Nisin hetimet për tenderin milionësh të radarëve në Kullën e Aeroportit

Insajderi

Insajderi Visar Duriqi

07.02.2018

Tenderi milionësh për “Furnizim me sisteme të Navigimit dhe rilokim i sistemeve ekzistuese” i ish-Kullës së Aeroporti tash po hetohet nga Departamenti Special Antikorrupsion i Policisë së Kosovës. Insajderi sjell detajet për këtë projekt për të cilin janë paguar mbi 7.1 milionë euro, por as pas afro 8 vitesh ai nuk është finalizuar

Nisin hetimet për tenderin milionësh të radarëve në Kullën e Aeroportit

Afro 8 vite më parë Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës nënshkroi një kontratë prej 7.8 milionë eurosh.

Ky tender, për “furnizim me sisteme të Navigimit dhe rilokim i sistemeve ekzistuese”, i viti 2011 iu besua kompanisë “TCN shpk” nga Shqipëria, por që atëherë puna për të nuk është finalizuar kurrë. Kompania shqiptare u tërhoq njëanshëm nga kontrata pasi që Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA), si pasardhëse e pjesës publike të Aeroportit pas privatizimit të tij, dështoi t’ia paguante pjesën prej 730 mijë eurove të fundit.

Policia e Kosovës ka nisur tash hetimet për këtë tender. Gazeta Online Insjaderi ka siguruar komunikimin në mes të Policisë dhe AShNA-së në lidhje me këtë hetim, dhe kërkesat specifike për dokumentacione që lidhen me këtë tender që janë bërë nga Policia në adresë të AShNA-së.

Derisa në AShNA e konfirmojnë këtë, Policia e Kosovës deri tash nuk i është përgjigjur pyetjeve të Insjaderit. As kompania “TCN shpk” nga Shqipëria ende nuk ka komentuar lidhur me këtë çështje.

“Fillimisht ju njoftoj se ASHNA ka pranuar njëkërkesëpër grumbullim te informatave, te cilës ne iu kemi përgjigjur”, thotë për Insajderin Driton Ujkani, Koordinator për Marrëdhënie me Publikun në këtë institucion.

Kërkesat për të marrë në posedim dokumente për këtë hetim i ka bërë Departamenti Special Antikorrupsion i Policisë kosovare në fund të dhjetorit të viti të kaluar, por në përgjigjet për Insjaderin zyrtarët e AShNA-së nuk japin detaje se kush nga përgjegjësit për këtë projekt është intervistuar deri tash, dhe në çfarë cilësie, si të dyshuar apo si dëshmitarë.

Ky projekt milionësh, tenderi për të cilin tash është nën hetime përmbante zëvendësimin e radarit të vjetër në atë kohë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili ofronte sinjal “MODE M”, me një radar i cilido të duhet të ofrojë sinjal “MODE S”, si sistem më i avancuar i navigimit.

Hetuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian për Inteligjencë Kriminale (EUOCI), që kanë zhvilluar kohë më parë një hetim specifik për AShNA-në dhe Aeroportin e Prishtinës konstatojnë që në mungesë të implementimit të këtij projekti, Kulla e Aeroportit të Prishtinës vazhdon të punojë me radarë që i ishin dhënë nga KFOR-i në vitin 2004.

AShNA: Ish-punonjësit morën dokumente nga sistemi i brendshëm

Në AShNA në fakt nuk komentojnë shumë për hetimin, as për projektin për të cilin janë dhënë mbi 7 milionë euro e nuk është finalizuar, por akuzojnë dy ish-zyrtarë të këtij institucioni.

“Kërkesa të tilla në ASHNA (si ky për hetime), kanë filluar të vijnë, që nga koha kur Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka marre vendim për shkarkimin e dy zëvendës drejtorëve tani ish-zëvendësdrejtorëve, saktësisht zv.Drejtorit për Shërbime Administrative Financiare z. Bujar Ejupi dhe zv.Drejtorit për Shërbime Operative z.ErsenShileku”.

Ata akuzohen nga AShNA edhe se morën dokumente nga Sistemi i Brendshëm i Agjencisë.

