Yagcilar shpërndau para për partiakët, Kundër Korrupsioni mbylli rastin

Shpërndarja e mbi 10 mijë eurove tek bashkë partiakët nga ministri Mahir Yagcilar, ishte bërë në kundërshtim me rregulloret qeveritare. Auditorët kishin bërë përgjegjës direkt ministrin që kishte favorizuar anëtarët e KDTP-së, gjatë shpërndarjes së fondeve shtetërore. Megjithatë, Agjencia Kundër Korrupsion e ka trajtuar rastin vetëm si konflikt të mundshëm të interesit.

Yagcilar shpërndau para për partiakët, Kundër Korrupsioni mbylli rastin

Vendimet e ministrit Mahir Yagcilar për të shpërndarë mijëra euro të fondeve shtetërore  tek bashkë partiakët, nuk janë vlerësuar si problematike nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Agjencia ka vendosur të trajtojë këtë rast bazuar në dispozitat e Ligjit për Konflikt të Interesit. Ka konkluduar se  Yagcilar, ministër i Administratës Publike, nuk i ka familjarë pesë anëtarët e KDTP-së që përfituar mbi 10 mijë euro nga kjo ministri.

“Mbyllet rasti për Mahir Yagcilar, ministër në Ministrinë e Administratës Publike, për shkak se nuk ka të dhëna të mjaftueshme që argumentojnë dyshimin e bazuar për ekzistimin e konfliktit të interesit”, thuhet në vendimin e AKK-së, të marrë më 26 prill të këtij viti. 

Bazuar në këtë vendim, Yagcilar gjatë takimit me zyrtarët e Kundër Korrupsionit ka pohuar “ se me asnjërin prej drejtuesve të këtyre organizatave jo qeveritare nuk ka lidhje familjare që ligji e njeh si nocion “person i afërt me zyrtarin e lartë”.

Yagcilar ka shtuar se subvencionimi i organizatave të bashkë partiakëve të tij është bërë në përputhje me rregulloren nr. 01/2014 për shpërndarjen e subvencioneve për organizata joqeveritare.

“Ministri Yagcilar shpërndau para pa marrëveshje me shkrim me përfituesit”

Pesë anëtarët e KDTP-së kanë përfituar gjatë vitit 2014 mijëra euro nga ministria e udhëhequr nga kryetari i tyre.

Mënyra se si kishin ardhur deri tek përfitimi, më shumë se sa dyshim për konflikt interesi, ishte vlerësuar se përbente shkelje të rregulloreve të qeveritare.

Shpërndarja e subvencioneve nga ministria e udhëhequr nga Yagcilar ishte audituar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.  Të gjeturat ishin publikuar verën e kaluar.  Auditorët patën konkluduar se nuk ishte zbatuar rregullorja për shpërndarjen e subvencioneve.

Kishin bërë përgjegjës direkt ministrin Mahir Yagcilar.

“Edhe pse ishte bërë thirrja për aplikim për vitin 2014, MAP nuk posedon ndonjë listë të OJQ-ve që kanë dorëzuar projektet për subvencionim. Po ashtu nuk është bërë njoftimi me shkrim i OJQ-ve të cilat nuk kanë qenë përfituese të subvencioneve siç kërkohet me rregulloren 01/2014”, thuhet në raportin e auditimit të periudhës janar-dhjetor 2014.

Shuma totale e subvencioneve të ndara ishte në vlerë prej 39 mijë e 170 eurosh. Ndërsa vetëm organizatat e drejtuara nga bashkë partiakët e Yagcilar përfituan 10 mijë e 140 euro.

“Gjatë vitit 2014, MAP kishte dhënë subvencione në vlerë prej 39,170€ vetëm në bazë të vendimeve të Ministrit, pa ndonjë marrëveshje me përfituesit. në të cilën do të përcaktohej shfrytëzimi dhe raportimi i tyre”, thuhet në raportin e auditimit.

Po ashtu, kjo ministri nuk kishte caktuar zyrtar për monitorimin e realizimit të projekteve nga OJQ-të përfituese.  Auditorët gjetën se vetëm një prej OJQ-ve përfituese kishte dorëzuar raport mbi realizimin e projektit të përfituar.

ZAP kishte vlerësuar se mos zbatimi i rregullores si dhe dhënia e subvencione pa bërë marrëveshje me përfituesin mund të rezultojë me shpenzim jo të mirë të mirë të parasë publike. Po ashtu, sipas auditorëve, këto veprime çojnë deri tek shmangja nga qëllimi i dhënies së subvencionit.

“Ministri duhet të siguroj që ndarja e subvencioneve bëhet në përputhje me rregulloren dhe se me rastin e subvencionit të OJQ-ve të nënshkruhen marrëveshjet në mes palëve si dhe përgatiten raportet e monitorimit për tu siguruar që paraja publike shfrytëzohet për qëllimet e përcaktuara”, thuhet në raportin e auditimit.

Gazeta Jeta në Kosovë në tetor të vitit 2015 publikoi emrat e bashkëpartiakëve të Yagcilar.

Ministria e Administratës Publike i kishte ndarë 1 mijë euro për organizatën “Birlik Mitroviça Türk Derneği”, të udhëhequr nga Erdogan Muhamed. Ndërsa 1 mijë e 440 euro i kishte ndarë për organizatën “Cerebralis”, të udhëhequr nga Tyrkan Basha.

Pak më shumë ishin ndarë për organizatën “Shoqata a Vëllazërisë së Karavanit të Kosovës/ Kosova Kardeşlik Kervan Derneği”, të udhëhequr nga Fatma Shufta. Ministria e Yagcilar kishte ndarë 1 mijë e 500 për euro për këtë organizatë jo-qeveritare.

Ndërsa dy organizata tjera kishin përfituar rreth 3 mijë euro. MAP kishte subvencionuar me 3 mijë euro organizatën “Filizler Turkish Cultural and Artistic Society”, të udhëhequr nga Ferhat Dervis dhe me 3 mijë e 230 euro organizatën “Rumeli-Turkish Theatro Artists of Kosovo”, të udhëhequr nga Etem Kazazi.