Patriotë të çmendur

11.04.2018

10 të akuzuar për vepra që ndërlidhen me terrorizmin dhe 17 të tjerë që nuk e lajmëruan fjalimin e çuditshëm të Murat Jasharit që thoshte se do të vriten liderët e Kosovës. Ky është bilanci i një hetimi një vjeçar nga Prokuroria Speciale për “Syrin e Popullit” që emisioni InDoks, prodhim i Gazetës Online Insjaderi e sjell të përmbledhur në një dokumentar dy pjesësh me titullin “Patriotë të çmendur”. Por, cili do të jetë epilogu i këtij rasti në gjykatë, kur së paku lideri i grupit ka letra të bollshme që është rëndë i sëmurë psiçikisht?

Patriotë të çmendur

Një motel në Vetërnik, në dalje të kryeqytetit kosovar ishte vendi ku Murat Jashari kishte fjetur para se mëngjesin e 13 marsit 2017 të nisje për në qendër. Në Prishtinë ai kishte shënjestruar për ta vrarë avokatin Azem Vllasin, Me këtë atentat në qendër të Prishtinës besonte që po e niste atë që do ta quante “pranvera e nxehtë” për Kosovën.

Edhe dy ditë më herët Murat Jasahri do ta vizitonte vendin ku banon avokati Azem llasi, një ish-funksionar i lartë i Kosovës në kohën e Jugosllavisë komuniste, por nuk e gjeti aty. Donte ta ekzekutonte më 11 mars, për të kujtuar protestat e 11 marsit 1981, protesta në të cilat Azem Vllasi megjithatë nuk ishte në anën e protestuesve. Ishte në anën tjetër.

Më datën 13 mars Jashari veshi rroba të reja, ai besonte se do të mbeteshin më vonë kujtim në Muze, ngjeshi alltinë në brez dhe sa për kamuflazh vendosi një kapelë e morri ca letra në dorë. Po imitonte një histori mbi 100 vjeçare të vjetër në Paris dhe e njohur tashmë si Avni Rrustemi e Esat Pasha.

Murat Jasahri zgjodhi të luante rolin e Avni Rrustemit e Azem Vllasit ia dha rolin e Esad Pasa Toptanit. Por, historia përfundoi krejt ndryshe. Azem Vllasi është gjallë dhe për InDoks, një emision dokumentarësh i prodhuar nga gazeta Online Insajderi dha dhënë një rrëfim ekskluziv, derisa Murat Jashari me shokë po përballet me Prokurorinë Speciale.

Ajo çka ndodhi atë ditë koritke të marsit 2017 u kuptua shpejt, Jashari tentoi ta vriste Vllasni dhe dështoi, por se çka e solli këtë moment mbetet e pa sqaruar edhe pas më shumë se një viti. Edhe kur është krijuar një dosje mijëra faqe e trashë për “Syrin e Popullit”, që e sjelli ekskluzivisht InDoKS, Gjykimi për grupin tashmë ka filluar. Gjyqtarja e rastit, Naim Krasniqi të mërkurën vendosi që megkithatë seancën ta mbaj të mbyllur, pasi që në të do të shqyrtohej akuza e Prokurorisë kundër Avni Llumnicës për përdhunim.

Mazgiti i Shqipërisë së Madhe

Në InDoks u transmetuan pamje nga një mbledhje e mbajtur në një fashat afër Prishtinës më 3 janar 2017. Këto pamje më shumë të i ngjasojnë skeqeve humoristike të Stupcave se sa një organizatë patriotike që po tentonin ta krijonin këta burra- “Lëvizja për Ribashkim Kombëtar”.

Atë ditë në odën e zymtë të Ragip Sallovës ishin mbledhur dhjetëra burra, me ftesën e këtij të fundit ishin mbledhur shumë të vet-shpallur patriotë. Ata do të dëgjonin një fjalim të Sallovës, që mezi e lexonte.Ai aty lavdëron këtë organizatë dhe lexon ca emra të saj, derisa një mesazh në telefonin e personit që po e gjironte këtë ngjarje që për pak e ndërpret gallatën.

Por ajo që do të ndodhte tutje në atë odë do të trondiste një muaj më vonë. Dikë dikë edhe sot e frikësojnë ato fjalë që në odën e Ragip Sallovës do ti thoshte Murat Jashari, tash i strehuar në një institut për përkujdesje për të sëmur psikik brenda organeve kosovare të ndjekjes.

Nikoqiri i këtij takimi, para se t’ia linte rendin Murat Jasahrit, megjithatë me vështirësi, por ia del që ti lexojë edhe ca emra e të jepte disa porosi që ata janë ndryshe nga partitë politike.

Emri zyrtarë i kësaj organizate ishte “Lëvizja për Ribashkim Kombëtar”, por në fakt ajo çka këta burrat po krijonin ishte organizata “Syri i Popullit”, që më vonë nga Prokuroria Speciale e Kosovës u klasifikua si kriminale. Vet themeluesit e saj pretendonin se po bënin një lëvizje mbarë-kombëtare shqiptare.

E, Mazgiti me rrethinë, edhe pse në dukje një vendbanim krejt i parëndësishëm, edhe shume dekada më parë ishte bërë qendra e një lëvizje tjetër nacionaliste balkanike që qëllimet, po sikurse “Syri i Popullit” tentoi ti realizonte me dhunë, vrasje, atentate.


Mbledhjet e organizatës “Syri i Populli” në fshatin Mazgit të Obliqit

Më 28 qershor të vitit 1989 në Gazimestan, në rrethinë të Mazgitit Slobodan Milosheviç do të mbante fjalimin e tij, ndër më të famshmit për të që elektrizoi masën e mbledhur aty, kryesisht serbë të Kosovës, por jo vetëm. Edhe sot serbët festojnë në këtë vend betejën e humbur me Perandorinë Otomane.

Në dukje krejt si ngjarje shumë lokale, kjo do të ishte ndoshta edhe pikënisja e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. Por për më shumë, ky do të ishte momenti që do të ndikonte shumë në luftërat e më vonshme që shkaktuan qindra-mijëra vrasje në fundin e shekullit XX.

