Mbyllja e dyshimtë e hetimeve për krime lufte kundër Hashim Thaçit

17.11.2016

Presidenti Hashim Thaçi ka qenë nën hetime të një prokurori të EULEX-it për kidnapimin e dy aktivistëve të LDK-së gjatë luftës. Por, hetimi u mbyll kur rastin e mori prokurori Reshat Millaku. Viktimat kishin deklaruar se ishin arrestuar nga Hashim Thaçi, i cili sipas tyre ishte prezantuar si Sabit Geci dhe Ibrahim Gashi.

Mbyllja e dyshimtë e hetimeve për krime lufte kundër Hashim Thaçit

Një hetim i nisur nga EULEX-i për krime lufte kundër presidentit Hashim Thaçi, është mbyllur nga një prokuror vendës, pak kohë pasi ishte ngarkuar me vazhdimin e hetimeve.

Thaçi ishte i dyshuar për pengmarrje si krim lufte, të Cen Deskut dhe Jakup Kastratrit më 30 tetor 1998. Ata ishin mbajtur të burgosur në mënyrë të paligjshme rreth një muaj në fshatin Sedllar të Lipjanit.

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte lëshuar komunikatë për arrestimin e tyre. Konsideroheshin të dëmshëm për luftën e UÇK-së.

Dy aktivistët e LDK-së që ishin liruar me ndërmjetësimin e OSBE-së, e kishin akuzuar Thaçin se ka qenë pjesëmarrës në kidnapimin e tyre. Dëshmitë fillimisht ia kanë dhënë misionit verifikues dhe më vonë edhe UNMIK-ut.

Sipas tyre, Thaçi ishte prezantuar me emrin “Sabit Geci” dhe “Ibrahim Gashi”, në momentin e kidnapimit.

Mirëpo, ky hetim është mbyllur para pak kohësh nga prokurori special, Reshat Millaku, me arsyetimin se viktimat, Cen Desku dhe Jakup Kastrati kanë tërhequr dëshmitë e tyre të dhëna në UNMIK.

Mbi këtë bazë, prokurori Millaku ka vendosur që dëshmitë e dhëna në UNMIK të mos i pranojë si prova të besueshme, por t’u besojë dëshmive të dhëna para tij nga viktimat.

Takimi i Thaçit me “viktimën e tij”

Paraprakisht Thaçi, ishte kujdesur që ta takonte personalisht, Deskun në Malishevë. Një takim ishte zhvilluar me ndërmjetësimin e Isni Kilajt, zëvendësministër i Financave nga radhët e PDK-së. Desku, e ka konfirmuar takimin në të cilin ka thënë se kanë sqaruar disa “keqkuptime” të luftës.

Prokuroria arsyetohet se deklaratat e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve të dhëna gjatë hetimeve para hetuesve të UNMIK-ut, nuk janë marrë në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Mirëpo, në të njëjtën kohë dhe mënyrë janë marrë edhe deklaratat e dëshmitarëve në rastin kundër Fatmir Limajt. Aktakuza kundër tij e dëshmon se ato janë marrë në pajtim me Kodin e Procedurës Penale.

Prokuroria në anën tjetër nuk ka vepruar më të njëjtat standarde kundër Fatmir Limajt. Ai është akuzuar për krime lufte në rastin e vrasjes së Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit. Dëshmitari kyç ka ndërruar deklaratën. Në UNMIK ka thënë se në kohën kur ndodhej afër kufomave, Limaj me një person tjetër ia kishte marrë armën dhe ishte larguar. Kur është marrë në pyetje javë më parë, nuk e ka pranuar se i është marrë arma. Por, prokurorja Drita Hajdari e ka pranuar dëshminë e dhënë në UNMIK si të vërtetë, e jo dëshminë e dhënë para saj.

Insajderi ka siguruar dosjen hetimore në këtë rast.

vendimi-thaci

Vendimi për hetime i prokurorit të EULEX-it

Prokurori i EULEX-it, Cezari Mihalcuk kishte nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve kundër, Fatmir Limajt, Sabit Shalës, Lulzim Shurdhës dhe Hashim Thaçi, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte: Vrasje – si krim luftë kundër popullsisë civile [….] sepse siç thuhet në aktvendim më 2 tetor 1998, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, të pandehurit duke vepruar me një plan të dakorduar bashkërisht, kanë vrarë Ramiz Hoxhën dhe Selman Binishin.

