Njerëzit e LDK-së nënshkruajnë avancimin akademik të ministrit Hoti

04.05.2017

Komisioni vlerësues në Fakultetin Ekonomik, i përbërë prej dy bashkëpartiakëve të tij, nga gjithsej tre anëtarë sa janë aty, e kanë propozuar ministrin e Financave, Avdullah Hoti, për gradën e ‘profesorit të rregullt’.

Njerëzit e LDK-së nënshkruajnë avancimin akademik të ministrit Hoti

Ministrit të Financave, Avdullah Hoti i është hapur rruga që të bëhet profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës, falë vlerësimit pozitiv që ia ka dhënë një komision pjesë e të cilit kanë qenë dy bashkë partiakë të tij.

Në konkursin e 24 nëntorit të vitit 2016, ministri Hoti kishte konkurruar për t’u zgjedhë në gradën e ‘profesorit të rregullt’ dhe rrjedhimisht si profesor për lëndët Ekonomiksi i tregut të punës, Ekonomiksi i personelit, Makroekonomia, Globalizmi dhe tregu i punës.

Niveli i parë brenda fakultetit që i vlerëson kandidatët është Komisioni Vlerësues, i cili përbëhet prej tre anëtarëve.

Në këtë Komision qëllojnë të jenë dy bashkëpartiakë të tij – Muhamet Mustafa, i cili është deputet i LDK-së, dhe Myrvete Badivuku-Pantina, ish-deputete e LDK-së në vitin 2007.

Myrvete Badivuku-Pantina, e kontaktuar nga Gazeta Insajseri, ka thënë se nuk ka qenë subjektive në vlerësimin e saj për ministrin Hoti.

“S’kam qenë subjektive. Unë Abdullahun e kam koleg, jemi në të njëjtin departament, jemi bashkë në lëndë të njëjta, kemi lëndën e njëjtë ‘Makroekonomi’, i kemi të ndara grupet e studentëve. Kam qenë tamam e thirrur për ta vlerësuar punën e tij”, ka thënë Badivuku-Pantina për Insajderin. Ajo ka thënë të mos ketë ndikuar afërsia partiake me ministrin Hoti, duke shtuar se ka tri vjet që nuk është aktive në parti.

“Nuk e shoh problematike. Nuk ka ndikuar afërsia kolegiale, partiake. Unë kam qenë shumë korrekte dhe me kujdes e kam analizuar dokumentacionin e tij. Për mua nuk ka qenë ai ndikim që të mos e vlerësoj realisht kandidatin”, ka shtuar ajo.

“Unë që sa kohë nuk jam aktive, unë e kom dorëzuar kërkesën para tri viteve në LDK në Vushtrri, pasi jam orientuar nga puna profesionale”, ka thënë ajo, duke shtuar se tash nuk është në asnjë parti. Sipas saj, krejt vlerësimi për ministrin Hoti është bërë mbi bazën e dokumentacionit të cilin ai e ka dorëzuar në fakultet.

Insajderi ka provuar të marrë një mendim edhe të bashkëpartiakut tjetër të Hotit, njëherësh deputet i LDK-së, Muhamet Mustafa, por kjo ka qenë e pamundur.

Ndërsa lidhja e ministrit Hoti dhe anëtarit tjetër të Komisionit, Sinan Ademaj, është se ata kanë qenë profesorë të lëndës “Mikroekonomia I”, siç shihet në një syllabus të mëhershëm të Fakultetit Ekonomik.

[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=rxnbghbtcNM&feature=youtu.be” /]

Kujdesi i rektoratit të UP-së ndaj profesorëve politikanë

Në kohën kur ish-rektori, Ramadan Zejnullahu, kishte nxjerrë vendim që obligonte stafin akademik në UP të përcaktohej për pagë primare brenda apo jashtë UP-së, ministri Hoti ishte ndër të paktët profesorë që nuk e kishte paditur UP, përkundër disa kolegëve të tij ministra, të cilët e kishin bërë këtë, shkruan Insajderi.

Por UP-ja, me ardhjen e menaxhmentit të ri, në krye me rektorin, Marjan Dema, u kujdes për ministrin Hoti, sikurse për shumë profesorë tjerë që vijnë nga politika.

UP-ja kishte nxjerrë vendim me të cilin i favorizonte profesorët që vinin nga politika. Me këtë rast iu krijua mundësia të përfitonte edhe ministri Avdullah Hoti.

Ishte data 13 tetor e vitit 2016 kur drejtuesit e Universitetit të Prishtinës, zyrtarisht autonom në ndërmarrjen e veprimeve, vendosën që t’i nënshtrohen politikanëve me ndikim.

Një vendim i marrë asokohe, të cilin e kishte siguruar Insajderi, tregohej se drejtuesit e UP-së kanë vënë rregulla rigoroze për stafin e mësimdhënësve që përveç UP-së ka marrëdhënie pune edhe në institucione tjera, organizata jo-qeveritare, kompani publike apo private.

Ata, sipas vendimit, deri më 31 dhjetor 2016 do të duhej të deklaroheshin nëse dëshirojnë të kenë marrëdhënie të rregullt pune me UP-në.

Nëse do të vendosnin që të angazhohen rregullisht në organizata tjera, atëherë në UP mund të paguhen vetëm si bashkëpunëtorë të jashtëm, për orët e mbajtura gjatë një semestri. Kjo nënkupton ndërprerjen e marrëdhënies së rregullt të punës me UP-në.

Por, ky vendim nuk ishte kaq rigoroz për politikanët.

“Personeli akademik i zgjedhur apo emëruar në poste publike, gjatë periudhës së ushtrimit të postit publik, nga universiteti i Prishtinës do të kompensohet me pagë sekondare”, thuhet në këtë vendim.

Ministri i PDK-së mbron avancimin e profesor Hotit

Por rasti i ministrit Avdullah Hoti ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Deputetja e Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami e kishte kritikuar atë se aktualisht është duke mbajtur katër lëndë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

“Në Fakultetin Ekonomik ka pasur konkurs ku ka konkurruar një koleg juaj nga kabineti qeveritar. Ministër, në Fakultetin Ekonomik, Hoti ka marrë 4 lëndë të rregullta dhe në komision kanë qenë dy anëtarë të partisë së tij që është konflikt interesi kjo. Dhe si mundet ministri të kryejë të gjitha punët”, ka thënë deputetja Bajrami.

Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i kishte dalë në krah ministrit Hoti, duke thënë se ai është mësimdhënës tash e sa vjet në Fakultetin Ekonomik dhe bëhet fjalë për rizgjedhjen e tij.

“Është i barabartë si çdo kandidat tjetër dhe trajtohet i barabartë”, kishte thënë ministri Bajrami./Insajderi.com