Pasojat e atyre luftërave vërehen edhe tash. Vet “Syri i Popullit” është një nga to.

Murat Jsahari që orkestroi këtë organizatë mendon se lufta ende nuk ka mbaruar, dhe për këtë edhe titulli i lirit të tij është i tillë: “LUFTA E PAMBARUAR-Ballë për ballë me komplotistët”,

Një krismë në Prishtinë

Një vit më parë  Azem Vllasi ishte shenjuar që të vdiste. Krejt përgatitjet ishin bërë që ai të vritej, u shkrep edhe një plumb mbi të. Azem Vllasi është gjallë dhe ekskluzivisht InDoks ka rrëfyer momentet e 13 marsit 2017.

Ngjarja e tij nuk shkoi si tek Drama “Dy krisma në Paris”, ku Avni Rrustemi ekzekuton Esat Pashen, Më 13 mars pati veç një krismë në Prishtinë. Ajo e kapi jo rëndë Azem Vllasin, dhe tutje arma e Murat Jsaharit u blloku. Por, deri te ky moment dramatik, Azem Vllasi ka një rrëfim rrëqethës që e rrëfen.

“Ka ndodh absolutisht befasisht, sepse unë s’kam as në bazë të punës time si avokat as privatisht si njeri, as politikisht me askënd kurrfarë ngatërrese apo marrëveshje, njeri kur e ka një problem rrinë me njëfarë droje, as familja ime me kërkon kështu që unë ka qenë krejtësisht totalisht i befasuar”, rrëfen Vllasi për InDoks.

Por, befasia do të prishje në mëngjes nga një njeri që Vllasi nuk e njihte personalisht. As agresori nuk e njihte viktimën. Dikush sot e përshkruan si viktimë edhe vetë agresorin Jashari, por e vërteta duket ndryshe. Murat Jsahari po e përgatiste atentatin me gjakftohtësi.

“Para dy dite, dy ditë para asaj ngjarje, një njëri që unë e njoh moti prej fëmijërisë, një njeri pe lyp telefonin tënd e paska një lëndë si avokat, paska nevojë për avokat. I thash po s’ka problem, as nuk e veta kush është sepse nuk është e zakonshëm me vet unë çfarë pale ka nevojë te unë, unë jam firmë avokat”, rrëfen ai.

Vetë puna prej avokati e kishte bërë traget të lehtë Azem Vllasin. Një njeri me një zyrë të qasëshme, dhe i gatshëm të pranojë shumë palë brenda orarit të punës ishte ideale për organizatën “Syri i Popullit”.

“Dhe kur erdhi dola, edhe pse nuk kisha termin me askënd atë mëngjes, po thash hajt te çeli derën. Rrinte një njeri pak si i çuditshëm e unë thash urdhëro në këtë mëngjes, çka ka? Tha e kam një far lindë diçka për çështje pronësore, e unë i tash për këto çështje pronësore nuk merrna… e i thash hajt pasi që po thirresh në atë personin, që po ta jepi një numër të një kolegu”.

Por, Murat Jashari i hyrë në rolin e Avni Rrustemti as nuk kishte ardhur për ndonjë problem pronësorë e as nuk po donte avokat tjetër. Ai po e donte avokatin Azem Vllasi, por ama të vdekur.

Në rahatinë e zyrës së tij, që është e ngjitur me banesën e tij, Azem Vllasi përshkruan ato momente të vështira të mëngjesit 13 marsit 2017, që mund të ishin edhe momentet e fundit të jetës së tij.

“I thash prit pak, donte të hynte brenda, jo thash prit jashtë. Hyna e gjeta numrin e një kolegu kur dol ai kish qenë i përgatitur, ja pash atë, për momentin ato pjesë të sekondave nuk e dija për çka bëhet fjalë s’kom pa unë asi shurdhuesi, revole, u turr me hi brenda, instinktivisht e kom prit, mu doke ma i dobët se unë… Ka arrit me e shkrep një herë”, rrëfen Vllasi.

Por si dukej nga jashtë krejt kjo skenë?

RTV Dukagjini kishte transmetuar po të njëjtën ditë pamje nga kamerat e sigurisë brenda ndërtesë ku është zyra e avokatit Vllasi, si dhe kamera të rrugës ku ai banon dhe punon.

Krejt historia që sapo rrëfen Azem Vllasi del që ka ngjarë brenda pak më shumë se 5 minutave, pasi që kjo është koha që i është dashur Murat Jsaharit që të hyjë i qetë e të dalë me vrap nga ndërtesa ku punon Vllasi.

Murat largohet pastaj me vrap nga vendi i krimit, derisa Vllasi duket që tashmë ka filluar të kërkoj ndihmë nga fqinjët. Pastaj Shfaqen Policia e Kosovës që një herë e ngatërrojnë udhën dhe më pas Ambulanca. Dhe më pas edhe Azem Vllasi që del tek ambulanca në këmbë të veta.

Dosja e Prokurorisë thotë se atentatorin Murat Jshari pastaj e priti miku i tij Avni Llumnica, me të cilin bashkë bënë fotografi dhe u nisën për në hotel, për të marrë rrobat e Jasharit. Ata synonin të iknin në Zvicër, por në motelin në Veternik i priti Policia

Me kamera të sigurisë të instaluara në televizorin e tij ku sheh edhe programe të tjera e me orare strikt të takimeve. Ky është tash Azem Vllasi, i mbijetuari i atentatit nga organizata “Syri i Popullit”.

Por, cili është efekti që ka lënë në të ky sulm?

“Unë tash të ju them të drejtën pa marr parasysh se unë mendoj se për kurrgjë si kom hak kurrkujt as nuk përzihem në fonde as nuk tregoj aspirata për ti bërë konkurrencë dikujt në pushtet as për kurrgjë tjetër unë prej këtij momenti e kam humbur”, thotë Vllasi

Kush donte ta shpëtonte kombin shqiptar?

