Nipi i Bekim Jasharit rrezikon të dënohet nga gjykata

Drejtori i Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror, Bahri Nuredini, i ka dhënë tender publik partnerit të tij biznesor. Agjencia Kundër Korrupsion ka konkluduar se veprimi i Nuredinit përben shkelje ligjore dhe se mund të dënohet nga gjykata.

Nipi i Bekim Jasharit rrezikon të dënohet nga gjykata

Bahri Nuredini, drejtor i Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror, shumë shpejtë do të përballet me një proces gjyqësor.

Agjencia Kundër Korrupsion ka konkluduar se Nuredini ka bërë shkelje ligjore kur i ka dhënë tender publik biznesmenit Avni Jashari. Nuredini dhe Jashar janë bashkë aksionar në biznesin multi milionësh të ndërtimeve të larta, “Premium Group Kosova”.

Shkeljet ligjore të Nuredinit janë klasifikuar nga Agjencia Kundër Korrupsion si kundërvajtje.

Ligji për Parandalimin e  Konfliktit të Interesit, sipas vendimit të AKK-së të marrë më 20 nëntor të këtij viti, për shkeljen ligjore të kryer nga Nuredini parasheh dënim me  gjobë që varion nga 1 mijë deri në 2 mijë e 500 euro.

Vendimi i Agjencisë tregon edhe historikun e tenderit, i cili është përshkuar me shkelje ligjore nga drejtori i ASHNA-së, Bahri Nuredini. Po ashtu, përveç shkeljes së këtij ligji ky tender kishte pasur edhe parregullsi tjera. Tenderi për ndarjen fizike të sallës nuk ishte përfshirë fare në planin vjetor dhe as nuk ishte njoftuar Agjencia Qendrore e Prokurimit për këtë aktivitet. Kjo vërejtje ASHNA-së, i ishte bërë nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, pati raportuar Kohavisioni në mars të këtij viti.

Lidhjet biznesore të Nuredinit me fituesin e tenderit

Vitin e kaluar, Agjencia për Shërbime të Navigacionit Ajror kishte shpallur fituesin e tenderit të emërtuar “ Ndarje fizike në dhomën operative të sallës ACC APP”.

Fitues ishte shpallur kompania “100 % Design” Sh.P.K, në pronësi të biznesmenit Avni Lushtaku nga Skenderaji.

Lushtaku e Bahri Nuredini janë bashkë aksionar në biznesin multi milionësh të ndërtimit të lartë, kompaninë “Premium Group”.

Aksionar në këtë kompani është edhe Bekim Jashari, kryetari i Skenderajt. Nuredini ka edhe lidhje familjare me Jasharin. Është nip i tij.

ASHNA-ja që drejtohet nga Nuredini, ka funksionuar më herët si ndërmarrje publike. Ishte quajtur “Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës-Kulla”. Pozitën e drejtorit e kishte mbajtur Nuredini. Ishte emëruar në këtë pozitë  gjatë kohës që Bekim Jashari mbante pozitën e kryesuesit të bordit në këtë ndërmarrje.

Shkeljet ligjore të Bahri Nuredinit

Megjithatë, procedurat e këtij tenderi janë zhvilluar pasi kjo ndërmarrje publike është transformuar në agjenci shtetërore.

Agjencia Kundër Korrupsion ka konkluduar se drejtori i ASHNA-së ka kryer një numër të madh shkeljesh ligjore, përgjatë zhvillimit të procedurave tenderuese.

Sipas AKK-së, Bahri Nuredini është dashur që të deklarojë gjendjen e  konfliktit e interesit, para se institucioni që drejton ta shpallë fitues kompaninë e ortakut të tij.

Nuredini e ka bërë të kundërtën e asaj çka kërkohet me ligj.

“Pas shqyrtimit të dosjes së tenderit është konstatuar se zyrtari i lartë z. Nuredini gjatë ushtrimit të funksionit publik në cilësinë e drejtorit të ASHNA ka aprovuar propozimin e menaxherit të prokurimit për formimin e komisionit lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndarje fizike në dhomën operative të sallës ACC /APP”’, thuhet në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit obligon zyrtarët e lartë që të bëjnë deklarimin paraprak , rast për rast, të situatave të konfliktit të interesit.

Vendimi i AKK-së tregon se kontrata është nënshkruar mes menaxherit të prokurimit të ASHNA-së dhe personit të autorizuar të “Premium Group Kosova”, i cili është biznes i përbashkët i Nuredinit, drejtorit institucionit dhe Avni Lushtakut, fituesit të tenderit.

“Bahri Nuredini nuk ka ndërmarrë veprime me qëllim të parandalimit dhe zgjidhjes së konfliktit të interesit”, thuhet në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Po ashtu, AKK-ja në vendim thekson se “gjatë ushtrimit të funksionit publik zyrtari të lartë i ndalohen këto veprime: të shfrytëzojë informatatat e besueshme që i ka në dispozicion apo të marra në mirëbesim në ushtrimin e funksionit për përfitime personale apo për përfitime të personave të afërt apo të besueshëm”.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsion, zyrtari i lartë në këtë rast Bahri Nuredini, nuk mund të ndërmarrë “veprime  të cilat në ndonjë mënyrë do ti përshtaten interesit personal të tij apo interesit të personave të afërt apo të besueshëm”./Insajderi.com