetëra mijëra eurosh, ndryshe tregohet në raportin për gjashtëmujorin e dytë. Qeveria e Kosovës është shpenzuar shumë më shumë përgjatë kësaj periudhe kohore.

Kompania ka treguar se më 16 nëntor e ka pranuar një pagesë prej 354 mijë e 337 dollarëve. Tri javë më pas, më 7 dhjetor 2016, e ka pranuar një pagesë tjetër në vlerë prej 189 mijë e 532 dollarësh amerikanë.

Ndonëse, në këtë periudhë është paguar kjo shumë parash dhjetëfish më e madhe sesa në gjashtëmujorin e parë, situata nuk ndryshon lidhur me aktivitetet lobuese.

Shënohet në raport se “nuk ka pasur aktivitet të raportuar nga Patton Boggs, të bërë në interes të Qeverisë së Kosovës”.

Ndryshe me rastin e Kosovës është situata me dy klientë të kompanisë amerikane të lobimit. Raporti i gjashtëmujorit të dytë tregon se kompania nuk kishte raportuar aktivitete lobimit për Autoritetin Palestinez dhe Qeverinë e St. Lucia. Por, në raport tregohet se kompania nuk kishte marrë as para nga këta dy klientë, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2016.

Insajderi i ka dërguar para një muaji pyetje Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me këto raportime. Nuk ka marrë ende përgjigje. Ngjashëm ka vepruar edhe kompania amerikane, të cilës i janë dërguar pyetje nga Insajderi.

Milionat që mori Patton Boggs nga Qeveria e Kosovës

Kompania amerikane e këshilluar nga Frank Wisner ka nisur partneritetin me përfaqësues politikë të Kosovës qysh në vitin 2000. Atëkohë e ndihmonte Hashim Thaçin, i cili ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme. Dhjetë vjet më vonë, më 2010, kur Thaçi ishte tashmë kryeministër i Qeverisë së Kosovës së pavarur, ishin ripërtërirë edhe lidhjet me kompaninë e këshilluar nga Wisner.

Nëpërmjet një procedurë të negociuar, Ministria e Punëve të Jashtme në vitin 2010 kishte kontraktuar kompaninë “Patton Boggs”. Vendimi ishte i kundërligjshëm. Nuk ishte marrë leje nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP). Ishte pezulluar vendimi i MPJ-së.

Pas një viti, më 2011, Ministria kishte marrë lejen nga AQP-ja dhe e kishte kontraktuar kompaninë amerikane, bazuar në procedura ligjore. Prej vitit 2011 e deri më tash kompania ka përfituar rreth 2 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për shërbime lobuese. Kompania në raportet e saj, të cilat i ka dorëzuar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, ka treguar për shumat e pagesave që i janë bërë nga Qeveria e Kosovës.

Bazuar në raportet e kësaj kompanie, Qeveria e Kosovës ia ka paguar asaj 191 mijë e 753 dollarë amerikane në vitin 2011.

Një shumë më e madhe i është paguar më 2012. Kap vlerën e 552 mijë e 561 dollarësh amerikanë. Ndërkaq, më 2013 i janë paguar 441 mijë e 960 dollarë.

Kompania është paguar nga Qeveria edhe në vitin 2014. Vlera e pagesave kap shifrën e 198 mijë e 204 dollarëve.

Për lobuesit amerikanë të “Patton Boggs”, më i leverdishëm sesa viti 2014, ka qenë vitit 2015. Ka marrë plotë 497 mijë e 98 dollarë nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq, edhe më i leverdishëm ka qenë viti 2016. Gjatë këtij viti kjo kompani ka përfituar 571 mijë e 369 dollarë nga Qeveria e Kosovës. Konvertuar në euro shuma që kjo kompani ka marrë nga Qeveria e Kosovës është prej mbi 2 milionë e 285 mijë e 466 euro. /Insajderi.com