Organizata “Syri i Popullit” e shpallur kriminale nga Prokuroria kosovare donte që ta bashkonte kombin shqiptar. Por, dosja e këtij hetimi shpesh të bënë për të qeshur se kush në fakt e kishte ngarkuar vetën me këtë mision.

Sipas kësaj dosje, lideri i këtij grupi ishte Murat Jashari, e që përpjekjen më të madhe tash mbrojtja e tij po e bënë që zyrtarisht ta shpallë të paaftë mendërisht, ndërsa dora e djathtë e tij ishte Avni Llumnica që së paku ka akuzë zyrtare për sjellje prej manjaku seksual. Llumnica akuzohet se ka përdhunuar seksualisht një të burgosur tjetër me të cilën fati e coi që të ishin në të njëjtën dhomë paraburgimi.

Përshkrimi që i bënë këtij veprimi të Llumnicës të duket më shumë si pjesë e filmave.

“Derisa ishte në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, më datë 16.05.2017 rreth orës 14:30 duke e përdorur kanosjen dhe forcë e ka dhunuar të dëmtuarin pa pëlqimin e tij e ka kapur me forcë për krahun e majtë me kanosje dhe dhunë e ka futur në banjë të dhomës së paraburgimit, më pas e ka zhveshur dhe e ka detyruar viktimën që t’i bëjë seks oral për një kohë të shkurt, më pas i pandehuri ka bërë ejakulimin në banjë, po ashtu i pandehuri ditë më parë e ka ngacmuar seksualisht viktimën duke e prekur në organin gjenital duke i fol për marrëdhëniet seksuale në mes të meshkujve dhe se e kishte puthur me forcë në buzë duke  i shkaktuar lëndime të lehta viktimës”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Të akuzuar të tjerë pos Jasharit e Llumnicës janë edhe Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirija Luzha.

10 të akuzuar, me akuza që fillojnë nga armëmbajtja pa leje te hakmarrja, e nga përgatitja e veprave terroriste e deri te përdhunimi.

Seks, patriotizëm e armë. Një kombinim për të cilin akuzohet “Syri i Popullit” si organizatë, detajet e akuzës kundër së cilës organizatë do të zbulohen gjerësisht në këtë dokumentar dy pjesësh.

Por, se çka i bëri bashkë këta persona, cila parti politike apo edhe më shumë, cili shërbim sekret i jashtëm, këtu ka një shpjegim viktima e këtij grupi, Avokati Azem Vllasi. Ai nuk kursehet që të lëshohet edhe në konspiracion të frymës së Luftës së Ftohtë, në konspiracion me rusë. Thotë që atë ditë kur u bë atentati kundër tij e kishin thirrur në telefon disa numra me kodin rus. Megjithatë, as ai as hetuesia ende nuk e ka zgjidhur ende misterin e tyre.

Shteti kundër Syrit të Popullit

Sylë Hoxha, tash prokuror Special ka një zyrë e vogël dhe ajo është zyra ku ai nisi hetimin e organizatës “Syri i Populit”, rast në të cilin janë të niveluar krerët më të lartë të Republikës së Kosovës.

Për InDoks Prokurorit Hoxha, që për një kohë shërbeu edhe si Kryeprokuror i Republikës, dha një intervistë e rrallë. Ai në këtë intervistë për zbulon detaje interesante për hetimin e tij si dorë e shtetit kundër organizatës të “Syrin e Popullit”.

“Po ne kemi pas informacione edhe kemi ndërmarr veprime procedurale edhe para se të ndodh rasti ndaj Azem Vllasit, por ata kanë qenë disa dyshime fillimisht. Ne ato informacione i kemi marr në fillim të vitit të kaluar diku, dhe i kemi marr veprimet procedurale që është dashtë me u ndërmarr në këtë drejtim”, thotë Hoxha.

Prokurori Hoxha megjithatë flet edhe për mundësinë për atentate tjera, pos atij që kreu Murat Jashari kundër Azem Vllasit.

“Po, si Avni Rrustema mund të konsiderohen edhe personat që ende nuk i kemi identifikuar, por edhe personat që veç i kemi nën aktakuzë sepse ata veç kanë paralajmëruar se kanë zbrit, po bie fjala disa Avni Rrustema në Prishtinë, Pejë dhe qytete tjera të Kosovës edhe na për momentin nuk jemi tu i ruajt s’kemi ndonjë far rezerve, por ato prova, për ata persona që i kemi pas veç kemi vepruar”.


Prokurori Special Sylë Hoxha flet për Indoks lidhur me organizatën “Syri i Popullit”

Ekskluzivisht për këtë dokumentarin “Patriotë të çmendur” Prokurori Special Sylë Hoxha zbuloi se në rastin “Syri i Popullit” nuk do të jenë të akuzuar veç 10 personat për të cilët tashmë janë lëshuar dhe komunikata nga Prokuroria.

Numri është rritur praktikisht. Janë edhe së paku 17 persona të tjerë që do ti ndjek shteti në luftën e tij kundër organizatës “Syri i popullit”, të konsideruar edhe terroriste.

Këta persona po akuzohen tash për këtë fjalim, që e dëgjuan të gjithë dhe askush nuk e lajmëroi në Polici, kurse disa e përkrahën.

Është fjala për një pjalmim disa minutash të Murat Jasharit, i akuzuar tashmë për hakmarrje. Por, jo edhe për tentim-vrasje. Dy minutat e pari a flet vetëm për nevojën që të bashkohen trojet shqiptare dhe Kosovën e konsideron krahinë të Shqipërisë.

Ai tutje flet për krijimin e një regjioni me shumicë shqiptare dhe paralajmëron se nëse kjo nuk bëhet, atëherë dhe vizitat për në qytetin e Manastirit, ku filloi shkolla shqipe, do të bëhen pastaj duke kërkuar leje nga , siç thotë ai, sllavët

Ai tutje paralajmëron hakmarrje e bëhet edhe më specifik se për çfarë hakmarrje e ka fjalën “Do të vriten o Vllazni”, thotë Murat Jashari.