Në vendim më tej thuhet se hetimi është hapur edhe për veprën penale: Marrje e pengjeve – si krim lufte kundër popullsisë civile [….] “sepse më 30 tetor 1998, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, të pandehurit duke vepruar me një plan të dakorduar bashkëshkrish, e kanë mbajtur Cen Deskun dhe Jakup Kastratin kundër vullnetit të tyre dhe pa ndonjë urdhër të ndonjë agjencie legjitime të rendit, për një muaj në një shtëpi që ndodhet në Sedllar, duke i privuar nga liria.

Prokurori sqaron se më 30 tetor 1998, Cen Desku e Jakup Kastrati janë kidnapuar dhe rrahur nga anëtarë të UÇK-së.

Ata janë mbajtur për rreth një muaj në një shtëpi në Sedllar, nën akuzat se kanë qenë kolaboracionistë të Selman Binishit e Ramiz Hoxhës.

“Jakup Kastrati ka deklaruar se Sabit Shala ka qenë shoferi dhe se arrestimi i tij është urdhëruar nga Hashim Thaçi”, thuhet në vendim.

Më 18 gusht të vitit 2000, Cen Desku dhe Jakup Kastrati kanë dëshmuar para hetuesve të UNMIK-ut për rrethanat e arrestimit të tyre. Cen Desku ka thënë se kidnapuesit e tij janë ushtarët e UÇK-së Skender Hoti, Demush Kastrati, Femi Kryeziu, Shefqet Mazreku dhe Ibrahim Gashi, që e paraqiste veten si Sabit Geci, por që më vonë është identifikuar si Hashim Thaçi.

“Kastrati ka sqaruar se janë keqtrajtuar dhe privuar nga liria për shkak të afërsisë politike që kanë pasur me LDK-në dhe artikujve që ai i ka publikuar dhe që nuk kanë qenë të favorshëm për UÇK-në.

Të dy kanë dhënë dëshmi para prokurorit special, Cezari Mihalcuk më 14 prill 2016.

“Hetimi bazohet në një rast të zhvilluar më herët, por të mbyllur më vone nga Policia e UNMIK-ut, me numrin 2000-00116. Më 14 mars 2014, Njësiti për Hetime të Krimeve të Luftës i EULEX-it transferoi rastin e UNMIK-ut 2000-00116 tek EULEX SPRK ku e mori numrin PPS 91/2014.

Mbyllja e hetimeve nga prokurori Reshat Millaku

Më 13 prill, rasti është transferuar nga prokurori i EULEX-it, tek prokurori kosovar, Reshat Millaku.

Në vendim sqarohet se prokurori ka intervistuar dëshmitarët Femi Kryeziu më 21 prill 2016, Demush Krasniqi më 20 prill 2016, Skender Hoti më 20 prill 2016, Shefket Mazreku më 3 maj 2016. Në cilësi të të dyshuarve, prokurori ka intervistuar Sabit Shalën më 29 prill 2016, Lulzim Shurdhajn më 3 maj 2016, Hashim Thaçin më 6 maj 2016 dhe Fatmir Limajn më 12 maj 2016.

Në dosjen hetimore thuhet se më 16 maj të vitit 2016, prokurori special i Kosovës ka vendosur të mbyllë hetimet kundër të pandehurve Sabit Kleçka, Fatmir Limaj, Sabit Shalla, Lulzim Shurda dhe Hashim Thaçi në lidhje me dyshimet për marrje të pengjeve – Jakup Kastrati, Cen Desku.

“Prokurori ka konstatuar se nuk është gjetur ndonjë provë gjatë hetimeve për të mbështetur akuzat e lartpërmendura”, thuhet më tej.

Prokuroria ka mohuar se e ka mbrojtur presidentin Hashim Thaçi. Arsyeja pse nuk i ka pranuar dëshmitë e dhëna në UNMIK, ka thënë se janë marrë në mënyrë të paligjshme. Por, vetë Cen Desku jep një version tjetër. Thotë se në kohën kur ka dëshmuar në UNMIK ka folur me fjalë të njerëzve. Ka thënë se nuk e ka arrestuar Thaçi.

“Ju informoj se deklaratat e dëshmitarëve dhe deklaratat e të dëmtuarve të dhëna gjatë hetimeve para hetuesve të UNMIK-ut, nuk janë marrë në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale”, ka thënë Prokuroria e Shtetit . “Te njëjtit para se të japin deklarata nuk janë njoftuar për të drejtat dhe obligimet e tyre si dëshmitarë apo të dëmtuar.

Për rastin e Limajt ka dhënë një version tjetër. Nuk është deklaruar se pse është e pranueshme deklarata e dëshmitarit e dhënë në UNMIK, ani se janë marrë në të njëjtën kohë me ato të hetimeve kundër Thaçit.