“Këta te fundit në vazhdimësi kanë marrë dokumente nga me te ndryshmet, duke përfshirë edhe dokumentet nga Sistemi i Brendshëm për Menaxhimin e Dokumentacionit ne ASHNA, dhe i kane dërguar ne institucionet nga me te ndryshmet duke përfshirë këtu edhe mediat” thotë për Insajderin, Driton Ujkani nga AShNA.

 

Aeroporti punon me sistem të pa certifikuar të navigimit

Për këtë tender për të cilin po heton Departamenti Special Antikorrupsion i Policisë së Kosovës drejtori i AShNA-së në planin e tij për vitin 2018 për këtë institucion ka planifikuar edhe ndarjen e mjeteve prej 372 mijë eurosh për këtë projekt.

Në këtë plan vjetor shkruan edhe se ky është projekt në vazhdim dhe jepen specifika teknike se çfarë investimesh do të bëhen, por nuk përmenden telashet me kompaninë”TCN shpk” nga Shqipëria.

Në këtë dokument të nënshkruar nga Bahri Nuredini pranohen mangësitë në sistemin e navigimiet, megjithatë. Aty thuhet se sistemi aktual i navigimit i përdorur për nevojat Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës është i viti 2012, por ka një problem “Sistemi ende nukështë i certifikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës” thuhet në këtë dokument.

Në këtë raport po ashtu konstatohet se sistemi nuk përmban pjesë rezervë nga lista esenciale e pjesëve të rekomanduara nga prodhuesi dhe të cilat janë kritike për sistem, dhe thuhet se “mungesa e këtyre pjesëve rezervë vështirëson certifikimin e sistemit dhe shton në masë të madhe riskun e operimeve të sistemit”.

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror është themeluar në janar të vitit 2016, e para kësaj ky institucion ka funksionuar nën statusin e kompanisë publike me emërtimin Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës – Kontrolli Ajror “Adem Jashari”, e që me këtë status ka funksionuar që nga viti 2011, përkatësisht që nga koncesionimi i shërbimeve terminale të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, që u koncesionua nga një kompani turko-franceze, konsorciumi “Limak” dhe “Aeroports de Lyon”.

Dyshimet e hetuesve evropianë për firmën e ndërtimeve

Me këtë rast qenë ndarë Kontrolli i Trafikut Ajror, që mbeti nën përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës dhe nën përgjegjësinë e të cilit institucion kanë ndodhur këto incidente, dhe Shërbimet Terminale nga ana tjetër, nën menaxhimin privat turko-franceze.

Për afro një dekadë, duke filluar nga viti 2008 në Aeroportin e Prishtinës pozita të rëndësishme kanë mbajtur familjarë të Bekim Jasharit, tash kryetar i Skenderajt. Bahri Nuredini që udhëheq tash AShNA’në është djalë i hallës së tij.

Veç një vit pasi që Bekim Jashari do të emërohej kryetar i bordit të drejtorëve të Aeroportit të Prishtinës do ta emëronte Bahri Nuredinin si drejtor financiar të këtij Aeroporti, atë kohë ende komplet si institucion publik.

Në vitin 2013 Bahri Nuredini, nipi i Bekim Jasharit, do të emërohej zyrtarisht kryeshef ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje publike.

Edhe në biznes privat Jashari e Nuredini bënë ortakëri. Jashari është aksionar në kompaninë “Premium Group”, e cila merrte me nderime të larta, dhe pjesë e kësaj kompanie janë edhe gjashtë ortakë tjerë, përfshirë edhe nipin e tij, Bahri Nuredinin.

Bazuar në deklarimet e pasurisë Bekim Jashari ka 50 përqind të aksioneve në këtë kompani, ndërsa Nuredini ka vetëm pesë përqind. Aksionarë tjerë që kanë hise në 45 pëqindëshin e mbetur janë Besim Demaj, XhaferDemaj, Bashkim Jashari, Fazli Jashari dhe kompania “N.N. 100 % Design”. Person i autorizuar i kompanisë është Hajrullah Lushtaku.

Hetuesit nga Zyra e Bashkimit Evropian për Inteligjencë Kriminale në një raport që e posedon Insjaderi ngrenë dyshime se Bahri Nurdini dhe Bekim Jashari mund t’i kenë marrë nga ndonjë projekt në Aeroport për të ngritur firmë ndërtimore “Premium Group”. /Insajderi.com