Ai flet gjerë e gjatë, dhe thotë se do të vriten liderë të Kosovës që drejtuan këtë vend që nga vitet e 90 e deri më 2017, dhe flet për një fillim të aksioneve më 2017, siç e përshkruan edhe Prokuroria në Aktakuzë, por ai jep detaje edhe për marketingun që do ti bëhej kësaj pune pastaj.

Dy Murat Jasharat

Murat Jashari zyrtarisht është klasifikuar nga ekspertët që nuk është krejtësisht i vetëdijshëm për veprimet që ka bërë. InDoks ka siguruar edhe një material dhjetëra faqesh të komunikimeve mes doktorëve në Zvicër për gjendjen e Murat Jasahrit, që për ta ishte një pacient i njohur në qytetin ku ai jeton, Freiburg të Zvicrrës.

Në një nga dokumentet mjekësor në posedim të dokumentarit Jashari përshkruhet edhe si “pacienti aktualisht ka mendime për ta vrarë veten, ta varë me kabllo në shkallët e objektit… Thotë se “në trup i ka dy njerëz, nga të cilët njëri për vetëvrasje e tjetri kundër”.

Por, ajo që mësohet në komunikimet e mjekëve është se Murat Jashari në përgjithësi ka megalomani dhe vlerësim të tepruar për vetën. A nga një herë, sipas mjekëve mendon që ka një mision për të kryer, për të bashkuar trojet shqiptare.

Avokatja aktuale e tij, Fehmije Gashi-Bytyqi, që në bisedë e sipër thotë që tashmë nuk e ka veç klientë, por ndien edhe keqardhje për të, flet për të njëjtat problem të tij, dhe thotë për këtë bëri gjithë përpjekjen që ai të mos qëndronte në burg më.

Por, pos me probleme psikike, mbrojtësja e tij e përshkruan Murat Jasharin edhe ndryshe.


Murat Jashari në Gjykatën Themelore në Prishtinë

“Zotëri Jashari së pari është një person që ka përgatitje superiore shkollore, rrjedh nga një familje patriotike, ky ka personalitet të vetin është vëllai i komandantit të rënë Ismet Kumanova, Ismet Jashari-komandant Kumanova. Është një person që në ato momentet kur e ki mundësin të komunikosh në rregull me të ka ndjeshmëri, por ato zgjasin shumë shkurt:, thotë ajo

Gashi-Bytyqi këmbëngul madje edhe më shumë që Murat Jsahri, pavarësisht se kreu një vrasje në tentativë nuk duhet ta pres gjykimin në Kosovë, po duhet që tash të kthehet në Zvicër për trajtim psikiatrik afër familjes.

Pasi që e takon më shpesh se të tjerët, InDoKS e ka pyetur avokaten Fehmije Gashi Bytyqi se cka i kujtohet nga veprimet e tij Murat Jsahrit, dhe përgjigjet janë interesante.

Fehmije Gashi Bytyqi, avokate e “Murat Jasharit”

“Ai e pranon ato, po ai e pranon mandej se ka qenë sajes% e tij pa shtyrë, pa organizim, një sajesë që i ka ardhur atij edhe që mundohet ta arsyetoj, në mënyrën e vetë që nuk ka arsyetim realisht po ai në mënyrën e vetë mundohet ta arsyetoj, pa e implikuar kurrë askënd”, thotë ajo.

Sipas saj, Murat Jashari as Azem Vllasi që gati e vrau nuk i kujtohet qartësisht.

“Me një komunikim mjaftë të komplikuar. Sigurisht diçka i kujtohet se din që Azemi është avokat, e din, e përmend veprimtarin e tij si ish-anëtar i Lidhjes Komuniste e tjerë, po jo ne detaje”, thotë ajo.

Gjyqi ndaj tij, nëse nuk përjashtohet ai nga seancat mund të përfundoj edhe në një komedi. Avokatja e tij paralajmëron se ai flet përçart, derisa Prokurori Sylë Hoxha thotë që ai është i gatshëm të marrë pjesë në gjykimin për “Syrin e Popullit”.

“Jo nuk mund ta rrezikoj (aktakuzën) ngase në shkresën e lëndës gjenden ekspertizat mjeko-ligjore edhe për të pandehurin Murat Jasharin përveç asaj që e akne cilësua sëmundjen e tij aty thuhet se mund ta përcjell gjykimin”, thotë Hoxha.

Kemi qenë dëshmitarë të gjykimeve të profileve të ngjashme në Kosovë ku të akuzuarit ia arritën që së paku ta veçojnë rastin e tyre nga të tjerët, derisa gjyqi me ta u bë gallatë. Sikur rast i Fahredin Gashit nga grupi kriminal i Azem Sylës që një herë në sallën e gjyqit kishte pyetur se a mos është në teatër.

Por ky  gjyq shteti kundër “Syrit të Popullit’ që tashmë ka nisur, ka një eopilog që nuk varet veç koha. E thonë edhe personazhet e këtij dokumentari.

A do të përfundojë duke i shpallur liderët të çmendur e të papërgjegjshëm e vartësit e tyre të mashtruar e të manipuluar? Apo do të përfundojë duke dhënë dënime të mëdha, edhe këtë nuk do ta vendos veç drejtësia. Nuk do ta vendosin veç gjyqtarët, por edhe politika, druajnë mbrojtësit e të akuzuarve. Për të kundërtën është i bindur Prokurori.

Sylë Hoxha ende i mban shpresat tek liderët që i intervistoi si dëshmitarë.

“Konsideroj se po, se ata me një mënyrë kanë qenë edhe dëshmitarë edhe viktima se në planin e “Syrit të Popullit” , ata kanë qenë të shenjëzuar dhe unë besoj se ata qëndrojnë pranë deklaratave të tyre edhe sigurisht do të sqarohen edhe gjatë seancave gjyqësore”, thotë Prokurori Hoxha i pyetur se a do ta mbështesin liderët e shteti në punën e tij.