“Ndërsa, Fatmir Limaj është akuzuar për përgjegjësi komanduese, që sipas Prokurorisë është vërtetuar në bazë të dëshmive të dëshmitarëve të dhëna gjatë hetimeve dhe në bazë të provave materiale”, ka thënë Prokuroria e Shtetit.

Insajderi ka kërkuar nga Prokuroria një kopje të aktvendimit për mbylljen e hetimeve kundër Thaçit, por ka refuzuar ta ofrojë atë.

Desku: Me Thaçin kemi sqaruar disa keqkuptime të luftës

Cen Desku, ndërkaq ka thënë se nuk e ka njohur Hashim Thaçin, ndonëse vetë ka deklaru se ai personalisht e ka arrestuar.

“O nuk i kom njoftë bre ata, unë veç si ngjarje. S’jom tërjek prej saj, ngjarje… Nuk i kom njoftë, këta njerëz veç kanë thanë simbas fjalëve, jo u kanë ky, jo u kanë ky. Unë s’i kom njoftë se ata janë kanë azil. Unë jam kanë këtu gjithë kohën, kështu që nuk i kom njofto veç sipas fjalëve, njerëzve që kanë thanë”, ka thënë Desku për Insajderin.

Kur është pyetur se pse ka deklaruar se Thaçi e ka arrestuar, Desku ka insistuar se nuk e ka njohur atë. Ka deklaruar se Thaçin e kishte akuzuar bazuar në fjalët e të tjerëve.

Ndërkohë, Desku dhe Thaçi janë takuar të paktën tri herë gjatë këtij viti. Takimin e fundit e kanë pasur në shtator të këtij viti. Desku ka mohuar se është bindur nga Thaçi në këto takime që të heq dorë nga dëshmitë e dhëna më herët. Në këto takime ka thënë se pos tjerash i kanë sqaruar “disa keqkuptime”.

“Jemi taku përmes një shoku tem ni Isnik Kilaj. Jemi themelues të Lidhjes Demokratike prej viteve të’ 90-ta edhe ai është kryetar i partisë të Thaçit në Malishevë edhe hajde takohum, pimë kafe. Po takohum unë pse jo, s’kom unë ndaj shqiptarëve asni…”, ka thënë Desku.

Desku ka thënë se në këtë takim kanë biseduar më shumë për punët gjatë viteve të ‘90-ta. Ka thënë se kanë folur për qëndresën ndaj Serbisë.

“Na kena pas organizmin politikë dhe ushtarak në Kosovë. Kemi ba qëndresë këtu edhe tani kanë ndodhë ato kufizimet gjatë luftës. Kanë ndodhë edhe do keqkuptime, kështu që kanë kaluar ato”, ka thënë Desku.

Në zyrën e Presidentit nuk kanë folur për këtë rast e as për takimin që kreu i shtetit ka pasur me dëshmitarin kundër tij.

Insajderi nuk ka mundur të kontaktojë ndërkohë me Jakup Kastratin.

Prokurori Reshat Millaku i cili i ka mbyllur hetimet kundër Thaçit, pak javë më parë është emëruar kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Arrestimin e Cen Deskut dhe Jakup Kastratit e kishte marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Komunikata numër 4 flet për motivet e arrestimit. Aty përmendet edhe vrasja e dy civilëve, për çka po akuzohet Fatmir Limaj për përgjegjësi komanduese.

“Policia Ushtarake e nënzonës operative të Pashtrikut me datën 30. 10. 1998 ndërmori masën e arrestit ndaj Jakup Kastratit nga fshati Turjakë të Komunës së Malishevës, kryetar i LDK-së, Dega në Malishevë dhe Cenë Deskut, nga fshati Siqevë me vendbanim në Malishevë, nënkryetar i kësaj dege”, shkruan në komunikatën e Shtabit të UÇK-së.

“Në bazë të të dhënave të Shërbimit informativ të UÇK-së të lartpërmendurit kanë propaganduar për dorëzimin e armëve në bashkëpunim me kolaboracionistët, Selman Binishi nga fshati Banjë dhe Ramiz Hoxha nga Bellanica, kohë më parë i ekzekutuar nga UÇK-ja si dhe janë në koordinim të vazhdueshëm me Agim Krasniqin, anëtar i Kryesisë së LDK-së i cili shërbimit informativ të UÇK-së i është i njohur si inspirues i luftës speciale kundër UÇK-së dhe nismëtar i njëfarë policie autonomiste të Kosovës”, thuhet në tej në komunikatën numër 4.

Drejtoria Policisë Ushtarake të UÇK-së thoshte se sektori i hetuesisë, është duke kryer hetime kundër të arrestuarve, Jakup Kastrati dhe Cenë Desku në burgun hetues numër 3./Insajderi.com