Ai ka intervistuar për këtë rast hiç më pak se Presidentin Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin Kadri Veseli, Xhavit Halitin, deputet i PDK-së dhe një nga shtyllat e Lëvizjes Popullore të Kosovës- LPK-së, Shaip Mujën, dikur njeri shumë i afërt i Hashim Thaçit dhe një nga njerëzit kryesor në PDK, ish-Shefin e Shefave të kësaj partie, Adme Grabovcin, Fatmir Limajn që tash drejton Nismën Social Demokrate, Hajredin Kuçin, ish-Kryeministrin Isa Mustafa. Deputetë të pozitës e të opozitës. Janë plotë 61 dokumente në dosjen “Syri i Popullit” që janë shënjuar si deklarata të dëshmitareve.

InDoks ka provuar që të intervistoj krerët e shtetit që janë pjesë e kësaj dosje, por të njëjtit nuk kanë pranuar që të dalin para kamerës për këtë temë.

Mona e Rumanisë

Sylë Hoxha, prokurori Special që po e përfaqëson shtetin kundër organizatës “Syri i Popullit” ka intervistuar 61 dëshmitarë, herë personalisht e herë duke i udhëzuar policët hetues, por aktualisht në këtë dosje mungon dëshmia e një personi kyç, Mona Agrigoroaiei nga Rumania.

Emri i saj u bë i njohur për publikun pak kohë pasi që Murat Jashari kreu atentatin e dështuar kundër Azem Vllasit, pasi që një portal kishte publikuar biseda erotike në mes të Jasharit dhe Agrigoroaiei

Por, cila është lidhja e saj me liderin e “Syrit të Popullit”, Murat Jashari, pos lidhjes intime online?

Murta Jashari madje e kishte propozuar atë si për njërën nga pozitat kryesore në organizatën Lëvizja për Ribashkim Kombëtar.

“Për sekretare të LPRK-së propozojë një ‘sokoleshë’ shqiptare që mund të komunikojë më faktorin ndërkombëtar”, ishte shprehur Jashari.

Sipas dosjes së Prokurorisë për “Syrin e Popullit” personi me të cilin Murat Jashari po komunikonte për ta vënë në kontakt me faktorin ndërkombëtar është pikërisht Mona.

Ai në këtë komunikime me postë elektronike me Agrigoroaiei i thotë asaj që duhet ta përkthejë planin e “Syrit të Popullit” si organizatë dhe tua dërgoi ambasadës së ShBA-ve, Gjermanisë, Anglisë dhe Izraelit. Jashari do të kërkonte nga ajo edhe t’ia gjente kontaktet e ambasadorëve të lartpërmendur që janë akredituar në Zvicër.

Mona e kryen punën me të cilën e angazhon Murat Jashari dhe madje ia përmirëson drejt shkrimin e tij dhe i jep një këshillë: “për mendimin promemoria duhet të jetë e shkurtër dhe e qartë sepse diplomatët diplomatët nuk kanë kohë të lexojnë romane kilometrike” i shkruan ajo.

Lidhja e tyre duket se ishte vërtetë e afërt, pasi që Mona do ti shkruante Murat Jasharit tri ditë para se ai ta kryente sulmin kundër Vllasit, duke i thënë se ishte bërë merak për të.

Tutje, sipas aktakuzës, Murat Jashari po në ditën që kreu atentatin e dështuar kundër Azem Vllasit e kishte porositur Mona Agrigoroaiei nga Rumania që t’ia dërgonte me SMS emrin e mbiemrin e saktë si e ka në pasaportë dhe tutje i kërkon që ta bëjë një rezervim hoteli për dy persona në Frieburg, aty ku jetonte Jashari në Zvicër. Edhe pse nuk dihet a po planifikonte ta kalonin bashkë natën me Monën, por Jashari e përfundon mesazhin duke i thënë asaj “të dua shpirt” dhe ajo ia kthen me fjalën “zemër”. Por edhe i kërkon ta dije se kur ia dërgon paratë.

Mbrojtësja e Murat Jasharit, avokatja Fehmije Gashi Bytyqi megjithatë e përshkruan ndryshe këtë raport.

“…Unë nuk po lëshona për Monën se nuk di më shumë për të, se kur kam biseduar me Muratin ai nuk ka kurrfarë ndjeshmërie, nuk i kujton kurrgjë ai emër se natyrisht mua më ka interesuar gjithë kjo literaturë për të…”, thotë ajo.

E Ramiz Krassniqi që mbron anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabajën flet diçka tjetër për këtë personazh.

“Mona ka ardhur në Kosovë disa herë, madje është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe Sadriu ka pas vetëm një kontakt me të, edhe sipas Sadriut ajo është një person shumë i dyshuar, është punëtore e shërbimit qoftë rumun qoftë serb, bile bile sipas Sadriut, i njëjti ia ka tërhequr edhe vërejtjen aktivistëve të Vetëvendosjes që të kenë kontakte sa më të pakta me të edhe më duket prej atij momenti Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kontakte me këtë Monën. Ajo është paraqitur si pro shqiptare, ka shkruar disa poezi për luftën, ka propozuar që të krijohen disa fonde e ku di unë, por sipas Sadri Ramabajës ajo është shumë e dyshimit dhe vetëm një kontakt Sadriu e ka pas me të absolutisht kerr s’ka komunikuar me të”, thotë Krasniqi.

Për këtë personazh, që vite më parë promovoi edhe një libër në Prishtinë, për të cilën foli edhe Adem Demaçi, televizioni Publik kishte bërë një raportim duke e akuzuar për agjente të shërbimeve të huaja, më saktë, atyre rumune dhe maqedonase.

Ky artikull i RTK-së që tashmë nuk gjendet ne faqen e këtij televizioni ishte publikuar shumë kohë para se të ndodhte atentati kundër Azem Vllasit. Burimet i kishin thënë RTK-së se ajo po përpiqet që t’i nxisë shqiptarët për sulme ndaj Maqedonisë, me qëllim paraqitjen e shqiptarëve si faktor destabiliteti në Ballkan.

RTK-ja e grit shumë lartë Monën, duke konstatuar se sipas burimeve ka qenë e përfshirë edhe në skandalin e majit të vitit 2015 në Kumanovë të Maqedonisë, me ç ‘rast qenë vrarë 10 shqiptarë.

Për familjarët e këtij grupi që kreu veprimtari terroriste në territorin e Republikës së Maqedonisë kryeministri aktual ka ndarë mijëra euro nga buxheti i shtetit të Kosovës.

Edhe pse është ngushtë e lidhur me organizatën “Syri i Popullit”, e njëjta ende nuk është akuzuar nga Prokuroria Speciale kosovare. Por, Prokurori Sylë Hoxha që po e udhëheq këtë rast ekskluzivisht për këtë dokumentar tha se në rast do të përfshihet edhe Mona Agrigoroaiei nga Rumania, por pa dhënë detaje.

“Ne i kemi marr veprimet procedurale në kuptim dispozitave ligjore edhe ndaj saj. Përhirë të hetimeve nuk mund të deklarohemi më tutje po, po them se veprimet procedurale edhe ndaj saj janë ndërmarrë”, thotë prokurori Hoxha.

Akuza për Aktakuzën

Veç aktakuza kundër “Syrit të Populit” është afro 80 faqe, derisa dosja në fjalë përmban edhe mijëra faqe të tjera. Prokurori Sylë Hoxha, që mban në tavolinë librin e Murat Jasahrit “LUFTA E PAMBARUAR-Ballë për ballë me komplotistët” (shfaqen pamje ku ky libër ëhstë në tavolinën e Sylës), për më pak se një vit që kur nisi ky rast arriti që ta dërgonte këtë lëndë voluminoze në gjykatë, por personazhet të tjera të këtij dokumentari po e kritikojnë (Shfaqen avokatët Gashi dhe Krasniqi). Kurse viktimat po e lavdërojnë punën e tij

Azem Vllasi madje e përshkruan këtë aktakuzë në detaje.

Megjithatë, Vllasi, sikurse Prokuroria, ende nuk e kanë të qartë krejt se pse bash aksioni i ‘Syrit të Popullit” filloi me të.

Për Vllasin “Syri i Populit” është organizatë serioze.

“Dhe tash aktakuza është dorëzuar në gjykatë do të dalin fakte shumë interesant, aktakuza është e mbuluar mirë me prova dhe dëshmi, janë propozua mbi 45 dëshmitarë, përmbi 60 prova tjera me shkrim, citate, përgjime të fshehta qysh i parasheh ligji të telefonatave, celulareve dhe tjera dhe del se kjo është një kompletim ma serioz dhe ma i rrezikshëm kundër shtetit të Kosovës pas luftës. Shtrihen në tri shtete, Zvicër, Gjermani, Austri edhe në Kosovë, i kanë do njerëz të vetë edhe Shqipëri dhe kjo është realiteti në të cilin na po jetojmë që ka njerëz të tillë, veprojnë organizohen”, thotë Vllasi.


Azem Vllasi gjatë një interviste për “Indoks”

Për interes të këtij dokumentari Azem Vllasi kthehet në kohën kur ishte funksionar i lartë komunistë i Kosovës, dhe në krahasim me atë kohë, prapë “Syrin e Popullit” e sheh si organizatë më të rrezikshme se organizatat e atëhershme ilegale.

“Në atë kohë ka pas grupe ilegale, që kanë vepruar ilegalisht me motive patriotike, por me metoda jo të dhunshme”, thotë ai

Pro, personazhe të tjera në këtë dokumentar kanë vërejtje serioze për këtë aktakuzë të Prokurorisë Speciale.

Fehmije Gashi Bytyqi, avokate e “Murat Jasharit”

“Lidhur me këtë aktakuzë ka shumë pikëpyetje nëse mund me than të cilave nuk i është gjendur përgjigjja”, thotë Fehmije Gashi-Bytyqi, avokate e Murat Jasharit dhe përmend faktin që po akuzohet për financiere e “Syrit të Popullit” Lirie Luzha, mbesa e Murat Jasharit, që madje mezi i siguron paratë që të shkoi te familja e saj në Tetovë.

E Ramiz Krasniqi,avokati i aktivistit të Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja numëron një sërë dobësish të këtij procesi hetimore të shtetit kundër ‘Syrit të Popullit” dhe beson që ky rast edhe do të hidhet poshtë, nëse ka drejtësi në Gjyq.

Për avokatin Krasniqi shteti i Kosovës është vënë pas një organizate fantazmë- që nuk ekziston.

Ai madje ironizon që nëse ndiqet logjika me të cilën është ndërtuar rasti “Syri i Popullit”, duhet të akuzohet edhe këngëtarja e folklorit, Shkurte Fejza, pasi që edhe këngët e saj janë kushtrim.

Për të disa nga citatet të shkruara nga të akuzuarit nëpër media sociale përmbajnë të vërteta që madje as viktima e “Syrit të Popullit”, Azem Vllasi nuk i mohon dot.

“Faqe 20, shiqo thuhet se në një prononcim njërit prej tyre dhe e citon tash aktakuza thuhet “Tradhtarët e kombit nuk falen nuk harrohen, kur shteti nuk ka marr masa ndëshkuese atëherë ata shqiptar mbi 500 mijë që janë dënuar për nacionalizëm dhe irredentizëm nga Azem Vllasi.

Ky është fakt i pamohueshëm që nuk e mohon edhe Azem Vllasi’, thotë ai.

“Syri i Popullit”, sipas gjetjeve në hetim nga Prokuroria Speciale del se ka pasur një listë të gjatë likuidimesh në të cilën hyjë pothuajse liderët kryesor të vendit, dhe të njëjtit tash janë dëshmitarë. Por, kjo grua që sot e mbron Murat Jasharin thotë që deklaratat e tyre në fakt janë në favor të të akuzuarit.

“Jo, as Kryeparlametari, as Presidenti nuk thonë që na ka, në deklaratat që i kemi këtu nja 12 folldera, asnjëri nga ta nuk thotë se na ka kërcënuar apo rrezikur”, thotë ajo

E avokati tjetër, Ramiz Krasniqi ka shumë e shumë vërejtje kundër akuzës së Sylë Hoxhës, por beson që kjo është shumë domethënëse.

“Dhe çka është me rëndësi, kjo quhet një organizatë kriminale dhe gjatë bastisjes tek këta persona është gjetur një armë me gaz, një revole me gaz dhe është gjatë një pushkë ajrore, llogaritë ti çfarë organizatë terroriste është kjo? Thuhet se organizata terroriste ka veprua me një sekret të madh, çfarë sekreti kur një tubim në fshatin diku Mazgit para kamerave kanë defilu njerëzit kanë fol, i kanë shprehur pikëpamjet e tyre madje kjo edhe në rrjetet sociale është emëtu direkt”, thotë ai.

Vërejtjet e tij shkojnë edhe te cenimi i rëndë i privatësisë dhe akuzon se Prokuroria kosovare sot po vepron si ajo e kohës së komunizmit, pasi që ai u përgjua edhe kur u takua në burg me familjarë, madje edhe kur u takua me avokatin e tij.

Pos në aktakuzën e Prokurorisë, avokati Ramiz Krasniqi ka gjetur kajde edhe tek Gjykatësja e këtij rasti dhe arsyet që ai ka përmendur në shkresat e tij kundër saj janë së paku interesante. Ai thotë që Gjyqtarja Naime Krasniqi është motra e Ismet Krasniqit, e Krasniqi nëkëtë rast është ndihmësi i parë i Kadri Veselit që sipas të akuzuarit Sadri Ramabaja drejton klanin “Pronto” që  ai beson se e ka përgatitur e inskenuar këtë lëndë.

Ai thotë që Ramabaja e gjyqtarja Krasniqi në të kaluarën kanë punuar bashkë dhe nuk kanë raporte të mira nga ajo kohë. Por, kërkesa e tij u refuzua, dhe këtë gjyq do ta drejtoj Naime Krasniqi.

Kështu do të dukej “Syri i Poullit”

Promemoria, një lloj projekti se si do të dukej organizata ‘Syri i Populli” ishte gjetur në disa USB që iu kapën Murat Jashrit. Një pjesë e mirë e këtij materiali ishte përkthyer edhe në gjuhë të huaja, përfshirë edhe gjuhën angleze, nga ana e Mona Agrigoroaiei.

Në këto dokumente përshkruhet se Lëvizja “Syri i Popullit” është organizatë ilegale që do t’i përcjellë subjektet politike dhe jopolitike, pushtetet qendrore dhe lokale dhe klerikët etj. në gjithë hapësirën shqiptare.

Ajo ka Shtabin Qendror prej 12 anëtarëve nga gjithë hapësirat shqiptare dhe se përgjegjës i tij është “Sakati”- që më vonë sqarohet e është vetë Murat Jashari dhe zëdhënës “Besniku”, sipas Prokurorisë, që është Sadri Ramabaja.

Ramabajën, apo i përshkruar me nofkën “Besniku” Murat Jasahri e ka bërë, në planetë e tija edhe përgjegjës të Grupit Politik edhe zëdhënës të organizatës dhe sipas tij ai me 7 veta të tjerë përgatit komunikatat, dhe sipas nevojës edhe reagimet- pasi tenisin aksionet dhe atentatet.

“Syri i Popullit” planifikonte të kishte edhe përgjegjësin për Zbulim-Kundërzbulim e që ishte “Flamuri” dhe zëvendësin e tij që ishte “Shqiponja” derisa përgjegjësi i Operativës sipas aktakuzës ishte “Gergji”, ndërsa zëvendës “Bardhi”.

Veç pozita e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm i dukej pak Murat Jasharit, prandaj ai në planet e tij ia dha vetës të drejtën që ti kontrollonte edhe financat. Kështu, ai kishe paraparë si përgjegjës të financave personin me nofkën “Enveri”, dhe sipas Prokurorisë është vetë i pandehuri Murat Jashari, e zëvendës i tij “Xheva”, që është e pandehura Lirije Luzha, e afërme e Jasharit.

Ata kishin themeluar madje edhe një grup të veçantë, pos atij të guerilës. “Syri i Popullit” kishte edhe grupin për dajak.

“Syri i Popullit” madje kishte dizajnuar edhe logot e degëve të saj derisa për betim vendosi që ta bënte para flamurit kombëtarë shqiptar dhe para fotografisë së Adem Jasharit

InDoks ekskluzivisht për herë të parë solli pamjet se si dukeshin llogot e Shtabit të Përgjithshëm të Syrit të Popullit si dhe fondacioneve të saj.

Por, krejt këto gjetje nga Prokuroria po tenton ti hedh poshtë mbrojtësja e Murat Jasharit. Ajo madje akuzon Prokurorin për shkelje të të drejtave të njeriut duke e mbajtur të izoluar e madje edhe në proces gjyqësor Murat Jasharin, që ka problme serioze me skizofreninë.

Në këtë strukturë të “Syrit të Popullit” të krijuar nga mendja e Murat Jasharit lartë ngjitet Sadri Ramabaja, por ai implikohet rëndë edhe nga dy dëshmitarët e mbrojtur që ka propozuar Prokuroria.

“Më datën 11 mars 2017, Ramabaja është takuar më të pandehurin Murat Jasharin në restorantin ‘Villa Panorama’ në fshatin Matiçan. Në këtë takim janë përmendur grupe të personave prej 10 vetë. Aty saktësohet se në këtë takim, Ramabaja ka sugjeruar që grupi mos të zgjerohet me më shumë se 10 persona”, thuhet në dokumente e Prokurorisë.

“Ramabaja i ka thënë Murat Jasharit ‘po të sugjeroj që mos më u zgjerua më shumë se 10 veta. Identifikimi i njerëzve është i rrezikshëm. Ti nuk mundësh më nga ky kënd, sepse në Kosovë janë 38 shërbime. Kushdo që përdor banka nuk ka shanse pa u zbulua. Me 10 veta duhet me u krye. 5-6 veta shumë të besueshëm, nuk guxon ashtu të zgjerohesh’”, pretendohet se ka thënë Ramabaja në këtë takim, në të cilin shkarazi ishin takuar edhe me Faton Topallin, ish-deputet i Vetëvendosjes, tash i grupit të ri të deputetëve që u krijua nga ndarja e kësaj partie.

Ramabaja që tash po mbahet ende në paraburgim dhe ka një arsye më shumë se pse po ndodh kjo. Ai tentoi të arratisje nga vendi madje duke u kapur edhe me dokumente te falsifikuara.

Ramabaja kishte thënë në Prokurori se kur po e priste gruan në Aeroport dikush nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës i kishte thënë se është në rrezik dhe duhet të largohet. Por, në vidoe-nicizimet që i ka në posedim InDoKS ai pret në aeroport e nuk duket që i afrohet dikush për ti folur (lëshohen nja një minutë pamje të kombinuara nga kamerat). Avokati i tij ka një shpjegim tjetër.

“Ato prova Sadri Ramabaja ka potencua se arsyeja e ikjes së tij, ka qenë se një punëtor i AKI-së i është ofruar deri sa ka qenë duke e pritur gruan e tij, bashkëshorten e tij, dhe i ka thanë profesor është mirë të largohesh për një kohë nga Kosova sepse jeta jote është shumë në rrezik dhe Sadriu normal që është frikësuar, sepse frika është njerëzore, është frikësuar edhe ka ikur nga Kosova edhe ky tash gjoja se janë marr kamerat edhe është pa se në atë kohë afër Sadriut nuk qarkullon askush. Së pari ne nuk jemi ballafaquar me atë provë nuk e dimë çka kanë pa punëtorët e sigurimit aty, është dashtë kur e kanë ekzaminuar si provë është dashtë së paku unë të jem unë aty, dhe të shohim a i ka pëshpëritur dikush Sadriut ose nuk i ka pëshpërit, mirëpo Sadriu është intelektual dhe nuk mund të trilloj gjëra të tilla”, thotë ai.

Ai thotë që Rambaja është në fakt viktimë dhe se ka një arsye politike pse është pjesë e aktakuzës.

“Nuk mund të ketë organizata të tilla pa i implikuar njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje edhe unë kujtojë që arsyeja thelbësore është pse Sadria është i inkurperum në këtë grup vetëm pse ka qenë anëtar i Vetëvendosjes, asnjë dëshmitar, asnjë njeri nuk e përmend emrin e Sadriut, por Murat Jashari… Ata dëshmitar janë të mbrojtur janë të mbrojtur, janë punëtorë të AKI-së”, thotë ai.

Dëshmitarë që ndikojnë

Një listë e gjatë për likuidime ishte përgatitur nga “Syri i popullit”. Në ballë të saj do të ishte Hashim Thaçi. Pastaj kadri Veseli, Fatmir Limaj, Xhavit Haliti dhe deri te ish-ministri i drejtësisë, Hajredin Kuçi, që tashmë e një kohë ka ikur nga vëmendja e publikut. Ishin edhe shumë e shumë figura politike e të shoqërisë civile

Për këtë lista e dëshmitarëve është kryesisht edhe lista e personave që u planifikua të vritej nga “Syri i Popullit, por jo vetëm ata.

Kështu, Prokuroria Speciale intervistoi këta persona me pozita të larta publike

Por, ky profil i lartë dëshmitarësh mund ta ndikojë procesin, druajnë mbrojtësit e të akuzuarve.

“Mund të ketë ndikim, vet deklarimi i kryetarit të shtetit në gjykatë mund të ketë ndikim”, thotë Fehmije Gashi-Bytyqi.

Avokati që po e mbron Sadri Ramabajnë pos drojës për ndikim nga Presidenti Thaçi në këtë rast ka vërejtur edhe diçka tjetër në deklaratën e tij.

“Thuhet se në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe Hashim Thaçi, unë se besoj se Hashim Thaçi ka shkuar në zyrën e Sylë Hoxhës, sepse Hashim Thaçi, edhe Salustros nuk i ka shkuar në zyre, po është shumë interesant ja si e përfundon deklaratën thotë, dëshmitari i dëmtuar thotë: “akuzës i bashkëngjitëm dhe kërkoj nga organet shtetërore që këtë çështje ta ndriçojnë deri në fund me korrektësi dhe profesionalizëm, domethënë sipas Hashim Thaçit, ky e ka ditë se do të ketë një aktakuzë edhe pse është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, pastaj thotë, në fund kërkojë që kjo çështje të gjykohet me korrektësi dhe profesionalizëm domethënë sipas kësaj logjike del se ka gjyqtar që i gjykojnë çështjet pa korrektësi dhe pa profesionalizëm, por nëse ka të tillë atëherë pse ky i ka mandatur si gjyqtar ky është problemi”, thotë Ramiz Krasniqi

Prokurori që po e përfaqëson shtetin në akuzën kundër “Syrit të Popullit” megjithatë pret mbështetje nga krerët e shtetit. Deklaron edhe se ata njëmend i erdhën për intervistë në atë zyrë të vogël të tij.

“Kanë qenë në zyre, bile unë edhe nuk kam prit kur më kanë thënë, normal që unë ja kam çu ftesat. Bile jam habit njëri prej tyre më ka ardhur pa paralajmërim. Po mendoj ftesën ja kam dërguar veç unë pritsha me më than që unë jam i zënë, ja sot a nesër a diçka, po veç kur më kanë thënë po hajde se ka ardhur”, thotë i kënaqur Sylë Hoxha.

Më poshtë i gjeni të plota të dyja pjesët e dokumentarit “Patriot të çmendur”:

Pjesa e parë: https://video.gjirafa.com/insajderi?video=indoks-patriote-te-cmendur-pjesa-e-pare

Pjesa e dytë: https://video.gjirafa.com/insajderi?video=patriote-te-cmendur-pjesa-e-dyte-2